EKSKLUZIVE/ “Nuk hahet gjella që pështyve”, administratori Idrizi i mbyll derën Orikut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2023 | 21:35

EKSKLUZIVE/ “Nuk hahet gjella që pështyve”, administratori Idrizi i mbyll derën Orikut

Sinan Idrizi tregon planin për kapitenin e ri. Flamurtari nuk do të ketë një, por pesë. Pjeshka, Ramadani, Oliveira, Ribaj dhe Liçaj do të mbajnë shiritin me rrotacion për pjesën e mbetur të këtij sezoni.

SINAN IDRIZI

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, administratori qartëson se nuk do t’i ndërhyjë kurrë trajnerit në zgjedhjet që bën.

I mbyll derën Orikut për huazim lojtarësh, ndonëse Muharrem Jazaj shpresonte shumë. Kreu i vlonjatëve evidenton se ka respekt për homologun e tij, por ka pikëpyetje për të tjerët. Ndonëse me “kunja”, qartazi duket se e ka me stafin teknik të kundërshtarëve…

Flamurtari ka hapur një “konkurs” për kapitenin e ri. Mund të na zbuloni si do të realizohet?

Nuk do të jetë një kapiten, por disa. Kemi menduar që shiriti të mbahet me rrotacion. Është problem te ne kjo pjesë, pasi ta keqkuptojnë besimin. Nuk ka më tani! Kështu që më mirë të jenë disa.

I keni përzgjedhur emrat?

Po, janë ato që ju i kishit publikuar. Shiriti do të mbahet me rrotacion nga Denis Pjeshka, Behar Ramadani, Indio Oliveira, shto këtu edhe Andi Ribajn dhe Lejdi Liçajn. Këta të pestë do të jenë kapitenë.

Do të kemi të tjera afrime në skuadër?

Ende nuk e kemi mbyllur, do të bëjmë edhe dy blerje të fundit. Çdo gjë mbetet e hapur. Mendoj se mund të kemi të reja gjatë kësaj jave. Kemi afruar lojtarë cilësorë, të cilët janë parë dhe pëlqyer nga stafi teknik. Kështu që mendoj se kemi bërë ndërhyrjet e duhura.

Afruat portierin Rroku, por e huazuat te Turbina. Çfarë ndodhi?

Ka konkurrencë. Ne kemi fituar një portier të mirë, si Kaloshi. Mua Rroku më pëlqente, por e di më mirë stafi teknik. Ata vendosin, unë nuk përzihem fare me skuadrën. Është përgjegjësi e tyre!

Do të kemi të tjera largime?

Për momentin nuk di çfarë them për këtë pjesë. Mendoj se ata që ishin për t’u larguar, ikën. Unë aktualisht jam në Itali dhe në Vlorë kam lënë njerëzit e duhur që po merren me këto punë. Nëse ata duan që të huazojnë ndonjë lojtar, e dinë vetë…

Administratori Muharrem Jazaj tha se ju pret juve për t’i dhënë lojtarë në huazim. Çfarë do të bëni?

Flamurtari i ka dyert e hapura për ekipet e Vlorës. Unë kam respekt të veçantë për administratorin Muharrem Jazaj. Është njeri pozitiv dhe një biznesmen i suksesshëm. Por këta që kanë ngrënë bukën e Flamurtarit dhe kanë shtegtuar më pas tek ekipet e tjera…

Këta djemtë tanë që kanë pështyrë këtë gjellë, a kuptojnë që gjellën e Flamurtarit nuk mund ta rihash prapë?! Ata kanë dalë nga kjo akademi dhe kërkojnë t’i kthehesh kësaj gjelle… Kjo është gjella që gatuhet vetëm në shtëpinë e vjetër dhe nuk hidhet poshtë. Le ta mësojnë…

Për kë e keni fjalën, pasi nuk po ju kuptojmë ku doni të dilni?

Thashë që për Muharremin kam respekt… Por u them atyre, që flamuri i Flamurtarit nuk ulet kurrë edhe sikur në minus infinit të shkojë.

Ai është biznesmen serioz, por për të tjerët kemi pikëpyetjet tona. Shtëpia e Flamurtarit është shtëpi e vjetër dhe nuk bie kurrë. Flamurtari është gati të ndihmojë çdo ekip të Vlorës, por kërkon më pak respekt. Flamurtari nuk e ul pjacën, ata të shkojnë të mësojnë shtëpinë e vjetër…

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"