EKSKLUZIVE/ “Në shtator kthehemi të freskët”, Çekiçi: Lëvizje? Fokusi tani është te… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 16, 2022 | 18:47


EKSKLUZIVE/ “Në shtator kthehemi të freskët”, Çekiçi: Lëvizje? Fokusi tani është te… (E PLOTË)

Ai luajti si titullar në Islandë dhe me Izraelin u aktivizua në 10 minutat e fundit, ku edhe arriti të jepte një shkëndijë me një goditje nga distanca, edhe pse koha që kishte në dispozicion nuk ishte e mjaftueshme. Endri Çekiçi, numri 7 i ekipit kombëtar, luajti edhe me Estoninë, madje provoi disa herë nga goditja e dënimit, por fati nuk ishte me të, pa hequr këtu edhe meritat e portierit kundërshtar që u tregua i vëmendshëm ndaj gjuajtjeve të tij. Goli i tij i vetëm me kuqezinjtë është ai me penallti në fitoren kundër Andorrës 1-0. Sezoni mbyllet dhe tashmë Kombëtarja do të rikthehet në shtator, për të luajtur dy ndeshjet e kthimit në Ligën e Kombeve. Ndërkohë, për “Panorama Sport”, mesfushori nga Pogradeci, i cili tashmë është i fokusuar vetëm te pushimet shprehet se në ndeshjen e fundit kishte shumë lojtarë të rinj në fushë, edhe pse ajo duhet të fitohej. Çekiçi thekson se ana psikologjike e ekipit ka ndikuar shumë, si edhe premton se në shtator, atëherë kur rëndësia e ndeshjeve është më e madhe, ekipi përfaqësues do të kthehet i freskët dhe do të lërë pas ngërçin që e ka kapur për të shënuar gol në ndeshjet e fundit.

ENDRI CEKICI

Ndeshja e fundit, pavarësisht faktit që ishte miqësore, mund të fitohej për të zbehur disi atë zhgënjimin që pësuan tifozët me Izraelin…

Po, e vërtetë, ishte një takim miqësor. Në fushë ishim shumë futbollistë të rinj. Unë isha nga lojtarët më të vjetër të formacionit dhe u mundova që të jepja pak më shumë se çunat e tjerë që e kishin për herë të parë. Për fat të keq, nuk e fituam dot ndeshjen, por kishim kontrollin e lojës gjatë gjithë kohës.

Ju provuat disa herë nga goditja e dënimit…

Po, kishim disa raste, për të qenë të sinqertë, dhe na mungon konkretizimi përpara portës. Shpresoj që në ndeshjet e ardhshme të kemi edhe pak fatin me vete, sepse ato ndeshje janë edhe më të rëndësishme.

Pse nuk shënon Shqipëria?

Kemi krijuar një ngërç këto ndeshjet e fundit përpara portës. Shpresoj që në ndeshjet e shtatorit të jemi më të përgjegjshëm përpara portës.

Sa ka ndikuar lodhja në këto ndeshje, duke qenë se jemi në fund të sezonit dhe futbollistët mezi presin për ato pushimet?

Po, ka ndikuar disi, por më shumë ka të bëjë gjendja psikologjike, pasi që pas Islandës kur nuk arritëm të fitonim dhe morëm vetëm një pikë në dy ndeshje, u ngarkuam pak nga ana psikologjike. Besoj se pas verës do të qetësohemi dhe në grumbullimin e radhës do të jemi më të freskët.

Në aspektin personal, pas pushimeve, do të bëheni gati për ndeshjet europiane?

Po, pas pushimeve kemi Europën përpara dhe shpresoj që të paraqitemi sa më mirë dhe pastaj të shikojmë.

Qëndroni në Turqi apo mendoni për ndonjë lëvizje?

Momentalisht jam i fokusuar vetëm te pushimet (qesh), pastaj do të shohim.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL