EKSKLUZIVE/ “Momenti të ingranojmë lojtarët e rinj”, Kolela: Mba ka nevojë për kohë, po mëson shpejt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 3, 2023 | 8:39

EKSKLUZIVE/ “Momenti të ingranojmë lojtarët e rinj”, Kolela: Mba ka nevojë për kohë, po mëson shpejt

Partizani arriti ta fitojë edhe ndeshjen e dytë të raundit të 1/8-ave të Kupës ndaj Korabit. Në stadiumin e kuq vendosen golat e Sotës, Da Silvas dhe Hotit, që vulosën shifrat 3-0, pas rezultatit 1-3 në sfidën e parë në Peshkopi. Pas ndeshjes, ekskluzivisht për “Panorama Sport” u prononcua trajneri i “demave”, Xhovani Kolela. Ai shprehet se kjo përballje e ndihmoi Partizanin të merrte sinjale nga të rinjtë. Italiani flet edhe për Mba, për të cilin ka bindjen se do të ambientohet shpejt me ekipin, ndërkohë që nuk preferon të komentojë për largimin e Rrapajt, të paktën deri kur të bëhet zyrtare.

KOLELA 1

Sa e ndihmon Partizanin kjo ndeshje për të bërë më mirë në vazhdimësi?

Të gjitha ndeshjet na ndihmojnë. Sigurisht i shërben lojtarëve, që kanë pak minuta dhe janë mbrapa për sa i përket përgatitjes fizike, Një prej tyre është Da Silva. Ne po ndërtojmë pak e nga pak gjërat, kështu që mendoj se na ndihmon.

Shanset më të mëdha janë që përballë jush të jetë Vllaznia. Do të donit një kundërshtar më të lehtë në raundin tjetër?

Kur arrin në fazën e çerekfinaleve është e pamundur të gjesh një kundërshtar të dobët. Unë nuk arrij ta kuptoj ende se kush është kundërshtar i dobët në këtë kampionat.

Cilat ishin sinjalet apo përgjigjet që morët nga të rinjtë që u aktivizuan në këtë ndeshje?

Mora përgjigje pozitive. Mendoj se lojtarët që në kampionat janë aktivizuar më pak se të tjerët sot kanë bërë një paraqitje të mirë dhe kanë dhënë përgjigjet e duhura.

Si ju duk skuadra e Korabit dhe a kishte ndonjë lojtar që ju pëlqeu më shumë se të tjerët?

Ne gjithmonë i vëzhgojmë edhe skuadrat kundërshtare, pasi mes tyre ka lojtarë të mirë. Është si procesi i një operacioni, nuk shohim vetëm jashtë, por edhe në brendësi. Por nuk mund të evidentoj një element të caktuar.

Mund të themi se kjo sfidë është një “nxehje” për betejën ndaj Laçit?

Të gjitha ndeshjet zyrtare ne i konsiderojmë si të tilla. Nuk mund të konsiderojmë një ndeshje të lehtë apo një ndeshje të vështirë. Ndeshjet zyrtare duhet të luhen si të tilla. Por siç e thashë, ishte një mundësi e mirë për t’i dhënë minuta lojtarëve që kanë pasur më pak minuta në dispozicion.

Mba është një nga afrimet më të bujshme që keni bërë në këtë merkato, i duhet atij më shumë kohë për t’u ambientuar me skuadrën dhe lojën?

Po, pa dyshim që i duhet më shumë kohë. Vjen nga një skuadër tjetër, një kampionat tjetër. Ata kanë punuar në mënyrë të ndryshme dhe kjo ka ndikimin e vet. Por Kristian është një djalë mjaft i zgjuar dhe për mendimin tim nuk do t’i duhet shumë kohë.

Si e prisni ndeshjen ndaj Laçit, duke pasur parasysh ngërçin që kanë krijuar rezultatet e ndeshjeve të fundit?

Ne tani jemi duke ndërtuar disa gjëra. Janë larguar disa lojtarë, kanë mbërritur të tjerë në skuadër dhe është momenti që ne t’i ingranojmë me grupin tonë.

Rrapaj është drejt largimit. Sa do ta dëmtonte skuadrën ikja e tij, duke qenë se vjen edhe në mënyrë të befasishme?

Pyetja për Rrapajn është një pyetje që nuk më përket mua, por drejtorit sportiv.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"