EKSKLUZIVE/ “O maqedonas”, Adili sqaron festën e golit: Para 4 vitesh më falënderonin, u zhgënjyem nga rezultati

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2023 | 8:31

EKSKLUZIVE/ “O maqedonas”, Adili sqaron festën e golit: Para 4 vitesh më falënderonin, u zhgënjyem nga rezultati

Mevlan Adili, një nga afrimet e Bylisit në merkaton e janarit, mori përsipër penalltinë e kontestuar në ndeshjen e fundit kundër Tiranës, e cila u luajt në Rrogozhinë. Mbrojtësi u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke shënuar golin e parë pas mbërritjes në Ballsh, teksa më parë ka spikatur edhe si pjesë e Vllaznisë për tri sezone.

adili

Pas ekzekutimit të penalltisë, Adili kishte një mesazh për tifozët e Tiranës, teksa sipas tij, gjatë nxehjes ai është ofenduar nga një grup i vogël. “Madje gjatë gjithë ndeshjes brohorisnin “o maqedonas”! Më vjen vërtet keq, sepse ata e dinë shumë mirë dhe e ritheksoj që unë jam shqiptar. Me atë festim ua tregova vendin asaj pakice tifozësh, që më ofendonin pa  pushim”, thotë mbrojtësi në intervistën ekskluzive të dhënë për “Panorama Sport”.

Mevlan, shënuat dhe ju pamë që të festonit gjatë…
Eh, i lumtur për golin, por aspak i lumtur për rezultatin, sepse ne shkuam për 3 pikët… Në dy ndeshje, Tirana nuk ju ka mundur, mos ka qenë guxim i tepruar në Rrogozhinë? Shiko, ne luftuam dhe shfaqëm dëshirë për vetë pozitat tona, sepse nëse fitonim do të bënte që ne të shpresonim për mbijetesën, por mos harroni se Tirana në Ballsh u ndihmua, sepse ne i shkuam shumë pranë fitores. Tirana ka marrë në zonën tonë 5 faulle për 10 minuta. Por nuk dua t’i kujtoj.

Festuat gjatë kur shënuat, e madje tifozët e Tiranës edhe ju ngacmuan… Pse ai reagim?
Dua ta sqaroj mirë këtë gjë, sepse gjatë gjithë ndeshjes më kanë fyer padrejtësisht dhe shumë rëndë. Unë jam futbollist, jam me eksperiencë dhe jam mësuar, por s’mund të bëjnë si të pafajshëm, kur ata shkaktuan trazirat, edhe pse unë kam shumë miq të mirë në gjirin e tifozëve të Tiranës. E dinim që lojtarët e Tiranës ishin nën presion dhe guxuam.

Sa i përket golit, unë nuk do të provokoja, por sa kam dalë në nxehje, një grup i vogël më ofenduan pa pushim, edhe pse e dinë që unë jam nga Shkupi dhe ata kanë shumë miq në Shkup. Madje gjatë gjithë ndeshjes brohorisnin “o maqedonas”! Më vjen vërtet keq, sepse ata e dinë shumë mirë dhe e ritheksoj që jam shqiptar. Me atë festim ua tregova vendin asaj pakice tifozësh që më ofendonin pa pushim. Madje dua t’u kujtoj se para katër viteve, ata më uruan kur i shënova Kukësit në fund dhe luaja për Vllazninë. Pas asaj ndeshjeje Tirana doli kampione. Ja ky jam unë!

Duke qenë se ju jeni një mbrojtës qendre, a ishte penallti ai rast?
Shiko, ka shtyrje dhe është faull. Kur është jashtë zone jepet faull, ndërsa kur është në zonë është penallti. Për mua është vendim i drejtë i gjyqtarëve. Madje, ne duhet që ta kishim mbyllur ndeshjen edhe në fund, kur patëm atë rast me Eskuerdinjën.

Adili, sa shanse ka Bylisi që të shpëtojë?
Ne do të respektojmë veten dhe kampionatin dhe do të bëjmë më të mirën tonë edhe në sfidën e fundit, edhe në sytë e tifozëve tanë. Shpresojmë që të mbijetojmë.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"