EKSKLUZIVE/ Nevil Dede nis punën te Elbasani, kërkon të marrë futbollistët e Dinamos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 6, 2023 | 14:28

EKSKLUZIVE/ Nevil Dede nis punën te Elbasani, kërkon të marrë futbollistët e Dinamos

Me konfirmimin e Nevil Dedes në krye të pankinës së Elbasanit, do të nisë menjëherë puna për ndërtimin e skuadrës në Kategorinë e Parë. Pretendimet janë të qarta: kërkohet ngjitja në elitë. Dhe që ky mision të realizohet, në klub nuk kanë në plan që të kursehen. Pritet që të ketë shumë afrime, kryesisht në lojtarë ekspertë të kësaj kategorie.

dede dinamo

Menjëherë kanë nisur të qarkullojnë emrat e parë në merkato. Pritet që pasi u zgjidh çështja e stolit, të kontaktohen lojtarët, të cilët vetë trajneri i ka përzgjedhur dhe i sheh si pjesë të projektit të tij. Dhe burime të “Panorama Sport” zbulojnë dy prej tyre, që aktualisht janë pjesë e Dinamos. Jemi duke folur për mbrojtësin Eçe Idakvo Dikson dhe sulmuesin Taulant Marku.

DIKSON – 28-vjeçari që militon prej disa sezonesh në futbollin shqiptar dhe në ekipet e Kategorisë së Parë, mësohet se është dëshira e parë e teknikut kryeqytetas, i cili e trajnoi përgjatë këtij sezoni edhe në radhët e kryeqytetasve. Tekniku dhe mbrojtësi kanë qenë sërish bashkë edhe dy vite më parë në radhët e Erzenit, kur edhe u ngjitën në Superiore. Eçe Idakvo Dikson ka qenë një nga futbollistët më të preferuar të Dedes dhe gjasat janë që të ketë një ribashkim të tretë edhe në Elbasan dhe synimi do të jetë i njëjtë: ngjitja e skuadrës në Superiore. Gjithsesi, mbetet për t’u parë edhe dëshira e Dinamos, nëse do t’i besojë nigerianit për këtë sezon në elitë apo do ta lërë të lirë. Gjatë këtij sezoni me blutë, mbrojtësi u aktivizua në 21 takime me plot 1639 minuta në këmbët e tij, duke arritur të shënojë edhe një gol.

MARKU – Taulant Marku është gjithashtu një opsion për t’u afruar me Elbasanin në këtë merkato vere. Pukjani ka një eksperiencë jo të vogël mbi supe dhe e njeh mjaft mirë Kategorinë e Parë, pasi përveç Dinamos këtë sezon, ka qenë pjesë edhe e Korabit, Kastriotit apo Tërbunit. Me blutë ai arriti të realizojë edhe 10 gola, duke ndihmuar jo pak ekipin në realizimin e objektivave. Bëhet fjalë për një sulmues që ka marrëdhënie të mirë me portën, nga ku verdheblutë mund të varin shpresat e sulmit për këtë sezon në të Parën. Gjithsesi, edhe në këtë rast fjalën e parë do ta ketë Dinamo, por nëse nuk do të jetë më në planet e tyre, Elbasani shihet si opsion.

SUPERIORJA – Sa u përket emrave të tjerë që mund të afrohen në skuadër, ëndrra mbetet afrimi i lojtarëve nga elita. Klubi është tejet i rezervuar për të dhënë emra për shkak se i druhet ndonjë “dredhie” në momentet e fundit dhe gjithçka mund të prishet. Por, për të parë ndoshta në Elbasan futbollistët që synohen nga Superiorja, duhet pritur pak kohë, pasi për lojtarët e interesuar mund të jenë në garë edhe ekipe nga elita dhe janë të dyzuar për të vendosur.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"