EKSKLUZIVE/ “Në Shkodër ka frymë ndryshe”, Xhahysa: Vllaznia për kampion, por duhet të mendojë edhe… sulmin (E plotë)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2024 | 21:28

EKSKLUZIVE/ “Në Shkodër ka frymë ndryshe”, Xhahysa: Vllaznia për kampion, por duhet të mendojë edhe… sulmin (E plotë)

Altin Xhahysa është një nga ish-lojtarët e shpallur kampion me Vllazninë e dikurshme.

altin xhahysa

Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai shprehet se dëshiron që Vllaznia e këtij sezoni të rikthejë titullin në Shkodër pas 23 vitesh. Pavarësisht startit të vështirë të sezonit, ai e shikon pretendente në këtë moment. Xhahysa shton se çështja e katërshes tani është e zgjidhur, por kujdesi duhet bërë në takimet teke të “Final 4”.

Si e keni parë Vllazninë e deritanishme?

Mund të them me nota pozitive. Vllaznia të them të drejtën ka pasur një ecuri të mirë, madje shumë të mirë, sidomos pas ardhjes së trajnerit të ri, pasi fillimi tanimë dihet me problematikat që kishte.

Cilën shikoni ju si skuadrën që mund të jetë më pranë titullit?

Për sa i përket këtyre javëve të fundit, nuk shikoj një ekip që mund të jetë më mirë se tjetri. Çdo skuadër, përfshirë edhe ato që ishin më mirë, kanë pasur ulje-ngritjet e veta. Prandaj e preka edhe më parës e në katërshe janë takimet direkte që do të vendosin.

A e shihni këtë Vllazni të aftë për të fituar titullin?

Për momentin që flasim, them se po.

Pas humbjes minimale që Vllaznia mori në takimin e parë gjysmëfinal të Kupës ndaj Egnatias, e shikoni këtë skuadër në finale?

Po, është e mundur që të jetë në finale, se një takim është dhe sipas mendimit tim, Vllaznia më duket më e qetë se Egnatia. Kjo ndoshta edhe ngaqë Egnatia ka pasur rezultate negative në këto javë. Vllaznisë në takimet e fundit nuk i kanë shkuar gjërat siç duhet.

Ku duhet bërë kujdes që të ruhet ky pozicion deri në fund?

E përmenda dhe më parë se Vllaznia ka qenë shumë racionale. Me një lojë të kujdesshme dhe me kundërsulmin ka qenë shumë efikase. Megjithatë, do të kisha dashur që të ketë më shumë përparësi te sulmi, pasi nuk mund të rrish gjithë kohën duke pritur.

E shikoni Vllazninë fituese të shtunën ndaj Laçit apo duhet bërë kujdes në të tilla takime?

Duke parë pikët që ka Vllaznia, ndeshja me Laçin duhet t’i vlejë edhe për mënyrën e lojës që duhet të luajë Vllaznia në fazën finale, pra ajo që do të vijë pas 36 javëve. Them se e ka mundësinë për ta bërë një gjë të tillë dhe njëkohësisht për ta fituar këtë sfidë. Gjëja më kryesore te Vllaznia është se në skuadër ka një frymë pozitive dhe kjo nuk ekziston vetëm te lojtarët, por te komplet stafi. Kjo mua më bën optimist për këtë Vllazni. Uroj që takimin ndaj Laçit ta fitojnë dhe uroj që në fund të sezonit të dalin kampion. Të sjellin në Shkodër një titull që i mungon prej 23 vitesh.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"