EKSKLUZIVE/ “Ne qëndronim gjithë natën rrugëve jashtë vendit”, Kola kujton barazimin e vitit 1984: Si i tronditëm polakët (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2023 | 19:30

EKSKLUZIVE/ “Ne qëndronim gjithë natën rrugëve jashtë vendit”, Kola kujton barazimin e vitit 1984: Si i tronditëm polakët (E PLOTË)

Gol dhe asist në Poloni! Agustin Kola është nga ata që ka lënë shenjë në ndeshjet kundër rivalit të sotëm të Shqipërisë. Për herë të parë dhe të fundit që kemi marrë një rezultat pozitiv në tokën polake është më 31 tetor 1984, kur ish-sulmuesi u bë protagonist i një sfide të madhe të kuqezinjve, që u mbyll 2-2.

agustin kola

“Sot (dje) kam qenë në Vlorë për të festuar me lojtarët e brezit tim 100-vjetorin e Flamurtarit. Mes shumë diskutimeve që bëmë, kujtuam me shumë nostalgji edhe atë barazim në Poloni. Natyrisht, nuk mund të harronim fitoren madhështore me Belgjikën në Tiranë. Me miqtë e mi vlonjatë folëm gjatë edhe për ato ndeshje të mëdha që ka bërë Flamurtari ndaj Partizanit të Beogradit dhe Barcelonës, por gjithashtu fitoren e Tiranës ndaj Dinamos së Bukureshtit”, tregon fillimisht Kola në bisedën ekskluzive për “Panorama Sport”, ndërsa më pas u përgjigjet pyetjeve.

Agustin, 39 vite më parë Shqipëria barazonte 2-2 në Poloni me ju në fushë si protagonist kryesor. Si e kujtoni atë ndeshje?

E kujtoj shumë mirë. Na ka ikur nga duart një fitore e madhe. Shkoi 1-0 për polakët, por barazuam me Bedri Omurin në pjesën e dytë. I kam dhënë asistin me kokë dhe Bedriu ka shënuar me thembër një gol të bukur. Më pas realizova unë për 1-2, por nuk e mbajtëm dot avantazhin. Ishte rezultat fantastik për kohën, por duhet të kuptoni diçka, që ne daljen jashtë vendit e shikonim ndryshe. Për këtë dua të tregohem i sinqertë, sepse nuk ka lidhje ajo kohë me atë që po jetojmë tani.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Në kohën tonë kur dilnim jashtë shtetit, gjithë natën rrinim rrugëve. Duke qenë të mbyllur, sigurisht që na bënte shumë përshtypje çdo gjë dhe kishim kënaqësi të pinim qoftë edhe një “Coca Cola” apo të shijonim ndonjë çamçakëz. Ama, kur vinte puna për të luajtur, bëheshim grup dhe e tregonim veten. Mentaliteti ynë kur luanim në ndeshje kaq të vështira jashtë fushe, ka qenë që të mbroheshim mirë për të mos pësuar shumë gola. Kishim ndjenjën e grupit dhe duke pasur përgatitje të mirë fizike, ia dilnim të merrnim edhe rezultate të mëdha, siç ishte ai barazim në Poloni, që për mua duhet të kishim fituar. Kur shikonim ndonjë ndeshje në TV të këtyre ekipeve të mëdha ose kur luante Rumeninge për shembull, thoshim: “Bo, bo si do të luajmë kundër tyre, si do t’ia bëjmë…” Nuk kishim parë botë…

Debuton trajneri Silvinjo, si e prisni sfidën në Varshavë?

Polonia mbetet ekip i madh dhe nuk duhet t’i ngatërrojmë gjërat. Megjithatë, lojtarët tanë e kanë eksperiencën e duhur ndërkombëtare për të kapur rezultate. Ata luajnë në kampionatet më të forta në Europë dhe unë pa frikë e them, që sot Kombëtarja jonë mund të mposhtë çdo skuadër, veçanërisht kur luajmë në fushën tonë. Kemi krijuar një bazë të mirë, por me Kosovën shtet, nuk vijnë më prurje si më parë.

Një pikë në start do të ishte OK?

Për ndeshjen e sotme shpresoj të shmangim humbjen. Polonia është favorite, por ne duhet të bëjmë lojën tonë. Pres të jetë takim i vështirë, pasi edhe Polonia nuk ka asgjë të sigurt me ne. Shikoj lojtarë që luftojnë shumë, më duket një brez i bukur.

poloni shqiperi

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"