EKSKLUZIVE/ “Lushnja nuk fitoi profesionalisht”, shpërthen Artan Bano: Arbitra karnavale! Është vështirë të luash futboll kur ndeshjet komandohen nga…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2021 | 11:03

EKSKLUZIVE/ “Lushnja nuk fitoi profesionalisht”, shpërthen Artan Bano: Arbitra karnavale! Është vështirë të luash futboll kur ndeshjet komandohen nga…

Artan Bano “shfryn” ndaj gjykimit. Humbja në Lushnjë nuk i ka lënë shije të mirë trajnerit të Butrintit. Fitoren e kundërshtarit nuk e quan aspak profesionale dhe çuditet që në 2021-shin janë arbitrat ata që komandojnë ndeshjet.

bano

Në një intervistë të dhënë enkas për gazetën “Panorama Sport”, lushnjari foli me rezerva për atë ndeshje, aq sa treshen e quaji edhe “karnavale”. U ndal gjerësisht te skuadra e tij, duke bërë një analizë të detajuar të asaj që shkon dhe nuk shkon në këto 360 minuta lojë.

Dolët të mundur nga “Roza Haxhiu”, çfarë mund të veçoni nga ndeshja me Lushnjën?

Jam i kënaqur me pjesën e dytë, edhe pse kjo ndeshje nuk u fitua profesionalisht nga kundërshtari. Me këta arbitra, që janë karnavale, është e vështirë të luash futboll. Butrinti nuk e meriton të gjykohet kështu.

Për çfarë e keni fjalën?

Pas pushimit ishim shkëlqyer, ndonëse kemi ende punë. Do të mundohemi të përmirësohemi në çdo ndeshje. Ne do ta shohim edhe këtë anën e jashtme, ndonëse është turp që në vitin 2021 ndeshjet komandohen nga kryesori dhe dy vijërojtësit. Është turp për futbollin shqiptar, që kjo treshe arbitron dhe sidomos në Kategorinë e Parë që është ligë profesioniste.

Skuadrës i mungon ritmi, ju si mendoni?

Patjetër, ekipi ka nevojë për ritëm. Nuk është 100% mirë fizikisht, duke pasur parasysh që e kemi filluar me vonesë stërvitjen, por po përmirësohemi nga dita në ditë. Nuk është se ishte ndeshje e nivelit të dobët nga ana jonë dhe u mundëm 0-1. Reaguam në pjesën e dytë dhe mua më vjen mirë që ndodhi kështu. Futbollistët po binden dalëngadalë që duhet të luajnë me shumë besim dhe me shumë profesionalizëm.

Cila është vështirësia që po has më shumë Butrinti?

Ne kemi ardhur nga një kategori më poshtë dhe ka pak vështirësi dhe sidomos në 6-7 ndeshjet e para. Unë e kam provuar edhe me Lushnjën këtë, kur u ngjitëm në Superiore. Asokohe kishim problem me anën psikologjike. Gjithsesi, ne do të punojmë në të gjitha drejtimet.

Më konkretisht…

Do të punojmë me anën psikologjike, me koordinimin e grupit të lojtarëve, me anën fizike. Kjo, për fatin e madh që këtë javë jemi pushim. Kështu që, kemi shumë gjëra për të rregulluar. Plus, që na pengon edhe fusha atje ku trajnohemi sepse është fushë sintetike. Kur vijmë në fushat me bar, duam 15 apo 20 minuta që ekipi të hyjë në ritmin e lojës dhe në ritmin e pasimit.

Përtej saktësisë në shtëpi, Butrintit po i mungojnë pikët jashtë. Ju vjen keq?

Janë futbollistë shumë të mirë e shumë cilësorë, por ka ardhur momenti që aftësitë individuale t’i fusin në shërbim të qëllimit apo në shërbim të fitores. Ka ardhur momenti që të tregojmë veten edhe në transfertë, pasi në shtëpi nuk diskutohet. Asgjë nuk na mungon dhe do të vijë momenti.

Patët tifozët në krah në “Roza Haxhiu”, madje ishte edhe vetë presidenti Gurma…

Ne po punojmë edhe me publikun e zjarrtë. Ndoshta është edhe më tepër emocional sesa ai i ekipeve të tjera. Ne jemi të gjithë bashkë. Kemi mbështetjen e presidentit Adrian Gurma. Kemi mbështetjen e stafit drejtues. Kanë edhe mbështetjen time personale që të gjithë futbollistët. Duke qenë të gjithë bashkë, ne do të mundohemi të bëjmë gjëra shumë të mira. Do të mundohemi të rritemi shumë profesionalisht.

Kampionati është ndalur, si do ta shfrytëzoni këtë pushim?

Do ta shfrytëzojmë që ekipi të rritet fizikisht, 5 deri në 10%. Duhet të harmonizojmë repartet, sidomos në fazën sulmuese. Jo se kemi mangësi, por ka një tkurrje të futbollistëve që akoma nuk po e kuptojnë, edhe në anën psikologjike. Në futboll duhet durim. Nuk është një punë që bëhet për pesë apo për 10 ditë.

Ne kemi përvoja. Ka ekipe shumë të mëdha dhe çedojnë. Ne nuk është se kemi çeduar. Por, pak me gjendjen fizike, pak me harmonizimin. Ka 10-12 futbollistë që kanë vetëm një muaj bashkë. Ekipi vjen pa asnjë ndeshje miqësore dhe është e vështirë. Sa të mësojnë lojën e njëri-tjetrit, karakteret, tipat, si e duan pasin e gjithë të tjerat.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"