EKSKLUZIVE/ Nga çështja “Shehi” te merkatoja, zbardhen prapaskenat e largimit të Osmanit nga Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2023 | 23:58

EKSKLUZIVE/ Nga çështja “Shehi” te merkatoja, zbardhen prapaskenat e largimit të Osmanit nga Tirana

“Rrufe në qiell të hapur” është largimi i Tefik Osmanit nga drejtor te Tirana. Ishmbrojtësi i Tiranës, që deri dje mbante pozicionin e drejtorit teknik te bardheblutë ka vendosur që të largohet nga pozicioni që mbante prej shtatorit 2020. Numri dy i bardhebluve njoftoi largimin e tij nga skuadra, në “Instagram”, ndërkohë që klubi nuk kishte postuar paraprakisht asnjë sqarim për ndarjen me drejtorin.

Osmani Halili

Largimi i Osmanit, krahu i djathtë i presidentit Refik Halili këto tri vitet e fundit, faktikisht ishte në “ajër”. Paçka të gjithave, Osmani në postimin e tij falënderoi familjen Halili “dhe pranoi se me modesti kishte vënë emrin e tij në klubin bardheblu.

“Rrugëtimit tim të mrekullueshëm me KF Tiranën i erdhi fundi. Është ekipi që më dha shumë emocione, sfida dhe ndihem krenar që isha pjesë e këtij klubi të madh. Falënderoj familjen “Halili”, stafin, lojtarët e mrekullueshëm gjatë 3 viteve ku ndamë gëzime dhe lot. Tifozët e mrekullueshëm që mbështesin ekipin e tyre në çdo rast. Jam krenar që m’u dha mundësia të shkruajmë me modesti emrin tim në këtë klub të madh”, shkruante dje Osmani.

QËNDRIMI ZYRTAR – Klubi Tirana zyrtarisht ka bërë me dije nëpërmjet zëdhënësit të shtypit, që largimi ka qenë personal. Kjo do të thotë se shkaqet e largimit kanë qenë të thella, pasi Osmani lë kështu në mes një rrugëtim që duhej të mbyllej në fund të sezonit.

I PAKAPSHËM – Tefik Osmani gjatë mbrëmjes së djeshme ishte i pakapshëm. Telefoni i tij qëndronte i fikur dhe kështu ishte e pamundur t’i merrej një qëndrim rreth vendimit për t’u larguar nga KF Tirana.

PRAPASKENAT – Tefik Osmani ishte krahu i djathtë i Refik Halilit, por gjërat tani kanë ndryshuar. Në klub është diskutuar prej shumë kohësh largimi i drejtorit Osmani dhe realisht pritej prej disa javësh. Kjo pasi gjërat mes tij dhe presidentit nuk kanë qenë si më parë.

“Panorama Sport” mëson se përplasja e parë mes dyshes ka qenë Orges Shehi. Edhe në momentin që durrsaku donte të largohej në verë dhe tani. Osmani kërkoi me ngulm ta mbante.

Përplasja e dytë ishte po për Shehin, me drejtuesit e klubit që kërkuan nga Osmani të zgjidhte situatën me trajnerin, duke i kërkuar dorëheqjen dhe më pas të zgjidhte çështjen pas pezullimit të durrsakut. Mosgjetja e vijës së mesit, pra një marrëveshje, duket se ka ndarë edhe më shumë palët.

Përplasja e tretë ka qenë merkatoja. Në njëfarë mënyre ekipin e ndërtoi Tefik Osmani ose të paktën ka sjellë disa lojtarë në skuadër. Rezultatet e lojtarëve nuk kanë qenë ato që priteshin dhe fatura e përgjegjësisë i është lënë në dorë drejtorit Osmani.

FUNDI – Një tjetër shqetësim ka qenë për Tefik Osmanin marrëdhënia me stafin e ri. Mes palëve ka disa keqkuptime që nuk janë shfaqur haptazi, por ftohtësia duket në distancë.

Për më tepër që drejtori tani nuk vjen përditë në stërvitje. Kapakun gjithçkaje duket se ia ka vënë situata e fundit në stërvitje pas një mbledhje ku lojtarët kanë pasur pretendime të ndryshme.

Prej kohësh Osmani është mes lojtarëve dhe drejtuesve. Për çdo problem përfshirë edhe ato financiare ata janë përplasur tek Osmani dhe anasjelltas. Tefiku ishte bërë “amortizatori” i palëve.

Gjithsesi, në stërvitjen e fundit sërish ka pasur disa kërkesa nga lojtarët, ndërkohë që Tefik Osmani nuk ka dashur që të vazhdojë më të jetë në mes. Të bëra bashkë këto përgjegjësi kanë bërë që palët të ndajnë rrugët, pasi bashkëpunimi po rezultonte i pafrytshëm.

ARRITJET – Drejtori teknik i Tiranës ka fituar një titull në sezonin 2021-2022, ka dalë nënkampion i Shqipërisë, por dhe ka qenë pjesë e klubit që vitet e fundit ka shitur disa lojtarë që të kanë sjellë miliona euro të ardhura, pa llogaritur kualifikimet në Europë.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"