EKSKLUZIVE/ “Ky kampionat polli një çudi”, ish-trajneri Sejdini: Dinamo pragmatiste, e kishte të sigurt rënien me… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2023 | 19:45

EKSKLUZIVE/ “Ky kampionat polli një çudi”, ish-trajneri Sejdini: Dinamo pragmatiste, e kishte të sigurt rënien me… (E PLOTË)

Për Dinamon mund të ketë ndonjë peng nga barazimi në derbin me Partizanin, si rasti i artë i humbur nga Denison në pjesën e dytë për shembull, por megjithatë është një rezultat i pranueshëm. Blutë patën momentet e tyre të mira, por edhe të kuqtë gjithashtu. Në tribunën e “Arenës së Demave” ishin të pranishëm disa nga figurat më të njohura dinamovite, mes tyre edhe ish-trajneri legjendar, Faruk Sejdini.

FARUK SEJDINI

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ai komenton ndeshjen e fundit, ndryshimin e Dinamos me Dritan Mehmetin në stol, por edhe këtë kampionat të çuditshëm. Për këtë të fundit, “Xhaxhi” ka shumë për të thënë, duke qenë kundër formulës. Sipas tij, skema aktuale i ka hequr meritat sportive dhe enigmën garës, duke zhvlerësuar punën.

Profesor, ju e ndoqët nga afër derbin me Partizanin. Çfarë mendimi keni për paraqitjen e Dinamos?

Po, e pashë nga afër ndeshjen dhe mund të them se skuadra ka filluar të përmirësohet, të rregullojë disa gjëra që me ardhjen e trajnerit Dritan Mehmeti. Nuk është se bën ndonjë lojë shumë të bukur, por është e rëndësishme që po merr rezultate këto javë. Dinamo ka nevojë për këtë lloj pragmatizmi në këtë moment, që të marrë sa më shumë pikë për të qenë në vendet e sipërme të tabelës. Këto gjëra u panë edhe në derbin me Partizanin, që është një kundërshtar i konsoliduar, një skuadër e fortë, pavarësisht mungesave që kishte.

Mund të merrte Dinamo më shumë se barazimi?

Mund të merrte, sepse ishin 2-3 mundësi për të shënuar. Denison është një lojtar që e njeh shumë mirë topin, një lojtar teknik. Nuk e di si e humbi atë rast, por janë situata që në futboll, ndodhin. Për mendimin tim, edhe barazimi është një rezultat i mirë, por tani të shohim si do shkojnë ndeshjet e tjera.

Skuadra sikur është stabilizuar në pjesën prapa, nuk pëson më gola si më parë. Ju si mendoni?

Po, skuadra është më e mbledhur dhe sigurisht që mbrohet më mirë. Mendoj që Dinamo tani po krijon grupin, e kam fjalën për grupin sportiv, pasi është një skuadër më e bashkuar. Mua, të them të drejtën, më pëlqeu zgjedhja që trajneri kishte bërë me Mijën në mesfushë për derbin me Partizanin. Ai është një lojtar i ri, ndoshta mund të bëjë ndonjë gabim në pasim, por është shumë strikt dhe konkret në detyrat që i cakton trajneri dhe në atë ndeshje e bëri mirë detyrën e tij. Pastaj është edhe portieri Sali, që bravo i qoftë, sepse e shpëtoi skuadrën në disa raste. Këtu trajneri Mehmeti ka edhe ndihmën e Ilir Bozhiqit, që ka përgjegjësinë të përgatisë portierët. Më vjen mirë që Dinamo nuk pëson më gola si në fazën e parë të kampionatit.

Mendoni se ka një ndryshim të dukshëm në krahasim me kohën e ish-trajnerit Di Biaxho, apo jo?

Sigurisht, me atë (Di Biaxhon) në krye e kishim të sigurt rënien nga kategoria. Nuk e di, por ishte një lloj papërgjeshmërie në skuadër me të, çdo lojtar luante për hesapin e vet, bënte çfarë donte. Ishte një gabim, që u korrigjua me vonesë, por e rëndësishme është që u korrigjua.

Profesor, si e gjykoni këtë kampionat pak të çuditshëm, ku një fitore të çon në katërshen e parë dhe një humbje të zbret në fund?

Ky kampionat është një shpikje absurde e jona. Ne bëmë një çudi, që polli një çudi dhe tani vazhdojmë t’i shërbejmë kësaj çudie. Është formula më pa sens në një kampionat futbolli zerimi i pikëve. Besoj se mund të jemi rast unik në botën e futbollit, sepse ka formula të ngjashme, por deri në përgjysmim pikësh. Por prisni, sepse do të shihni të tjera çudira, nuk ka ardhur akoma ajo pjesa më e madhe e çudisë së këtij lloj kampionati.

Pse, çfarë mund të ndodhë?

Kjo formulë është e tillë, që të heq meritën sportive, nuk të njeh punën që t’i bën çdo ditë. Nuk ka mundësi të ndodhë kështu, në asnjë fushë të jetës, jo vetëm në sport. Unë çuditem që kritikojnë Tiranën, kur ajo është në katërshen e parë, sepse tani mjafton të jesh në katërshen e parë në fund, para se të luhen ndeshjet mes katër të parave. Kjo formulë fshin çdo lloj enigme të këtij sporti të bukur, fshin befasinë e garës, prandaj dhe po shikojmë stadiume të boshatisura. Tifozi në stadium vjen nga djersa e lojtarit, që të shohë impenjimin maksimal të tij dhe gjithë skuadrës. Tifozi nuk bën llogari. Edhe lojtarit nuk ke çfarë i thua në të tilla kushte, kur nuk fiton. Sepse të thotë: “Do titullin kampion? Në fund e shohim këtë punë”. Vendi i parë nuk përfiton asgjë në fund të kampionatit të rregullt, nuk ka asnjë favor. Absurditet.

 

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"