EKSKLUZIVE/ “Kujdes me Çekinë, ne gabojmë kur ndihemi të sigurt”! Mavraj: Shqipëria po rikthehet në skenë, Europiani… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2023 | 23:50

EKSKLUZIVE/ “Kujdes me Çekinë, ne gabojmë kur ndihemi të sigurt”! Mavraj: Shqipëria po rikthehet në skenë, Europiani… (E PLOTË)

Tre gola me ekipin kombëtar, njëri prej tyre në fitoren 2-1 me Armeninë në 2015-ën, ku Shqipëria shtroi rrugën për në Europianin e Francës. Si mbrojtës, Mërgim Mavraj ka dhënë një kontribut të madh për fanellën kuqezi, që në kohën kur debutoi gjatë një miqësoreje me Katarin në kohën e De Biazit, paraqitjet në “EURO 2016”, deri te ndeshja e fundit ndaj Francës në 2019-ën nën drejtimin e Edi Rejës, ku mbante edhe shiritin e kapitenit në krah. GFGH

Mavraj rikthehet të flasë ekskluzivisht për “Panorama Sport”, në lidhje me situatën aktuale në Kombëtare. Ndryshimet që ka bërë Silvinjo, mbrojtjen solide që është shfaqur deri tani, por edhe shanset për Europianin e vitit të ardhshëm.

E kishit menduar se Shqipëria do të renditej e para e grupit pas 5 ndeshjesh, duke lënë pas Çekinë dhe Poloninë?

Besoj se nga momenti që është ndarë shorti, ka qenë një pozitivitet për ne, edhe pse Çekia dhe Polonia kanë traditë në futboll, por më shumë në të kaluarën. Aktualisht nuk është se kanë diçka më shumë se ne, si nga cilësia e lojtarëve, grupi apo infrastruktura.

Nuk duhet të frikësohemi nga këto ekipe. Vendi i parë në grup është një moment shumë i bukur, por akoma nuk është aq domethënëse, duhet ta shijojmë, pasi është një arritje e madhe nga çunat dhe shpresoj që të përfundojmë aty. Në këtë fazë nuk mund të nxjerrim asgjë nga kjo.

Si ju janë dukur ndeshjet e fundit të Kombëtares, çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje?

E kam thënë që forca jonë është grupi, kjo u pa me Poloninë. Dëshira dhe vullneti për të fituar. Tifozët që na kanë mbështetur dhe kanë qenë lojtari i 12-të për ne. Të gjitha këto kanë qenë arma jonë dhe nëse na mungon njëra nga këto, do ta kemi problem për të arritur te fitorja. Kemi treguar më shumë se në të kaluarën dhe ky grup ka treguar se çdo gjë është e mundur. Për çdo gol që shënohet, ngrihet morali dhe kjo është ajo që na duhet.

Mavraj

Ju keni qenë pjesë e Shqipërisë në Europianin e 2016-ës, a mendoni se ky sukses do të përsëritet?

Mendoj se suksesi i Francës mund të përsëritet dhe jam i sigurt që do të përsëritet, jo vetëm tani, por edhe më vonë. Duhet të bëhet rrugë sepse jemi një shtet me futbollistë shumë të mirë dhe federata ka bërë një punë të mirë në këtë aspekt. Atëherë ka qenë hera e parë, por nuk dua t’i krahasoj arritjet, sepse çdo arritje ka atë ëmbëlsinë e vet dhe kënaqësinë e vet, kështu që na mbetet të themi: “Bravo çuna”.

Si një shtyllë e mbrojtjes për disa vite në Kombëtare, si ju duket reparti i mbrojtjes tani?

Jam disi alergjik nga këto krahasimet (qesh). Mbrojtja tani është shumë e organizuar. Shkollë italiane dhe kjo shërben shumë. E njohin shumë mirë njëri-tjetrin dhe në kombinim me Ramadanin dhe Gjasulën para tyre, është një mur i fortë. Por, besoj se mbrojtja fillon që nga sulmi. Në kohën tonë, mbrojtësit e parë kanë qenë Sadiku, Cikalleshi e Balaj.

Kështu që mbrojtja nuk formohet vetëm me katër, por në futbollin e sotëm, nis që nga sulmuesit. Mund të them se vullneti për të mbrojtur portën është ngritur pak, por të jemi realistë nuk është sfiduar me skuadrat që luajnë shumë ofensivë. Polonia nuk luan aq shumë në sulm, ndërsa Çekia nuk e di as vetë kush është. Por, mbrojtja e Kombëtares është e fortë për momentin.

Një ndryshim nga Reja, Silvinjo ka bërë edhe me Mario Mitajn, një mbrojtës i majtë i mirëfilltë dhe Hysaj ka kaluar djathtas…

Për Hysajn është më mirë normale sepse është në pozicionin e tij të preferuar. Një lojtar me shumë cilësi që luan në pozicionin e vet. Mario është duke luajtur shumë mirë dhe duke e kryer detyrën e vet. Është në një skuadër që po kalon një fazë të mirë dhe kjo ia bën edhe më të lehtë dhe i shërben atij. Mbetet për t’u parë në vazhdimësi, sepse, sipas mendimit tim, me 2-3 ndeshje është shumë e vështirë për të vlerësuar një lojtar. Është një katërshe që ka të ardhme, ndërkohë që kemi shumë alternativa, në qendër, si edhe në portë.

mAVRAJ66

Por, a e kemi luksin ne që të lëmë një lojtar si Ivan Balliu në stol?

Janë disa pozicione delikate, por Balliu është një opsion dhe e dinë të gjithë që ndeshjet fitohen edhe nga stoli. Unë që jam duke e parë nga jashtë, një lojtar e merr pak personale kur lihet në stol apo zëvendësohet, por në fakt për trajnerin është një situatë shumë e bukur dhe e mirë kur ka zgjedhje dhe mundësi për ndryshime. Koha e ndeshjeve është shumë e shkurtër dhe çdo lojtar ka mundësi për të treguar veten. Nuk është arsye për t’u dëshpëruar për asnjë. Edhe opinioni sportiv, mediat, duhet t’i marrin disi me sportivitet këto gjëra.

Janë edhe tri ndeshje të këtyre kualifikueseve, ku na duhen minimalisht 5 pikë, si i shihni këto përballje?

Nuk është fituar asgjë deri tani. Thjesht për momentin janë fituar zemrat e tifozëve sërish. Janë ngritur lart ngjyrat dhe flamujt. Jemi rikthyer në skenën e futbollit ndërkombëtar, pasi ishim disi të fshehur. Ndeshja në Moldavi është shumë e vështirë dhe sipas meje do të jetë vendimtare. Por, edhe ndeshja me Çekinë në Tiranë. Mos të bëhemi euforikë, sepse gabimet më të mëdha njeriu i bën kur ndihet i sigurt. Nuk jemi akoma të sigurt dhe janë disa ndeshje që duhet t’i bëjmë me sytë hapur dhe një fokusim maksimal, sikur jemi zero me zero me të gjithë nga pikët në renditje. Asgjë nuk është arritur ende. Janë dy ndeshje shumë të vështira përpara dhe duhet t’i marrim me shumë seriozitet.

MERGIM MAVRAJ

Ju jetoni në Gjermani, aty ku zhvillohet Europiani vitin e ardhshëm, keni një mesazh për ekipin kombëtar?

Ah, këto mesazhet! Edhe si lojtar mezi i kam pasur këto mesazhet (qesh). Mesazhin e kanë dhënë vetë lojtarët në fushë duke treguar cilësitë e tyre. Mesazhet tona kanë qenë atëherë kur kemi qenë në fushë. Tani kemi hapur krahun dhe na krenojnë të gjithë të tjerët që veshin këtë fanellë dhe besoj se motivimi maksimal për çdo lojtar është për t’u zbardhur fytyrën prindërve dhe të krenojë tifozët. Suksesi është në duart e Zotit, por edhe njerëzit që e bëjnë sebep. Mund të them që kemi një të ardhme të mirë dhe i pres në Gjermani.

KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"