EKSKLUZIVE/ Klubi i Kategorisë së Parë humb gjyqin me lojtarin brazilian, merkato në rrezik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2021 | 11:46

EKSKLUZIVE/ Klubi i Kategorisë së Parë humb gjyqin me lojtarin brazilian, merkato në rrezik

Turbina ka humbur gjyqin me brazilianin Aleksandre Kardoso Garcia, me të cilin nënshkroi kontratë njëvjeçare në shtator 2020. Klubi është i detyruar t’i paguajë mbi 24 milionë lekë brazilianit, i cili e ka fituar çështjen në FIFA.

GARCIA

Në vendimin e dhënë më 15 korrik 2021 Turbina ka marrë edhe një paralajmërim se çfarë ndodh nëse nuk paguan lojtarin. Sipas vendimit, i bie që Turbinës t’i bllokohet merkatoja për tri sesione me radhë, nëse nuk e shlyen mesfushorin.

Çështja mund të shkojë sërish në FIFA, nëse Turbina nuk e paguan 29-vjeçarin edhe pas tri sesioneve të merkatos së bllokuar. Historia e Garcias në Shqipëri është e komplikuar, pasi fillimisht firmosi për Turbinën, e cila më pas e huazoi te Bylisi, që do t’i paguante 300 mijë lekë rrogë mujore dhe pjesa tjetër do të plotësohej nga cërrikasit.

Ballshiotët shumë shpejt e ndërprenë marrëveshjen e huas, pasi brazilianit i mbaronte leja e qëndrimit në vendin tonë dhe i binte të ishte ilegal. Garcia për pagat e pamarra nga Turbina ka hapur çështje në FIFA, e cila nuk ia ka plotësuar të gjitha kërkesat.

Ja vendimi i dhënë për çështjen e brazilianit Garcia me klubin cërrikas:

1. Padia e Aleksandre Kardoso Garcia është pranuar pjesërisht.

2. Pala përgjegjëse, KF Turbina, duhet t’i paguajë paditësit shumën e mëposhtme: 370,000 lekë si tarifë e papaguar e nënshkrimit plus 5% interes që nga 18 shtatori 2020 deri në datën e pagesës efektive; 58,333 lekë si shpërblim i papaguar plus 5% interes që nga 1 tetori 2020 deri në datën e pagesës efektive; 1,943,548 lekë si kompensim për shkeljen e kontratës plus 5% interes nga 12 prilli 2021 deri në datën e pagesës efektive.

Nëse lojtari nuk paguhet brenda 45 ditëve nga njoftimi për këtë vendim, zbatohen pasojat e mëposhtme: Turbina do të ndalohet të regjistrojë lojtar të ri, kombëtar ose ndërkombëtar, derisa të paguhet shuma e duhur. Kohëzgjatja maksimale, prej tri sesionesh të njëpasnjëshme merkatoje.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"