EKSKLUZIVE/ “Magani nuk lëviz”, Bizhdili zbulon planin: Kavaja meriton më shumë se një stadium si i Egnatias, presim OK nga qeveria

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 28, 2022 | 18:39

EKSKLUZIVE/ “Magani nuk lëviz”, Bizhdili zbulon planin: Kavaja meriton më shumë se një stadium si i Egnatias, presim OK nga qeveria

Nexhat Bizhdili “skanon” Besën. Kur po i vjen fundi vitit 2022, presidenti analizon me detaje gjithçka është lënë pas. Nuk është totalisht i kënaqur me atë çka skuadra ka dhënë në fushë dhe “defektin” e sheh te mungesa e përvojës. Paralajmëron afrime në janar, por edhe largime. Shuan çdo lloj dileme edhe për të ardhmen e Gugash Maganit, i cili është lakuar si kandidat në Lushnjë. Gjatë intervistës së dhënë enkas për “Panorama Sport”, numri një i klubit të verdhezinjve ndalet edhe te historia e stadiumit dhe premtimet “boshe” që i kanë përndjekur për sezone me radhë…

bizhdili magani

Viti po shkon drejt fundit, por stërvitjet e Besës kur do të mbyllen?
Nesër (sot) do të jetë seanca e fundit stërvitore për 2022- shin. Pas saj do të ulemi në një drekë me stafin dhe futbollistët për t’u ndarë për këtë vit, e rikthyer së bashku më 5 janar.

Si do t’i vlerësonit paraqitjen dhe rezultatet në pjesën e parë të këtij sezoni?
Do ta them direkt se jam pjesërisht i kënaqur. Kur them pjesërisht kam parasysh vetëm rezultatet dhe jo lojën. E them këtë pasi është e pafalshme të marrim ato barazime në fushën tonë me rivalë poshtë nesh. Them teknikisht barazimet, pasi loja vërtet ka qenë e mirë me dhjetëra raste, por mendoj se na ka kushtëzuar shumë mungesa e përvojës dhe mosha shumë e re e lojtarëve. Nuk mjafton vetëm dëshira, lufta, sakrifica të cilën ata e kanë shfaqur, por nuk thuhet kot se më mirë lojë e keqe e fitore sesa lojë shumë e mirë dhe humbje. Besa ka preferuar lojën para rezultateve e këtu ka meritë padyshim stafi teknik me Maganin në krye.

Meqë përmendët Maganin. E dini se ka një dëshirë të Lushnjës për ta marrë ata në krye të stolit?
E kam lexuar te “Panorama Sport” dhe është e vërtetë që ndoshta Lushnja çmon një trajner si Magani, të cilin mendoj shumë klube në Superiore apo Kategorinë e Parë do ta donin në klubet e tyre. Po unë ju siguroj se të paktën deri në muajin maj, ai do ta mbyllë këtë kampionat në krye të Besës, pastaj do të flasim.

Ndërkohë, Magani hapur ka kërkuar të ketë afrime të tjera cilësore në ekip. Do t’ia plotësoni?
Çdo trajner dëshiron të ketë grup sa më cilësor e në këtë drejtim duke njohur grintën dhe karizmën e Maganit, ai ka plotësisht të drejtë. Prandaj jemi në bisedime dhe do të afrojmë disa lojtarë cilësorë në të tri repartet në janar. Mund të ketë edhe ndonjë largim, qoftë si dëshirë e ndonjë lojtari apo për mungesë gjetje hapësirash në fushë gjatë këtyre javëve të 2022-shit.

Ndërkohë që çështja e stadiumit “Besa” u shndërrua në një “telenovelë turke” premto e premto dhe asgjë deri më sot. Ka ndonjë zhvillim?
Keni të drejtë. Duke qenë se bëhet fjalë për një investim kaq të madh dhe bashkia nuk ka aq fonde, kemi qenë të gjithë në pritje të një ndihme apo vendimi nga qeveria. Siç ka bërë kudo.. Dua t’u sqaroj se në këto momente që flasim, ne i kemi fondet për të bërë rikonstruksion total, ose më qartë një stadium si ai i Egnatias mund ta nisim në janar e mbarojmë bie fjala në prill-maj. Po një qytet si Kavaja meriton një stadium të ri dhe ne këtë kemi preferuar e po presim vetëm OK-in e qeverisë. Vetëm një stadium i ri mund t’i shkonte për shtat Kavajës, kontributit të saj në histori, por edhe tifozëve të saj të rrallë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"