EKSKLUZIVE/ Lëvizje e papritur, mesfushori i Dinamos largohet nga klubi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 2, 2024 | 22:16

EKSKLUZIVE/ Lëvizje e papritur, mesfushori i Dinamos largohet nga klubi

Fatjon Andoni ka mbyllur bashkëpunimin me Dinamon, të paktën për këtë sezon.

Andoni

Një lëvizje e befasishme kjo ndarje e parakohshme mes palëve për shkak të problemeve familjare të lojtarit, sipas asaj që bëjnë me dije në klubin blu. Lojtari i ardhur 18 herë te kampionët e Shqipërisë verën e kaluar ka munguar në ndeshjet e fundit dhe tani mësohet se ai nuk do të jetë pjesë e skuadrës për pjesën e mbetur të sezonit. Sipas burimeve të gazetës pranë klubit kryeqytetas, është lënë i hapur rikthimi për sezonin e ardhshëm me mesfushorin e ardhur nga Greqia.

Andoni mungoi në derbin me Tiranën për arsye shëndetësore, konkretisht për një infeksion në sy. Para ndeshjes me Teutën trajneri Dritan Mehmeti bëri të ditur në konferencë shtypi se lojtari mungonte sërish për arsye shëndetësore dhe tani mësohet se Andoni nuk do të jetë më te blutë për arsye familjare. Gjatë këtij kampionati 32-vjeçari ka luajtur 18 ndeshje me fanellën e Dinamos, 14 nga të cilat si titullar dhe 4 të tjera si zëvendësues, ndërkohë që ka shënuar 2 gola ndaj Laçit dhe Tiranës.

Ka zëra edhe për një fërkim të mundshëm mes lojtarit dhe trajnerit, por tashmë është fakt që ai nuk është në skuadër. Andoni u afrua nga drejtuesit e Dinamos si një lojtar me peshë, falë eksperiencës së tij, por edhe duke menduar se ai ka karakteristikat e një lideri. Mesfushori ka bërë disa paraqitje të mira, por edhe ka munguar për shkak dëmtimi. Mbetet të shihet, nëse do të ketë një rikthim për sezonin e ri, apo ai i ka dhënë lamtumirën Dinamos.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"