EKSKLUZIVE/ “Kampionati s’do të jetë i njëjtë”, Ahmataj: Skënderbeu vrapon shumë, por Tirana do titullin (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 4, 2023 | 11:30

EKSKLUZIVE/ “Kampionati s’do të jetë i njëjtë”, Ahmataj: Skënderbeu vrapon shumë, por Tirana do titullin (E PLOTË)

Julian Ahmataj është i bindur se Tirana do të fitojë edhe takimin në Korçë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri i bardhebluve foli për gjendjen e skuadrës, por edhe çfarë do të bëjë në Korçë. Ahmataj vlerësoi juglindorët, por tha se paçka se skuadra kundërshtare vrapon shumë, Tirana është për titull dhe kërkon vetëm fitoren. Tirana fitoi me Teutën, por për të arritur te ringjallja, bardhebluve dhe Julian Ahmatajt u janë dashur shumë punë.

julian ahmataj

Punë taktike dhe lëvizje pafund në formacion. Dëmtimet e shumta dhe rezultatet e dobëta kanë bërë që te bardheblutë të mos ketë stabilitet në formacionin që e ka nisur nga minuta e parë këto pesë javë. Aq sa Julian Ahmataj ka luajtur me katër formacione të ndryshme në pesë ndeshje kampionat, duke vënë një rekord më vete.

Keni fituar me Teutën, tani do të luani me Skënderbeun ku duhen tri pikët për të treguar vazhdimësinë?

Realisht është ndeshja e radhës. Të them të vërtetën ne duhet t’i marrim sfidat me radhë dhe nuk duhet të heqim dorë nga puna. Kjo është e rëndësishme, pasi nëse punojmë dhe rregullojmë parametrat e lojës, atëherë do të kemi vazhdimësi dhe rezultatet nga loja.

Sa është problematike mungesa e kaq lojtarëve në ekip, në gjithë këto javë që drejtoni skuadrën?

Shqetësimi është serioz, ama skuadra ka edhe lojtarë të tjerë. Gjithashtu na ka ndihmuar akademia që ka pjesën e saj në këtë skuadër. Janë lojtarë me cilësi, por nuk kanë eksperiencë, gjë që duhet ta marrin gradualisht.

Një barazim dhe një fitore, këto rezultate do të thonë se Tirana e ka kaluar ngërçin psikologjik?

Ngërçet në futboll dhe te Tirana janë të përjavshme, sepse këtu te ne çdo ndeshje kërkohet rezultat. Kjo është ajo që ne duhet të bindemi dhe të japim çdo ndeshje maksimumin.

Do të luani ndaj Skënderbeut në një ambient që ju e njihni, pasi e keni drejtuar këtë ekip më parë?

Skënderbeu është një skuadër e re dhe me elementë të rinj. Skuadër e fortë që vrapojnë shumë, por ne duhet t’i përgjigjemi me të njëjtën monedhë.

 Lënë pas të gjitha ngjarjet, kjo skuadër ka objektiv titullin kampion apo është herët për të folur?

Tirana nuk ka asnjë lloj objektivi tjetër, veç titullit kampion.

Meqë ju thoni se Tirana ka objektivin e vetëm titullin kampion. Kë shikoni kundërshtare të Tiranës?

Të gjitha skuadrat janë të forta. Kampionati ka treguar se janë aty – aty. Dikush ka bërë mirë në periudhën e parë, dikush ka bërë keq, por kjo nuk do të thotë se kampionati do të jetë i njëjtë në të gjitha fazat.

Ju keni vetëm gjysmat e takimeve, por 17 pikë janë të mjaftueshme për Tiranën?

Kaq pikë nuk janë dhe nuk kanë qenë të mjaftueshme dhe këtë e tregon renditja.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"