EKSKLUZIVE/ “Kemi eksperiencë nga titulli i vjetshëm”, edhe Sota ka ankesa për stadiumin e Partizanit: Nuk është e lehtë për ne lojtarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 2, 2024 | 22:19

EKSKLUZIVE/ “Kemi eksperiencë nga titulli i vjetshëm”, edhe Sota ka ankesa për stadiumin e Partizanit: Nuk është e lehtë për ne lojtarët

Eljon Sota u kthye te goli dhe ndihmoi Partizanin për të marrë një pikë me vlerë në një ndeshje shumë të komplikuar ndaj Laçit në transfertën e së shtunës.

sota

Në një prononcim për “Panorama Sport” mbrojtësi flet për sfidën e së shtunës dhe jo vetëm. Pavarësisht dyshimeve për të ardhmen, Sota është i përqendruar vetëm tek e tashmja, deri në fund të majit, kur ka besim se do të shpallet kampion për herë të dytë. Fieraku vë theksin edhe te fusha e stërvitjes, që ashtu si Shehi, mendon se ndikon direkt në paraqitjen e ekipit në ndeshje. Lideri i mbrojtjes shprehet se ndaj Vllaznisë të kuqtë do të rrëmbejnë sërish vendin e dytë.

Si e konsideroni këtë barazim në transfertë ndaj Laçit?
Është një rezultat i pranueshëm duke marrë parasysh sesi shkuan gjërat dhe që kemi luajtur më shumë se 70 minuta me një lojtar më pak. Ky detaj kishte ndikim direkt në mënyrën sesi shkoi ndeshja.

Goli i parë i juaji në këtë sezon dhe i katërti me fanellën e Partizanit, por nga buroi ajo festë me aq shumë grintë?
Buroi nga shpirti (qesh). Kam gjithë sezonin që kërkoj ta ndihmoj ekipin në fazën ofensive, sidomos në goditjet standarde. Çdo ditë para dhe gjatë stërvitjeve jam praktikuar shumë që të arrij të shënoj një gol, që më në fund erdhi. Jemi afër fundit, por erdhi. Plus fakti që ishim me një lojtar më pak i dha më shumë peshë momentit, sepse na duhej një gol në atë moment.

Sa e vështirë u bë pas të kuqit të Carës? Shënuat, por më pas Laçi barazoi dhe qëndroi gjatë në zonën tuaj…
Ishte shumë e vështirë, sepse kur ke një lojtar më pak duhet të vraposh më shumë, të sakrifikosh më shumë. Për më tepër që luanim në një transfertë të vështirë, ndaj një ekipi shumë të përgatitur, që di të luajë shumë mirë futboll.

Ju është dashur të ndërroni shpesh partnerët në mbrojtje. Ju bëhet edhe juve loja e vështirë prej kësaj?
Është pak më e vështirë kur ndryshon shpesh, sepse duhet të përshtatesh thuajse në çdo ndeshje me karakteristika të ndryshme të lojtarit që ke në krah. Nëse do të kishte qenë dikush më stabël, normalisht që komunikimi, kimia dhe çdo element tjetër do të ishte më e mirë dhe më e lehtë për të dy ne.

Si ndikon psikologjikisht ky barazim tek ekipi? Duket sikur nuk po ju ndahen oshilacionet…
Më shumë u mërzitëm se ishim në avantazh dhe na barazuan menjëherë pas nisjes së pjesës së dytë. Por që gjendjen psikologjike e kemi shumë të mirë. Po vjen fundi dhe e dimë shumë mirë se duhet të jemi të fortë dhe të përgatitur për të gjitha ndeshjet që na presin. Oshilacionet dihen, si çdo skuadër kudo në botë ka luhatje. Këtë vit na ka kapur ne të kemi këto ulje-ngritje. Këtë vit, me këtë formulë i rëndësishëm është përfundimi. Shpresoj që të jetë i mirë për ne.

Luani ndeshjen e radhës me Vllazninë. Besoni se do t’ia dilni të rrëmbeni vendin e dytë?
Ne mendojmë se mund t’ia dalim ndaj çdo kundërshtari dhe Vllaznia është një ndër ta. Edhe në ndeshjet e kaluara kemi pasur shumë rezultate të mira ndaj tyre. Edhe këtë radhë jemi shumë optimistë dhe besoj shumë se do t’ia dalim.

Trajneri Shehi tha se ndryshimi nga fushë sintetike në natyrale rëndon lojtarët. E ndjeni edhe ju këtë problem?
Lojtari e ndjen këtë, sepse është diferencë shumë e madhe mes fushës ku stërvitemi dhe asaj të stadiumit të Laçit. Ata kishin fushë natyrale me bar shumë të gjatë, ndërsa fusha jonë është sintetike, komplet ndryshe. Këto dy javë kemi bërë stërvitje shumë intensive në fushën tonë dhe vjen momenti në ditën e ndeshjes që të duhet të luash në atë lloj fushe. Është diçka komplet ndryshe. Nuk është e lehtë për ne lojtarët.

Luani në një sezon me dy finale të mëdha, ku diskutohet gjithë sezoni. Mendoni se i keni “armët” e duhura për ta mbrojtur titullin?
Kontingjentin e kemi, eksperiencën e kemi fituar edhe nga titulli i vjetshëm dhe normalisht që besojmë të gjithë se të gjithë bashkë mund t’ia dalim ta fitojmë titullin kampion.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"