EKSKLUZIVE/ “Mezi presim ndeshjen me Teutën”, lojtari i Partizanit bëhet gati për festën: Të ngremë trofeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 26, 2023 | 9:25

EKSKLUZIVE/ “Mezi presim ndeshjen me Teutën”, lojtari i Partizanit bëhet gati për festën: Të ngremë trofeun

Arinaldo Rrapaj ishte ndër më të mirët në fushë, sidomos për golin, që i hapi rrugën përmbysjes ndaj Kastriotit. Ekskluzivisht për “Panorama Sport”, pas ndeshjes, ai pohon se shpreson ta bëjë sërish edhe në sfidën e fundit dhe t’i japë titullin Partizanit.

RRAPAJ

“Jam shumë i gëzuar që ndihmova përsëri ekipin me gol, por më tepër për fitoren, sepse ishte shumë e rëndësishme. Tani të presim edhe ndeshjen e fundit dhe me kismet ta fitojmë… Është hera e dytë radhazi që po shënoj dhe shpresoj ta bëj edhe në ndeshjen e fundit dhe ta ndihmoj ekipin të marrë trofeun”, u shpreh fillimisht Rrapaj.

NDALESA E TIRANËS- Vlonjati pohon se për asnjë moment nuk i humbi besimi se Tirana do të ndalej. Tani janë në pritje të sfidës me Teutën për të marrë në fund edhe trofeun.

“Besimin e kishim që Bylisi mund ta ndalonte Tiranën, shyqyr Zotit ndodhi dhe jemi shumë të lumtur. Një vesh e kishim edhe në Rrogozhinë dhe u gëzuam kur u mbyll 2 me 2. Dëshirën e kemi dhe mezi e presim atë ndeshje për të ngritur Kupën. Besimin e kemi pasur gjithmonë, edhe pse kemi gabuar në disa ndeshje, ku kemi lënë pikë dhe jemi përpjekur të gjithë të marrim maksimumin dhe ndeshje pas ndeshjeje”, u shpreh në prononcimin e tij për gazetën Arinaldo Rrapaj.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"