EKSKLUZIVE/ Oferta për talentin që po shkëlqen me bardheblutë, Tirana kërkon një milionë euro

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2023 | 23:55

EKSKLUZIVE/ Oferta për talentin që po shkëlqen me bardheblutë, Tirana kërkon një milionë euro

Mustafë Abdullahu më shpejt do të ikë sesa do të shijohet nga tifozët e Tiranës. Gardiani i bardhebluve që ka qenë i dëmtuar pas derbit me Partizanin është në qendër të vëmendjes së menaxherëve të ndryshëm. “Panorama Sport” mëson se klubit Tirana i është bërë një ofertë konkrete për futbollistin dhe të tjera biseda janë të hapura.

abdullahu

Menaxherë të ndryshëm kanë kërkuar që të blejnë lojtarin kundrejt një shumë të caktuar dhe në janar ta lëvizin diku tjetër. Gjithsesi, presidenti Refik Halili nuk është nxituar.

Si fillim ka kërkuar një shifër të caktuar për kartonin e lojtarit dhe kushtin që futbollisti të luajë deri në qershor. Më pas lojtari mund të transferohet diku tjetër. Fakt është që portieri, i cili është vetëm 19 vjeç, mund të jetë një nga ata që shitet për një shifër rekord.

Tirana vlerëson dhe kërkon 1 milion euro dhe nuk e lëshon futbollistin pa një shumë të tillë. Të shohim deri në fund të kampionatit se çfarë do të ndodhë me gardianin që për momentin është i dëmtuar, por mund të kthehet që javën tjetër në sfidën me Kukësin.

CILI ËSHTË? – Mjaftuan dy ndeshje për të thënë që Tirana ka fituar një portier. Po, sepse Mustafë Abdullahu tregoi kundër Vllaznisë dhe në derbi ndaj Partizanit, një personalitet të pazakontë për një 19-vjeçar që mbron portën e klubit më të trofeshëm në Shqipëri.

I riu erdhi në fund të vitit të kaluar për herë të parë në vendin tonë, pasi kishte luajtur me të rinjtë e Llapit të Podujevës dhe klubin e Feronikelit në Ligën e Parë kosovare.

Mirëpo, afirmimi i tij u bë në Kategorinë e Parë me Besën e Kavajës në muajt janar-maj 2023. Vetëm një muaj më parë, klubi bardheblu e afroi nga Besa, duke nënshkruar një kontratë 5-vjeçare.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"