EKSKLUZIVE/ “Nder i veçantë të drejtojë këtë skuadër”, trajneri Miloti: Ja si e ndryshoj Vllazninë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2023 | 21:43

EKSKLUZIVE/ “Nder i veçantë të drejtojë këtë skuadër”, trajneri Miloti: Ja si e ndryshoj Vllazninë (E PLOTË)

Trajneri i ri i Vllaznisë, Auron Miloti, e quan nder dhe përgjegjësi mbi të gjitha detyrën e re. Pavarësisht se ishte pjesë e klubit si drejtor sportiv i klubit, sërish rolin e trajnerit e shikon më me shumë përgjegjësi. Ai kërkon që ekipi të japë maksimumin në stërvitje dhe në çdo takim. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, Miloti tregon se lojtarë si Latifi dhe Vulaj janë pjesë e këtij ekipi dhe do të kërkohet më e mira prej tyre. Që nga dje fokusi i teknikut të ri të Vllaznisë është takimi i radhës. Ai vijon që të jetë optimist për sa i përket çështjes së titullit kampion.

miloti

Çfarë ndjesie patet kur Xhaferi ju tha qe do ta drejtoni ju skuadrën?

Ishte një vlerësim i veçantë për mua detyra që m’u caktua nga presidenti i klubit. Kjo është një përgjegjësi, por edhe një detyrim që kam ndaj klubit. Për mua është nder i veçantë që të jap kontributin tim si trajner.

Çfarë mund t’i ndryshoni kësaj Vllaznie?

Rëndësi për mua ka puna gjatë procesit stërvitor. Synoj që çdo lojtar të angazhohet dhe të përkushtohet maksimalisht, qoftë në mënyrë individuale, ashtu edhe brenda punës në grup.

Çfarë do të ndodhë me lojtarë si Latifi apo Vulaj?

Latifi dhe Vulaj kanë qenë, janë dhe do të jenë pjesë e skuadrës. Klubi ka investuar për ta.

Besoni se Vllaznia do të jetë deri në fund në luftë për titull?

Janë disa skuadra, që e synojnë titullin. Ne derisa matematika të na e lejojë, do të luftojmë deri në fund për këtë objektiv që e kemi pasur që në fillim.

Keni para dy ndeshje me Bylisin dhe Erzenin, çfarë prisni?

Nga dita e sotme (e djeshme), fokusi ynë është ndeshja e radhës me Bylisin. Ne po përgatitemi që të japim maksimumin tonë dhe të dalim fitimtarë.

Keni vuajtur nga skuadrat të ashtuquajtura të vogla. Çfarë do të ndryshoni që ekipi të rikuperojë ndaj këtyre skuadrave duke nisur që nga Bylisi?

Tani ne e kemi parë që në këtë kampionat nuk ka skuadra të vogla apo të mëdha. Puna dhe angazhimi duhet të jenë të njëjta përballë çdo skuadre dhe për ketë do të punojmë vazhdimisht deri në fund të sezonit.

Keni një mesazh për tifozët? Çfarë Vllaznie do të shohim?

Tifozëria ka qenë dhe do të jetë gjithmonë adrenalinë për ne. Do të kërkojmë që të japim maksimumin në çdo ndeshje

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"