EKSKLUZIVE/ “Menaxheri më ngatërroi me FSHF-në, Juvja pagoi 1.8 mln euro për mua”, rrëfehet Kabashi: Më mashtruan, jam gati për Shqipërinë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2022 | 22:31

EKSKLUZIVE/ “Menaxheri më ngatërroi me FSHF-në, Juvja pagoi 1.8 mln euro për mua”, rrëfehet Kabashi: Më mashtruan, jam gati për Shqipërinë!

Elvis Kabashi ishte vetëm 19 vjeç kur emri i tij bëri bujë në vitin 2013, pasi FSHF-ja publikoi një letër, ku i riu kërkonte të mos thirrej më nga Kombëtarja shqiptare (në atë kohë ishte pjesë e U-19), sepse dëshironte të përfaqësohej me Italinë në të ardhmen. Mirëpo, 9 vite më pas nga kjo histori, Kabashi që sot luan në Serinë B me Komon dhe nuk është më nën kontratë me Juventusin, ka rrëfyer ekskluzivisht për “Panorama Sport” atë që sipas tij është e vërteta. Në intervistën për gazetën, mesfushori 28-vjeçar tregon me detaje se si menaxheri italian, Davide Torkia, i ka prishur punë në raportin me FSHF-në. Kabashi zbulon se trajneri i Kombëtares, Edi Reja, e ndjekur kohët e fundit, ndërsa tashmë ëndërron një ftesë nga Shqipëria.

ELVIS KABASHI

Elvis, si po shkon karriera juaj te Komo. Jeni i kënaqur me atë që po bëni?

Ndihem shumë mirë. Jam në një skuadër si Komo, që kishte synim të mbijetonte në Serinë B këtë sezon dhe ia kemi arritur qëllimit. Ky është sezoni im i parë te Komo dhe sigurisht më është dashur kohë për t’u përshtatur. Jam nën kontratë edhe për tri vite të tjera dhe deri më tani jam shumë i kënaqur. Seria B është e rëndësishme në Itali, pasi ka ekipe të forta dhe me emër. Luajnë shumë lojtarë që kanë qenë në Serinë A dhe kjo e ka rritur cilësinë.

Jeni 28 vjeç dhe në kulmin e karrierës, deri ku mund të shkoni?

Unë sigurisht që shpresoj gjithmonë të shkoj sa më lart. Vij pas dy sezoneve të mira me AC Renate në Serinë C dhe tashmë jam në Serinë B. Tani që luaj te Komo shpresoj që të vazhdoj ngjitjen. Së pari, të aktivizohem sa më shumë dhe ëndrra ime është të kap një ekip të madh. Jam më i pjekur tashmë dhe i kuptoj gjërat më mirë. Nuk mund t’i bëj më gabimet e së shkuarës, duke filluar me menaxherët.

Cili ka qenë momenti që edhe sot e kësaj dite jeni penduar për zgjedhjen që keni bërë sa u përket klubeve që keni luajtur?

Të gjitha zgjedhjet që kam bërë në karrierë, qoftë ato që kanë rezultuar pozitive dhe negative, më kanë ndihmuar të jem ky që jam sot. Normalisht karriera e një lojtari nuk shkon në mënyrë konstante gjithnjë, pasi ka edhe momente të vështira. Jam shumë i kënaqur për atë që kam bërë, por kam ende për të dhënë në futboll.

Fakti që keni qenë nën kontratë me një klub të madh si Juventusi, ju vjen pak keq që nuk e keni shfrytëzuar më mirë atë periudhë?

Të jesh nën kontratë me Juventusin është diçka e madhe, por çdo vit klubi të dërgon në huazim dhe ky është një problem. Pra, edhe je, edhe nuk je i Juventusit. Ky klub ka me qindra lojtarë në huazim dhe një prej tyre kam qenë unë, por fakti që nuk je aty ku ke firmosur, nuk të bën të ndihesh si pjesë e ekipit, edhe pse kontrata ishte OK.

Ish-mesfushori i Juves, Klaudio Markizio, ka bërë shumë elozhe për cilësitë tuaja, duke ju konsideruar edhe si pasardhësin e tij…

Me të gjithë lojtarët që kanë qenë te Juventusi në sezonin 2012-2013 jam në kontakte. Kur arrin te Juvja është gjë e madhe, por kur nuk luan, sigurisht që zbehet gjithçka. Jam stërvitur me ekipin e parë të Juves dhe jam grumbulluar nga trajneri Konte në ndeshjet zyrtare ndaj Udinezes dhe Lacios. Mendoj që huazimi çdo vit dhe mungesa e stabilitetit në një ekip, nuk ka qenë diçka e mirë për mua.

Keni luajtur në shumë skuadra italiane, por keni qenë edhe në Holandë te Den Bosh apo Rumani me Dinamon e Bukureshtit. Cila ka qenë periudha më e bukur për ju?

Futbolli ka shumë të papritura dhe qindra momente kur mund të ndihesh shumë lart, por mund ta shikosh veten edhe shumë poshtë. Një nga momentet më të bukura që nuk do ta harroj është grumbullimi që më bëri trajneri Konte me Juventusin për ndeshjen ndaj Udinezes në vitin 2013.

Është folur shumë për refuzimin që i keni bërë Kombëtares shqiptare, me synimin për të shkuar tek Italia. A mund të na thoni si është e vërteta e kësaj historie?

Shikoni, çdo njeri ka të drejtën të flasë dhe të japë mendimin e tij për çështje të caktuara, por kjo është një histori që më mirë se unë, nuk e di askush. Kam lexuar gënjeshtra nga më të ndryshmet në këto tetë vite, por nuk kam reaguar. Më ka prishur shumë punë menaxheri që kam pasur dhe jam lidhur me avokatë për të zgjidhur çështjet që kam lënë pezull. Historia me Kombëtaren nis në vitin 2013 kur kam qenë pjesë e ekipit të parë të Juventusit. Më parë, në vitin 2012, unë isha grumbulluar nga U-19 me trajner Foto Strakoshën. Jam aktivizuar në ndeshjet eliminatore ndaj Belgjikës dhe Italisë në Shqipëri, ku shënova edhe dy gola. Në atë kohë lindën problemet, pasi unë pata konflikt me menaxherin që kam pasur, Davide Torkia. Këto janë fakte dhe e tregojnë vetë letrat zyrtare.

Cili ishte konflikti dhe çfarë lidhjeje kishte këtu Shqipëria?

Ish-menaxheri bëri një letër pa miratimin tim në atë kohë dhe ia dërgoi Federatës, sikur unë nuk doja të shkoja më me Kombëtaren e Shqipërisë, por të qëndroja me Juventusin në Itali. Mirëpo, kjo letër u interpretua sikur unë kisha refuzuar vendin tim dhe doja të shkoja me Italinë, në një kohë që unë kisha pranuar çdo ftesë të Kombëtares U-19 të Shqipërisë. Si mund të refuzoja unë Shqipërinë, në një kohë që kisha ardhur të luaja me fanellën e vendit tim që me të rinjtë?! Nëse unë nuk doja të vija, atëherë mund të mos isha në eliminatoret e Europianit të U-19, kur më grumbulloi Strakosha. Kujtoj që pas ndeshjeve që kemi bërë në Vlorë, kam dalë në intervistë për mediat shqiptare dhe kam thënë: “Unë jam krenar që jam shqiptar”. Këtë nuk ma mohon dot asnjë, sepse e kam gjakun shqiptar. Vërtet jam rritur në Itali, por unë jam shqiptar. Pse duhet të refuzoja unë Shqipërinë, ishte absurde! Në këtë mes ka ndodhur një keqinterpretim i madh, që më pas u bë shkas për të më etiketuar sikur kam refuzuar.

Pse menaxheri dërgoi atë letër në FSHF, duke përmendur edhe klubin e Juventusit?

Kjo është më e keqja, që çdo gjë u bë pa dijeninë time dhe në emrin tim është dërguar letër sikur unë nuk doja të vija më me Shqipërinë. Nuk kam refuzuar asnjë ftesë, por opinioni më prishi punë për të kapur Kombëtaren e madhe dhe për këtë më vjen shumë keq. Më mbyllën derën dhe i mirëkuptova, duke u thënë se kanë të drejtë, pas gjithë këtij keqkuptimi të madh. Por, gjërat nuk kanë qenë ashtu siç u përfolën.

Në gjithë këto vite keni kontaktuar me FSHF-në për të sqaruar situatën dhe t’ju jepet një shans tjetër për Kombëtaren?

Në sezonin e kaluar, kur kam qenë pjesë e klubit të Renates në Serinë C, bëra një kampionat shumë të mirë, duke shënuar edhe nëntë gola. Ish-trajneri im, Aimo Diana, ka folur me Edi Rejën për mua, por gjithashtu më pas edhe agjenti im ka biseduar me trajnerin e Shqipërisë. Di që Reja më ka ndjekur kohët e fundit. Në verën e vitit të kaluar kam qenë me pushime në Durrës dhe jam takuar me Alban Bushin dhe Redi Jupin. Jemi ulur, kemi biseduar për futbollin, por asgjë më tepër. Kam respekt për të dy.

Ju kanë prekur etiketimet “tradhtar”?

E gjithë historia ime është keqpërdorur. Çfarë nuk kanë thënë për mua, por nuk më intereson, sepse të vërtetën e di vetëm unë dhe askush tjetër. Nuk jam as tradhtar dhe as mendjemadh. Kur kam qenë te Juventusi, kam luajtur me Shqipërinë U-19. E di se cila është e drejta dhe për këtë çështje jam shumë i qetë. Komentet që bëhen kanë qenë jo serioze. Kontrata ime me Juventusin ka mbaruar që në vitin 2017. Unë nuk jam askushi për të menduar kaq gjatë komentet kundër meje. Nëse do të mendoheshin kaq shumë Mesi apo Ronaldo për reagimet që kanë njerëzit, atëherë me siguri do ta kishin lënë që nesër futbollin.

Thatë që menaxheri ju ka bërë letrën pa miratimin tuaj, e keni paditur për këtë?

Kur je i vogël shumë gjëra nuk i di dhe në atë kohë edhe familja ime nuk ka qenë aq brenda futbollit. Kur isha 18 vjeç dhe kalova nga Empoli te Juventusi, transferimi shkoi 1.8 milionë euro. Të gjitha paratë e transfertës i morën Empoli dhe menaxheri që kam pasur, duke ndarë të dy pjesën. Mua nuk më futën në pjesë fare. Është histori e njëjtë me atë që i ka ndodhur De Vrajit kur erdhi tek Interi. Edhe mua ma bënë kontratën siç deshën. Jam interesuar, por lekët shkojnë e vijnë. Rëndësi kishte që menaxheri duhet të më mbronte mua si lojtar, jo të më bënte këto poshtërsira, duke marrë lekë me gjakun tim. Këtë e kuptova pas 2-3 viteve. Firmosa me Juventusin për 5 vite në atë periudhë.

Thatë që Reja ju ka ndjekur. E prisni një ftesë në muajt e ardhshëm apo e keni humbur shpresën?

Sigurisht që jam gati. Unë stërvitem dhe normalisht që e ëndërroj të luaj me Kombëtaren e vendit tim. Kur më tha ish-trajneri im, Diana, që ka folur me Rejën, m’u bë zemra mal. Menjëherë kam telefonuar babain dhe emocionet kanë qenë të mëdha.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"