EKSKLUZIVE/ “Krizën e kaluam”, kapiteni i Tiranës: Nuk e shohim Partizanin, qëllimi ynë është titulli! Nga Duamena kam ende pasoja (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 9, 2023 | 22:55

EKSKLUZIVE/ “Krizën e kaluam”, kapiteni i Tiranës: Nuk e shohim Partizanin, qëllimi ynë është titulli! Nga Duamena kam ende pasoja (E PLOTË)

Filip Najdovski është i qartë. Tirana ka kaluar një krizë si çdo skuadër në botë, por tani është radha që ta kalojë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, kapiteni i bardhebluve foli hapur për gjithçka. Pranoi se skuadra ka probleme në fazën mbrojtëse, tani është koha që Tirana të ndryshojë. Në fund, mbrojtësi analizoi edhe takimin me Skënderbeun.

najdovski

Filip, vjet ishit të parët. Si kapiteni i skuadrës, përse Tirana nuk është në vendin e parë këtë sezon?

Tirana nuk është në vendin e dëshiruar nga ne dhe ku duhet të jetë. Ky është fakt. Tirana konsiderohej si favorite absolut para fillimit të sezonit, me lojtarët e rinj që erdhën, por tani për tani jemi shumë larg ndeshjeve të dëshiruara dhe asaj se si duhet të duket skuadra jonë në kampionat dhe më gjerë.

Sipas jush cili është problemi i Tiranës që nuk po del në lojën dhe rezultatet që duan të gjithë dhe a është Tirana në krizë?

Nuk ka krizë vetëm te Tirana, është kudo në botë. Klube shumë më të mëdha nga Tirana, me buxhete shumë të mëdha, përballen me kriza në një periudhë të caktuar të kampionatit. Kur është një periudhe si kjo është normale që skuadra së pari të bjerë psikologjikisht, pa besim, por shpresoj që me një seri të mirë fitoresh skuadra të përmirësohet… dhe ne të jemi Tirana që tifozët tanë duan të shohin në fushën e lojës.

Keni fituar një takim dhe keni barazuar dy sfida. Në Korçë mund të kishit bërë më mirë?

Të them të drejtën, Korçën mund ta kishim lënë me 3 pikë, por mund të ktheheshim edhe pa 1-pikëshin e marrë. Unë mendoj se barazimi është rezultati më i vërtetë.

Në ecurinë e skuadrës, çfarë ka ndryshuar ndërrimi i trajnerëve apo mungesat e shumta që keni pasur?

Kur ka një periudhë të turbullt në ekip, çdo gjë mund të ndikojë në rezultatet e marra. Por ky ekip ka lojtarë me përvojë në përbërje. Ne jemi të gjithë profesionistë në çdo aspekt. Duhet dhe do të luftojmë kështu e të shohim vetëm përpara. Është futboll, ndodhin ndryshime çdo ditë.

Tifozët më fanatikë të skuadrës ju kanë shpallur lojtarin e muajit tetor. Një vlerësim për kapitenin?

Është një ndjenjë e mirë kur pavarësisht krizës në ekip dhe rezultateve të këqija të vlerësojnë. Tifozët shohin diçka pozitive dhe ju zgjedhin si lojtarin e muajit. Do të mundohem të jem aty çdo muaj, duke bërë më të mirën në fushën e lojës.

Filip, ju luani te Tirana prej sezonit 2020-2021. Këtë vit mbrojtja e Tiranës ka pasuar 17 gola. Çfarë mungon?

Mbrojtja nuk janë vetëm portieri dhe mbrojtësit. Mbrojtja është e gjithë ekipit. Këtë vit ne dështuam në këtë aspekt dhe shpresoj që nga ndeshja e radhës të jetë më mirë për të gjithë sezonin.

Ka nga ata që mendojnë se “Final 4” ka ndikuar në cilësitë dhe përqendrimin e skuadrës?

“Final 4” mendoj se ka një pjesë në të gjitha ekipet, jo vetëm për Tiranën. Secila skuadër ka mundësi për më shumë, por në fund kanë rëndësi vetëm 3 ndeshje.

Në sfidën me Egnatian keni pësuar një ndërhyrje nga Duamena. Një ndërhyrje e frikshme…

Kam pasur shumë fat në atë duel. Për fat të mirë nuk ka qenë një dëmtim i rëndë. Nga ajo ndërhyrje kam ende pasoja, por nuk është i rëndë.

Me të gjitha këto probleme ku do ta shohim Tiranën në fund të këtij sezoni?

Sigurisht, kjo skuadër ka gjithmonë synimet më të larta, dhe ky është titulli.

Folët gjatë për problemet e Tiranës, por Partizani dhe Egnatia janë arratisur…

Nuk më shqetëson forma e Partizanit dhe Egnatias. Më shqetëson forma e ekipit tim, nëse ekipi im është në 100% dhe del nga kjo periudhë krize, atëherë besoj te titulli.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"