EKSKLUZIVE/ Nuk i eci në Greqi, futbollisti polivalent drejt rikthimit te Skënderbeu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2022 | 14:40

EKSKLUZIVE/ Nuk i eci në Greqi, futbollisti polivalent drejt rikthimit te Skënderbeu

Pavarësisht se kanë edhe tri javë për të luajtur para se të mbyllet ky vit kalendarik dhe hapet zyrtarisht merkatoja, në Korçë kanë filluar punën për të plotësuar kërkesat e trajnerit.

dumfur

Ivan Gvozdenoviç pret që forcojë grupin për pjesën tjetër të kampionatit dhe ndërhyrjet do të jenë të pashmangshme. Drejtuesit janë vënë direk në lëvizje për të piketuar lojtarët e parë që mund të shtojnë cilësinë te bardhekuqtë.

Burime të sigurta pranë klubit thanë për “Panorama Sport” se kanë filluar prej ditësh bisedimet për të rikthyer Randi Dumfurin në ekip.

Lojtari e kreu fazën përgatitore me Skënderbeun dhe më pas u largua për të nisur një aventurë në Greqi.

Por duket se ai shumë shpejt zgjidhi marrëveshjen me klubin helen të Episkopit dhe për momentin është pa kontratë.

Randi Dumfur është një njohje e vjetër e korçarëve dhe mbi të gjitha një lojtar polivalent që mund të mbulojë disa pozicione në fushë.

Por nuk do të jetë vetëm Randi afrimi i vetëm i korçarëve.

Gjatë janarit priten 3-4 përforcime të tjera, me qëllim forcimin e grupit dhe arritjen e objektivit: ringritjen e Skënderbeut në elitë.

LLOGARITË

Skënderbeu e kapi shansin. Shfrytëzoi ndeshjen e prapambetur me Apoloninë dhe kapërceu direkt tri shkallë në renditje. Momentalisht janë të katërtit, me 5 pikë më pak se bashkëkryesueset Flamurtari e Dinamo.

E megjithatë, në Korçë nuk janë akoma të kënaqur. Ivan Gvozdenoviç pret shumë më shumë nga ekipi, për të arritur misionin “Superiore”.

44-vjeçari ua ka thënë qartë të tijve, se duhet të jenë më cinikë gjatë një ndeshjeje. Serbi pret që të shfrytëzohen në maksimum rastet e krijuara, pasi vetëm kështu mund të shmangen surprizat e pakëndshme.

Pas trepikëshit që morën në Fier, “oreksi” është shtuar. Kur kanë për të luajtur 270 minuta deri në mbyllje të fazës së parë, trajneri ka vendosur një objektiv afatshkurtër.

Ai do maksimumin nga ndeshjet e mbetura të 2022- shit, pra 9 pikë në tri javët e mbetura.

Konkretisht duhet të mundim Turbinën, Besën dhe Lushnjën.

Një gjë të tillë tekniku ua ka bërë të qartë lojtarëve gjatë seancës së djeshme stërvitore.

Sipas tij, kjo do t’i jepte mundësi ekipit që të konsolidonte pozitat në klasifikim dhe mbi të gjitha të bënte hap para drejt synimit final.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"