EKSKLUZIVE/ “Kundër Partizanit ishte përgjegjësia e imja”, Gvozdenoviç: Sezon pozitiv, Skënderbeu e mbyll me prestigj! Ju tregoj ndeshjet më të vështira (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2024 | 23:15

EKSKLUZIVE/ “Kundër Partizanit ishte përgjegjësia e imja”, Gvozdenoviç: Sezon pozitiv, Skënderbeu e mbyll me prestigj! Ju tregoj ndeshjet më të vështira (E PLOTË)

Në fund të një sezoni, gjithmonë është koha për bilanc dhe për më tepër kur sezoni është i suksesshëm. I tillë është rasti i Skënderbeut, një ekip që është rikthyer këtë sezon nga një kategori inferiore në elitë dhe ka shkuar përtej pritshmërive.

gvozdenovic

Por, në kampin korçar duket se kanë pengjet e veta sa i përket ndeshjes së fundit, ku Skënderbeu u mund nga Partizani në ndeshjen gjysmëfinale të fazës “Final Four”. Për trajnerin bardhekuq mbi të gjitha, por edhe për të gjithë klubin në tërësi, korçarët kishin mundësinë që të shprehnin më mirë vlerat e tyre në këtë ndeshje.

Në një rrëfim ekskluziv të dhënë për “Panorama Sport”, numri një i pankinës së Skënderbeut tregon se në ndeshjen e fundit skuadra kishte mundësi që të shprehej më mirë në këtë ndeshje që vlente më shumë sesa një arritje morale. Nga ana tjetër kryepankina korçare ka folur edhe për sezonin në tërësi duke e quajtur një sezon pozitiv që do të shërbejë si pikënisje për vitin e ardhshëm.

Ivan, nuk ia dolët dot përballë Partizanit. Besoj se jeni ende i mërzitur?

Padyshim që jam i mërzitur pasi duhet të kishim interpretuar shumë më ndryshe atë ndeshje që vlente më shumë se një takim prestigji për ne. Ishte një ndeshje që ne duhet të kishim bërë një qasje më të mirë dhe më dinjitoze, pa i hequr asnjë presje cilësisë dhe meritës së Partizanit që na dominoi tërësisht në atë takim. Këtë e them me bindje.

Por, kam ndjerë se ekipi im nuk kishte motivimin e duhur psikologjik dhe përgatitjen e duhur mentale për të hyrë në atë ndeshje dhe për këtë përgjegjësia është e imja. Hymë në atë ndeshje të pakarikuar dhe me euforinë që ne e kishim fituar kampionatin tonë.

Por, nuk duhet të ndodhte kështu. Duke e ditur atë çka ekipi im është i aftë të bëjë dhe vlerat e çdo lojtari mund të kishim zhvilluar një ndeshje krejtësisht tjetër. E përsëris, se përgjegjësia kryesore është e imja pasi ekipi nuk ishte psikologjikisht gati për këtë ndeshje. Por, nga ana tjetër pranoj që Partizani ka bërë një ndeshje perfekte duke treguar dëshirë për të kaluar më tej.

Pra, po thoni që Partizani meritoi gjithçka?

Sigurisht, meritoi gjithçka dhe i uroj shumë suksese në vazhdim. Ishte një ekip që përtej cilësive që ka që janë të padiskutueshme tregoi dëshirë dhe karakter për të shkuar në finale. Ishte ekipi më i mirë në fushë. Prandaj, e përgëzoj dhe i uroj suksese edhe në ndeshjen finale pasi me të vërtetë ka një skuadër të denjë për titull.

Pas këtij takimi, ndeshja kundër Vllaznisë do të jetë një takim sa për statistikë?

Absolutisht jo, ne do të jemi atje për të bërë ndeshjen tonë më të mirë dhe do të respektojmë deri në fund kampionatin. Nuk e shoh ndeshje statistike pasi më shumë vlen për ne sa i përket prestigjit. Jemi duke u përgatitur maksimalisht dhe do të hedhim në fushë formacionin tonë më të mirë. Do të tentojmë që të arrijmë në vendin e tretë në këtë kampionat prandaj do të tregojmë grintë dhe maksimumin tonë për këtë takim.

Si ka qenë për Skënderbeun ky sezon në vlerësimin e Ivan Gvozdenoviç?

Ka qenë një sezon i gjatë, i vështirë, por i suksesshëm dhe pozitiv. Të paktën ky është mendimi im. Ishim një ekip që vinim nga një kategori më poshtë dhe u ndërtuam si një skuadër me shumë element të rinj që besuam te ta.

Besimi jonë u shpërblye dhe sot kur bëjmë bilancet, e themi me bindje se kemi arritur të bëjmë zgjedhjet e duhura dhe të marrim më të mirën e mundshme nga i gjithë grupi. Askush nuk e mendonte që ne do të kishim këtë paraqitje, por na shihnin si ekip që do të luftonte për mbijetesë. Ne i kaluam pritshmëritë madje arritëm që të çonim edhe lojtarë në tregun e huaj siç ishte rasti i Frenklin. Këto të gjitha i japin notë pozitive sezonit tonë.

Nëse do t’i vendosnit një notë sezonit nga 1-shi te 10- ta, cila do të ishte ajo?

Unë nuk vendos nota, thjesht e quaj pozitive gjithçka që kemi bërë këtë sezon i gjithë klubi. Notat le të na i vendosin tifozët dhe opinioni sportiv.

Cila ka qenë ndeshja më e vështirë sipas jush për këtë sezon?

Mendoj se kanë qenë të gjitha shumë të vështira, por do të veçoja fitoren me Kukësin në një mot të pazakontë që ishte shumë përcaktuese për ecurinë tonë dhe tejet e vështirë. Po ashtu edhe ndeshjen me Laçin të barazuar me rezultatin 1-1.

Po ndeshja më e dobët?

Padyshim humbja në Durrës me rezultatin 3-0 kundër Teutës. Ishte një ndeshje ku ekipi ynë ka qenë tejet inekzistent dhe shumë i shpërqendruar në fushë.

Në sezonin e ardhshëm çfarë duhet të presim nga Skënderbeu?

Është ende herët për të folur, por kjo ecuri do të na ndihmojë shumë. Do të jemi një ekip më i pjekur dhe mbi të gjitha më me eksperiencë. Do të kemi më shumë siguri dhe besim te vetja. Prandaj presim që të rritemi për sezonin e ardhshëm dhe të shohim gjithmonë për objektiva më madhorë.

I keni bërë gati planet e merkatos?

Për momentin mund të them se jemi në pritje për të parë çfarë do të ndodhë me merkaton në dalje. Klubi është duke punuar mjaft mirë në menaxhimin e elementëve cilësorë që kemi në grup për të siguruar financa të shëndosha. Pasi të shohim se çfarë do të ndodhë në dalje, do të punojmë për të ndërtuar grupin. Por, jam i bindur se do të ndërtojmë një ekip të fortë dhe shumë cilësor.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"