EKSKLUZIVE/ Kuli: Egnatia ekipi për t’u mundur, të përqendrohet vetëm te një trofe (E plotë)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2024 | 20:30

EKSKLUZIVE/ Kuli: Egnatia ekipi për t’u mundur, të përqendrohet vetëm te një trofe (E plotë)

Egnatia ka vijuar ditën e djeshme fazën e përgatitjeve intensive për duelin me Partizanin, të dielën në orën 15:00.

bekim kuli

Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, Bekim Kuli, i cili ka provuar të luajë me Egnatian dhe Partizanin, shprehet se ky duel luhet për prestigj, ku të ekipet kërkojnë të tregojnë forcën.

Kuli, si e parashikoni këtë sfidë mes Partizanit dhe Egnatias?

Do të jetë një ndeshje e zjarrtë, ku të dy ekipet do të mundohen ta fitojnë ndeshjen për të treguar forcën e tyre në këtë fund sezoni. Edhe pse fati i kampionatit nuk vendoset brenda 36 javëve, dueli Egnatia-Partizani luhet edhe për prestigj. Rrogozhinasit duan të ruajnë vendin e parë, që e kanë mbajtur prej fillimit të sezonit, ndërsa të kuqtë synojnë ta mbyllin në krye, si kampionët në fuqi.

A është ekipi i Tetovës i denjë për të synuar titullin kampion?

Absolutisht që po. Për atë që ka treguar deri tani, në gjykimin tim Egnatia është ekipi për tu mundur, pasi ka shpalosur në fushën e lojës edhe supermaci. Në fund sigurisht që nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi përballë do të luajë me ekipe me traditë, që dinë më mirë sesi mbërrihet te trofeu. Ekipi i Edlir Tetovës duhet të shfrytëzojë mundësitë që do t’i jepen për të përfituar nga elementet që ka në organikën e skuadrës.

A do ta përsërisin suksesin e vitit të shkuar rrogozhinasit në Kupë?

Unë gjykoj që Egnatia të fokusohet në një objektiv, pasi në fund lodhja do të bëjë të vetën dhe mund të rrezikohet gjithçka. Nëse rrethanat i japin shansin që të tentojë edhe Kupën, nuk është asnjëherë keq. Por kam frikë se do të përfundojë si Tirana sezonin e shkuar, që i tentoi të dy trofetë dhe në fund nuk mori asgjë. Është momenti për të përcaktuar objektivat qartësisht, pasi gabimet në këtë moment janë të parikuperueshëm. Për t’u rikthyer te Kupa, besoj se ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt finales, por Vllaznia do ta thotë fjalën e fundit në fushën e saj. Gjithçka është e hapur dhe duhet kujdes dhe përqendrim maksimal.

Sa do të ndikojë tek Egnatia që ndeshjet e “Final 4” do të luhen në “Air Albania”?

Mendoj se do të ndikojë disi, pasi favorizohen ekipet e kryeqytetit, që dukshëm do të kenë më shumë tifozë në shkallët e stadiumit. Në krahun tjetër, ekipi rrogozhinas ka treguar se në transfertë është më produktiv, referuar rezultateve që ka arritur në 2 vitet e fundit. Mendoj që eksperienca e Sherrit, Ndrecës, Aleksit, Malotës si dhe cilësia e Fernandos, Zejnullait apo Fangajt janë garanci për kryesuesit e Superiores. Unë kam luajtur futboll për afro 20 vite dhe e di mirë që nëse përgatitesh si duhet, pak rëndësi ka ekipi dhe vendi ku luan.

Çfarë i sugjeroni ish-ekipit tuaj në këtë fazë të sezonit?

Ish-ekipit tim dhe trajnerit Tetova i sugjeroj të vijojë me lojërat e bukura, siç ka bërë deri tani. Le të punojë intensivisht për të injektuar te futbollistët dëshirën dhe grintën për të dhënë maksimumin në çdo duel. Mendoj se rrogozhinasit janë në rrugën e duhur thjeshtë duhet të besojnë te vetja për të konkretizuar më së miri investimet e klubit.

ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"