EKSKLUZIVE/ “Kështu nuk vazhdohet më”, ish-kapiteni i Tomorit: Rrezikojmë rënien
Nëse në dy kampionatet sezonet e fundit iu afruan ngjitjes nëpërmjet fazën “play off”, këtë sezon rrezikojnë seriozisht rënien. Kriza e rezultateve që ka përfshirë beratasit, në atë pikë të çon. Skuadra ka gjashtë javë me radhë që nuk fiton, duke u renditur në vendin e 10-të. Pozicion që nuk i shkon aspak për shtat këtij klubi dhe sidomos në vitin e 100-vjetorit të krijimit.
Të shqetësuar për këtë gjendje janë që të gjithë në Berat dhe mbi të gjitha ata që kanë kontribuar për këto ngjyra. I tillë është rasti i Bledar Durës, ishportier dhe kapiten i Tomorit. Ndonëse aktualisht ndodhet jashtë vendit, po përcjell ecurinë e ekipit të zemrës.
Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai e sheh problemin vetëm te privatizimi. “Megjithëse ndodhem fizikisht larg Shqipërisë, kjo nuk më ka penguar që të ndjek ecurinë e Tomorit. Gjatë këtyre 10 javëve, bilanci është tmerr. Jemi në vendin e 10-të të renditjes dhe komentet do të ishin të tepërta në këtë rast. Me të drejtë në Berat janë të shqetësuar. Jo vetëm tifozët, por edhe ata që kanë kontribuar ndër vite për këto ngjyra.
Duhet të shqetësohemi dhe sidomos pas asaj humbjeje që pësuam në shtëpi me Burrelin. Po rrezikohet seriozisht qëndrimi në Kategorinë e Parë. Për këtë situatë nuk duhet fajësuar as stafi teknik dhe as futbollistët, ndonëse janë ata protagonistët kryesorë në një ndeshje”, evidentoi Dura, që zyrtarisht e sheh skuadrën të rrezikuar për të rënë në nivelin e tretë të futbollit.
PRIVATIZIMI – Ishkapiteni ka një thirrje për Bashkinë Berat. E quan të tepërt për një ekip si Tomori të vazhdojë në këto kushte, kur fare mirë klubi mund të privatizohet. Janë 11 vite larg futbollit elitar dhe durimi sipas tij ka sosur.
“Unë dua të shoh problemin, aty ky qëndron vërtet. Ngërçi është sistemi. Jemi në 2023-shin dhe vazhdojmë të flasim për një Tomori, si një ekip bashkie. Do t’i kërkoja publikisht Bashkisë Berat që të reagojë. Dhe forma e vetme që ata kanë në dorë, është privatizimi. Të mos hezitoj aspak dhe përshpejtojnë procedurat e këtij procesi. Vetëm kështu do të shpëtonte një herë e mirë futbolli beratas. Unë nuk e kuptoj akoma pse vonojnë?!
Pse duhet akoma të investohet pafundësisht me lekët e taksapaguesve beratas?! Nuk po shohim dritë në këtë formë, pasi konkluzioni është i qartë. Skuadra po rrezikon seriozisht qëndrimin në këtë ligë. Dhe nuk ka gjë më të rëndë për ne që kemi luajtur, të shohim Tomorin në këtë lloj situate. Ekipi ka 11 sezone larg elitës dhe boll kemi pritur”, ka përfunduar Dura.
EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"