EKSKLUZIVE/ “Ndihet ende dora e Zekiç”, Mehmeti: Ndeshje drithërimash, Partizani fiton derbin dhe… titullin (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 1, 2023 | 21:18

EKSKLUZIVE/ “Ndihet ende dora e Zekiç”, Mehmeti: Ndeshje drithërimash, Partizani fiton derbin dhe… titullin (E PLOTË)

Partizani në merkaton e verës afroi disa lojtarë, por ai që është ambientuar menjëherë dhe është shndërruar në një “virtuoz” në mesfushë, është Adnard Mehmeti. 22-vjeçari, që po shkëlqen me fanellën e kuqe, ka folur ekskluzivisht për “Panorama Sport”, para derbit të së dielës. I riu nga Vushtrria është i bindur për fitoren e radhës në derbi, teksa në rrëfimin e tij ai tregon për emocionet e kësaj ndeshjeje dhe krenarinë e të qenit në fushë në derbi.

WhatsApp Image 2023-12-01 at 08.27.01

Si po shkojnë përgatitjet për derbin?

Përgatitjet po shkojnë super. Jemi përqendruar totalisht për këtë ndeshje, që dihet sa e rëndësishme është. Të them të drejtën, është një ndeshje që vlen po 3 pikë, por po e presim me padurim. Është kënaqësi më vete dhe krenari të luash të tilla ndeshje. Duam vetëm fitore. Atmosfera në skuadër është shumë e mirë, gjithçka po shkon në rregull.

Po ju personalisht, jeni në formën maksimale për këtë betejë?

Po, jam 100%. Mezi po pres të vijë derbi. Jam shumë mirë sa i përket formës fizike, fatmirësisht kam kaluar edhe problemet e vogla që pata në fillim të sezonit dhe ndihem mirë.

Luani derbin e dytë në këtë sezon. Çfarë ndjesie ishte të luaje për herë të parë mes 15-16 mijë njerëzve?

Është emocion i madh, kënaqësi të shikosh aq shumë tifozë. Të krijohet një ndjesi unike, që nuk mund ta përshkruash, sidomos kur e ke derbin e parë. Të paktën sa i përket Shqipërisë, prej gjithçkaje që ndodh përreth, të bën të ndihesh futbollist i nivelit të lartë, si në ligat e mëdha europiane. Ajo ndeshje ka një aromë tjetër.

Çfarë mendimesh ju erdhën në daljen e parë në fushë?

Në fillim, kur dolëm në nxehje dhe stadiumi ishte mbushur, ndjeva emocione të jashtëzakonshme. Nuk kisha qenë ndonjëherë më parë në një ndeshje të tillë dhe ishte diçka e re për mua. Ishte ndryshe.

Ju kanë ndihmuar ndonjë nga shokët e ekipit se si ta përballoni një ndeshje të tillë? Cili ju ka motivuar më shumë?

Po, është Murataj. Në ndeshjen e parë më thoshte: “Mos ki frikë nga asgjë, trego veten. Luaj lirisht”. Por edhe komplet si skuadër flisnim në dhomat e zhveshjes dhe motivonim njëri-tjetrin. Në fund ia dolëm, le ta bëjmë edhe kësaj here.

Sipas asaj që bisedoni para dhe pas stërvitjeve, jeni optimistë për fitoren e dytë radhazi ndaj Tiranës?

Po, po normal. Po bëjmë maksimumin dhe si në çdo ndeshje, edhe në këtë ndaj Tiranës, Partizani hyn vetëm për fitore. Mund t’ia arrijmë, pavarësisht disa problemeve fizike që kanë pasur disa lojtarë kryesorë tanët. Tirana ka bërë rezultate jo të mira, por qëllimi ynë nuk do të ndryshonte edhe nëse do të ishte ndryshe.

Gjithsesi, mund të themi se ua bën më të lehtë misionin situata aktuale e Tiranës, që po vuan ndeshje pas ndeshjeje. Apo jo?

Në fakt e ka njëfarë ndikimi kur humbet ndeshjen e fundit para derbit. Edhe ne barazuam me Dinamon, por vijmë pas një ecurie me 6 fitore radhazi, një situatë më e mirë se kundërshtari.

Çfarë ka ndryshuar në skuadër pas largimit të Zekiçit?

Rezultatet fatmirësisht pas ikjes së tij kanë qenë pozitive, por Zekiç ishte një trajner shumë i mirë. Na jepte motivim të jashtëzakonshëm gjatë stërvitjeve dhe para ndeshjeve. Me të kemi bërë përgatitje jashtëzakonisht të mira dhe puna e tij ende ndikon në ecurinë tonë. Na mban ende.

Po Abilaliaj, ju duket njeriu i duhur për Partizanin?

Po, Arbri ka ndikuar shumë për të pasur një atmosferë shumë të mirë në skuadër, por edhe stërvitjet janë të një niveli të lartë. Me të gjithçka po shkon mirë.

A jeni pretendentët kryesorë për titullin? Jeni të dytët, por më një ndeshje më pak…

Partizani këtë vit do të bëhet sërish kampion. Me patjetër. Kemi të gjitha cilësitë për ta arritur këtë objektiv.

Kush është idhulli juaj i fëmijërisë dhe një lojtar aktual, që ju pëlqen për mënyrën se si luan?

Idhull kam Iniestën. Më ka pëlqyer që kur kam qenë i vogël dhe imitoja lëvizjet e tij. Nga këta aktualët më pëlqen loja e Gavit. Besoj se kuptohet se jam tifoz i Barcelonës (qesh).

A ka një ish-lojtar të Partizanit, të cilin e shikoni si shembull?

Mendoj se Skuka ka bërë punë shumë të mirë te Partizani. Me talentin e tij ai arriti të bëhet ndër më të mirët këtu dhe u transferua jashtë, duke bërë një kalim shumë cilësor. Ky është edhe synimi im.

Keni ndonjë mesazh për tifozët e Partizanit para derbit?

Do të doja të ishin sa më të shumtë ndaj Tiranës. Në momentin kur kemi mbështetjen e tyre, edhe ne ndihemi më të fortë dhe më të bindur për qëllimin final.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"