EKSKLUZIVE/ Lushnja fundos Besën, shpërthen drejtori: Fitore për intrigantët, donin të largonin Maganin…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 22, 2024 | 15:42

EKSKLUZIVE/ Lushnja fundos Besën, shpërthen drejtori: Fitore për intrigantët, donin të largonin Maganin…

Në stadiumin “Roza Haxhiu”, Lushnja mundi Besën, 2-0. Kjo fitore erdhi nga stoli për skuadrën e Maganit. Orjel Murati kaloi në avantazh verdhejeshilët në minutën e 63- të, ndërsa në shtesë Serxhio Tabaku dyfishoi shifrat.

WhatsApp Image 2024-04-22 at 12.35.34 (1)

Lushnjarët fitojnë pas tre humbjeve radhazi dhe janë të vetëm në vendin e shtatë duke u larguar disi nga zona e rrezikut. Ndërsa Besa humbet pas katër fitoreve dhe zbret në vendin e dhjetë. Takimi nis në praninë e 1000 shikuesve, që janë entuziastë për skuadrën vendase. Emocioni i parë i sfidës vjen që në minutën e 5-të. Balla godet me kokë, por Alimuçaj devijon në korne. Lushnja përgjigjet në minutën e 11-të me Lëru, por Ahmetaj devijon topin.

Në të 19-ën, lushnjarët janë pranë golit, por Preknicaj me kokë afër portierit nuk realizon. Një minutë më vonë, topi i goditur nga Canka devijohet nga Abdulai. Në minutën e 31-të godet mjaft bukur kapiteni Nurja dhe devijon shkëlqyer portieri Alimuçaj. Pjesa e parë mbyllet në shifrat 0-0. Edhe me fillimin e pjesës së dytë loja vijon të jetë e bukur dhe e hapur. Në minutën e 61-të trajneri Magani kryen një zëvendësim të dyfishtë duke aktivizuar Olola dhe Murati. Në minutën e 64-t Lushnja gjen avantazhin, ku pas një krosimi nga e djathta, topin e rikthyer e godet Murati dhe 1- 0 për Lushnjën. Avantazhi u jep zemër lushnjarëve, që luajnë më mirë dhe administrojnë rezultatin. Në minutën e 81-të, Canka nuk përfiton nga gabimi i portierit mik. Në të 87-ën, Dabo pati një mundësi barazimi, por vetëm rrjetë e jashtme. Në minutën e 90-të largohet Lëru dhe në lojë Tabaku, i cili pas 4 minutash në zonën e Besës godet saktë dhe shënon. 2-0 për Lushnjën që rikthen entuziazmin, ndërsa te kavajasit nuk mungojnë protestat në drejtim të gjyqtarit.

SHPËRTHIMI I DREJTORIT Pas fitores me Besën, Mario Sula, drejtori sportiv i Lushnjës ka shpërthyer ndaj kritikëve të klubit. “Kjo fitore ishte për të gjithë intrigantët që nuk kanë pushuar së lehuri për një javë të tërë. Nuk e bëjnë për të mirën e Lushnjës, por duan të zënë një vend pune si servilë që janë. Ne si staf ia dedikojmë këtë fitore të gjithë atij grupimi që donin të hiqnin trajnerin Magani. Respekt maksimal për tifozët e Lushnjës që na mbështetën”, u shpreh Sula për “Panorama Sport”.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"