EKSKLUZIVE/ Nuk është federuar nga klubi turk, Partizani dhe sulmuesi drejt ribashkimit në merkaton e janarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2022 | 23:23

EKSKLUZIVE/ Nuk është federuar nga klubi turk, Partizani dhe sulmuesi drejt ribashkimit në merkaton e janarit

Partizani në këtë sezon është në garë për titullin dhe po bën mjaft mirë, por sulmi nuk është një repart që shkëlqen.

cinari

Xhuliano Skuka është i vetmi lojtar, i cili është ngritur në nivelin e kërkuar, ndërkohë që të tjerët nuk kanë ndihmuar sa duhet.

Në muajin janar Partizani do të ndërhyjë në merkato për të marrë minimalisht një sulmues dhe një nga opsionet kryesore është rikthimi i Eraldo Çinarit.

“Panorama Sport” mëson se Partizani dhe shkodrani janë në tratativa për një rikthim të mundshëm pas një sezoni e gjysmë të ndarë. Vullneti i të dyja palëve ekziston, megjithatë për ta parë të realizohet kjo marrëveshje duhet pritur janari, kur edhe mund të zyrtarizohet gjithçka.

KONTRATA – Çinari ka edhe më shumë se një vit e gjysmë kontratë me Samsunsporin në Ligën e Parë turke, por trajneri dhe stafi teknik nuk e kanë aspak në plane, madje sulmuesi në këtë sezon, megjithëse është nën kontratë dhe po stërvitet me turqit, nuk është federuar për të luajtur në kampionat.

Ndeshja e fundit si titullar e Çinarit me fanellën e Samsunsporit daton më 1 dhjetor të vitit të shkuar, ndërsa më 20 maj 2022 është aktivizuar në një ndeshje nga stoli për herë të fundit.

Nuk dihet se me çfarë formule Çinari do të firmosë me Partizanin, por shanset më të mëdha janë që të vijë si lojtar i lirë. Ai kërkon të luajë e të kthehet në ditët e dikurshme.

ÇËSHTJA E VJETËR – 26- vjeçari ishte pranë të kuqve që në janar të këtij viti, por një hesap i vjetër e bëri të mos kthehet.

Siç dihet, Partizanit iu desh të mos bënte merkato për një sesion në verën e vitit 2020 për shkak të parregullsive të transferimit të Çinarit.

Në rikthimin e tij në janar 2021 pas pezullimit, shkodrani ishte spektakolar dhe e ndihmoi shumë skuadrën e Dajës, por u largua në verë dhe thuhet se i la Partizanit në sërë faturash për çështjen e transferimit.

Gjithsesi, fatmirësisht gjithçka është sheshuar.

Në rast se Skuka largohet në SHBA, Çinari e zëvendëson kokë më kokë dhe në të kundërt, të dy do të formonin një dyshe të frikshme në sulmin e kuq.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL