EKSKLUZIVE/ “Më ka vdekur djali”, klubi i Kategorisë së Parë largon portierin ganez pasi sajoi fatkeqësinë familjare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2023 | 21:21

EKSKLUZIVE/ “Më ka vdekur djali”, klubi i Kategorisë së Parë largon portierin ganez pasi sajoi fatkeqësinë familjare

Klubi i Tomorit ka vendosur të largojë nga skuadra portierin 21-vjeçar nga Gana, Klement Boje, pas mungesës së pajustifikueshme në seancat stërvitore. Por, për të shkuar deri te ky vendim, historia me Bojen është tronditëse dhe këtë e tregon ekskluzivisht për “Panorama Sport” trajneri i Tomorit, Klodian Arbëri. Portieri është vënë në qendër të një skandali, duke sajuar një fatkeqësi familjare.

boje

“Kam qenë në merak për vonesën e Bojes, pasi e kisha të nevojshme prezencën e portierit titullar që ditën e parë të nisjes së përgatitje. Mirëpo, kur e telefonova, e pyes përse po vonohej kaq shumë për të ardhur në Berat dhe për t’iu bashkuar ekipit. Nga ana tjetër, Boje m’u përgjigj duke qarë: ‘Më ka ndodhur një fatkeqësi familjare. Më ka vdekur djali dhe për këtë arsye do të vonohem disa ditë’.

Ngriva dhe i përlotur e ngushëllova. Mirëpo, nuk e besoja që portieri im aktronte më mirë se një aktor profesionist. Vetëm 24 orë më pas, një miku im më telefonon dhe më thotë, se Boje ishte duke negociuar me ekipe të tjera në Shqipëri.

Me të drejtë u ndjeva shumë keq, pasi e kemi respektuar maksimalisht dhe nuk dua që futbollistët të sillen si palaço cirku apo aktor filmash. Futbollistë të tillë nuk kanë vend në skuadrën time. Në rast se Boje do të kërkojë të rikthehet te Tomori, duhet të dalë para skuadrës dhe të kërkojë ndjesë publike për këtë histori që sajoi”, ka rrëfyer për gazetën numri një i pankinës beratase.

AFRIME NË MBROJTJE

Pas portierit Mikel Kaloshi, mesfushorit Erald Hyseni dhe sulmuesit Brunild Pepa, dje Tomori ka vijuar me përforcime.

Qendërmbrojtësi 27-vjeçar, Mario Teqja, vjen pas eksperiencave tek Erzeni, Egnatia, Luzi dhe gjithashtu Vushtrria në Kosovë.

Nga ana tjetër, 22-vjeçari vlonjat Lejdi Gjoka është një mbrojtës i majtë që ka luajtur së fundmi me Orikun dhe Labërinë.

Afrimi tjetër është lushnjari Gerist Malko, i cili gjithashtu vjen pas aktivizimit me Labërinë dhe Orikun.

23-vjeçari është mbrojtës i djathtë dhe shton rivalitetin në repartin e prapavijës te beratasit, teksa këtë rol e ka bërë Kasmollari më parë. Ndërkohë, kontratën me Tomorin e ka rinovuar dje sulmuesi Adetola Laval, i cili do të jetë edhe një vit pjesë e beratasve.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"