EKSKLUZIVE/ “Mitaj mesfushor dhe Hysaj majtas”, Redi Jupi: Skuadra duhet të ndërtohet mbi Brojën, dua që Silvinjo të ketë dilema të ëmbla për Europianin (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2024 | 22:22

EKSKLUZIVE/ “Mitaj mesfushor dhe Hysaj majtas”, Redi Jupi: Skuadra duhet të ndërtohet mbi Brojën, dua që Silvinjo të ketë dilema të ëmbla për Europianin (E PLOTË)

Opinionet e Redi Ju pit lexohen gjithmonë me kënaqësi. Këtë herë tema është Kombëtarja shqiptare, ndeshjet e fundit miqësore, lista dhe Europiani.

redi jupi

Ish-futbollisti i ekipit përfaqësues kthehet të japë mendimet e tij në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”. Duke guxuar disi, por me përgjegjësi profesionale, Jupi ka krijuar formacionin ideal për Kombëtaren shqiptare. Ndërkohë, një ide tjetër interesante e tij është edhe kalimi i Mario Mitajt në qendër të mesfushës të cilën Redi e analizon me detaje.

Shqipëria zhvilloi dy miqësore këtë muaj, në syrin tuaj sa vlerë patën dhe çfarë mësime nxorëm nga to?

Patjetër që patën një vlerë këto miqësore që luajtëm, në shumë aspekte, si në aspektin e takimit të lojtarëve me njëri-tjetrin, si në aspektin e aktivizimit të këtyre lojtarëve nga trajneri, të cilët donte t’i shikonte pasi nuk i kishte pasur nën urdhrat e tij në ndeshjet e kaluara.

Por, edhe për të kolauduar disa gjëra teknikisht, për të hequr disa dyshime dhe për të marrë mbase disa konfirmime. Janë pjesë e procesit. Data të lira të FIFA-s që duheshin shfrytëzuar. Ndeshjet ishin prestigjioze, pastaj se sa i shfrytëzuam ne dhe se çfarë bëmë ne, është për t’u diskutuar…

Mund të themi që këto dy ndeshje hoqën disa dilema në kokën e Silvinjos për listën e Europianit?

Ai mori disa konfirmime ndërkohë që iu shtuan edhe dilemat. Kështu do të jetë sepse është e pamundur që të gjithë lojtarët tanë që ne i mendojmë apo i kemi projektuar si titullarë, Silvinjo në mendjen e tij apo edhe ne si publik, të marrin konfirmimin dhe të kenë të njëjtën gjendje apo performancë te ndeshjet që janë me distancë tri muaj me njëra-tjetrën. Ai mori disa konfirmime, por iu krijuan edhe disa dilema, por shpresoj që të jenë dilema “të ëmbla”, me dhimbje koke pozitive sepse janë shtuar alternativat.

Me atë që sulmuesit dhanë në fushë këto dy miqësore, është i nevojshëm rikthimi i Dakut dhe Mujës?

Është çështje pak specifike dhe shumë me detaje, ajo e Dakut dhe e Mujës. Unë mendoj se performanca e Dakut në ndeshjet eliminatore ka qenë e nivelit shumë të mirë. Teorikisht ishte një dyshim shumë i madh për të gjithë, menduan se çfarë po bën me këtë lojtar që deri para dy-tri vitesh ka qenë në Superiore dhe lojtar zëvendësues.

Të gjithë menduam se ishte një “qokë”, por ai e legjitimoi prezencën e tij në skuadër, me performancë dhe me gol, sidomos me performancë sepse ka bërë ndeshje të mira. Muja është një rast tjetër, është lojtar krahu dhe në atë pozicion ne kemi lojtarë dhe alternativat janë disa. Aty pastaj do të jetë vërtet e vështirë për ta zgjidhur nëse do të jetë apo jo në listë. Kurse Daku do i japë kokëçarje trajnerit, pasi ato që ka bërë gjatë kualifikueseve kanë qenë vërtet të rëndësishme.

Te Procesi Sportiv jeni shprehur se do të provonit Mitajn në qendër të mesfushës, përse e mendoni këtë lëvizje?

Po, është e vërtetë. Ishte dekoratë personale që të bësh propozime të këtij lloji, sidomos të ndryshimit të pozicionit të lojtarëve. Ky mendim nuk më erdhi nga hiçi, si ata që rrinë nëpër kafe dhe bëjnë lojë kungulleshkash, jo 3 apo 4 apo 5, pse 5 dhe jo 6. E para kjo vjen pasi Mitaj ka luajtur në atë pozicion, para mbrojtjes, me një mesfushë trekëndëshi me kulmin poshtë. Ka qenë pikërisht në atë pozicion me ekipin e tij në Rusi dhe ka bërë një performancë të mirë, një ose dy ndeshje. E dyta është eksperimenti i Ukrainës me Zinçenkon, është një mbrojtës i krahut të majtë që me kombëtaren luan si mesfushor qendre.

Pse? Sepse një lojtar me një potencial aq të madh dhe një pikë pasimi aq e rëndësishme dhe me personalitetin që ai ka, Ukrainës do i bënte shumë punë aty në qendër. Zinçenkos vetë jo, e theksoj këtë. Mitajt nuk do t’i bënte punë luajtja në qendër të mesfushës sepse ai është një lojtar shumë i mirë i krahut të majtë dhe një lojtar normal në qendër, por aman ne na bën shumë punë sepse fusim një mesfushë një lojtar me kapacitet shumë të lartë teknik, një pikë pasimi, një lojtar që di të shpërndajë shumë mirë lojën dhe që di të mbrojë.

Unë mendoj se bëhemi të fortë në mesfushë. Tjetra është që ne fusim dy lojtarë që nga fillimi zgjedhim një. Kemi Balliun nga e djathta dhe Hysajn dhe aktualisht luan vetëm njëri nga ata. Unë mendoj se është luks i madh të lesh jashtë formacionit një nga ata. Them Balliu nga e djathta dhe Hysaj nga e majta dhe Mitaj përpara mbrojtjes, kemi futur tre lojtarë shumë të rëndësishëm.

Nëse më lejoni t’ju pyes, cili është projeksioni juaj për titullarët nëse Shqipëria do të luante sot?

Atëherë sërish me kurajo dhe me përgjegjësi profesionale po të bëj formacionin e titullarëve. Mendoj Strakosha në portë. Nga e djathta Balliu, në qendër Gjimshiti me Kumbullën dhe nga e majta Hysaj. Në mesfushë: Përpara mbrojtjes Mitaj, qendër e djathtë Bajrami, qendër e majtë Asllani dhe pak më përpara lojtarët sulmues.

Nga e majta Muçi, në qendër Broja dhe në krahun e djathtë Uzuni, i cili vërtet nuk e ka pozicion që po luan tani, por është një pozicion që ai di ta bëjë shumë mirë dhe për ato që na kërkohen ne, që duhet të mbrojmë. Mendoj se Broja është një garanci dhe lojtari mbi të cilin duhet të ndërtohet skuadra jonë. Ky është projeksioni im dhe mendimi im personal duke thënë se këta janë lojtarët më të mirë që Shqipëria ka.

Nga një 4-2-3-1, trajneri luajti me një 4-3-3 këtë herë. Si ju duk ndryshimi i modulit dhe spostimi i Bajramit në krah?

Spostimi në krahun e majtë nuk është një opsion. Ai e futi atje sepse Bajrami është një lojtar i shpejtë dhe luan mirë me topin, futet nga brenda dhe godet portën, por funksioni i tij është mbrapa sulmuesit, ose mesfushor i avancuar, qendër e majtë ose qendër e djathtë, pozicion që mund t’i marrim më të mirën sepse atje në krah humbet pak. Ne nuk është se nuk kemi lojtar në atë krah, kjo ishte si sajesë më tepër ose një axhustim sepse ishte edhe detyrë e Bajramit dhe Asanit që të luanin pak më brenda dhe jo shumë të hapur në krah. Mendoj se nuk funksionoi dhe do të funksionojë në vazhdim dhe e shikoj se trajneri vështirë se mund ta propozojë këtë pozicion të Bajramit.

Italia, Spanja, Kroaci, si dhe me çfarë objektivi duhet të shkojë Shqipëria në Europian?

Shqipëria duhet të shkojë me objektiva minimalë e duke bërë detyrat e shtëpisë dhe në mënyrë që objektivat të rriten në vazhdim. Ne nuk duhet të shkojmë atje me pritshmëri, sepse është krijuar një pritshmëri shumë e lartë e publikut, por mesa mu duk mua edhe lojtarëve dhe stafit vetë. Është një pritshmëri e pajustifikuar, ne duhet të kuptojmë që rastësisht ishim në vendin e parë të grupit në kualifikuese sepse nuk jemi skuadra më e mirë e atij grupi, por ishim skuadra që bëmë më mirë gjatë kualifikueseve.

Ne nuk jemi skuadër më e mirë se Çekia dhe Polonia, por bëmë më mirë sesa ata. Atëherë këtë duhet të kuptojmë që ne bëmë maksimumin tonë, 120, 130 për qind gjatë kualifikueseve dhe Çekia dhe Polonia nuk ishin as në gjysmën e kapacitetit të tyre. Nëse kemi parasysh këtë premisë që nisën ky diskutim, ne mund të bëjmë sërish mirë edhe në Europian.

Sepse kjo nuk është thjesht e thënë kështu, por mesa po shikoj ne po hyjmë nëpër ndeshje me mentalitetin se ne jemi skuadër europiane dhe skuadra e parë e grupit dhe i impostojmë dhe interpretojmë ndeshjet gabim, por flas të paktën për këto dy ndeshjet e fundit me Kilin dhe Suedinë.

Nëse luajmë me atë mentalitet që luajtëm gjatë kualifikueseve edhe në Europian, pa ndryshuar asgjë nga ato, mund të bëjmë mirë. Italia, Spanja dhe Kroacia janë tri skuadra të ndryshme. Italia, në opinionin tim nuk është një skuadër aq e fortë sa kuotohet, por mbetet Itali. Unë shpresoj shumë që ne të justifikojmë këtë pjesëmarrje në Europian, të bëjmë performancë shumë të lartë në të trija ndeshjet, për mua pak rëndësi ka rezultati, por më shumë rëndësi ka performancë në këto ndeshje, mënyra sesi do t’i interpretojmë.

KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL

FOTO/ Muçi përkrah Brojës dhe Mitaj mesfushor, ja si duhet të rreshtohet Shqipëria në Europian sipas Redi Jupit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"