EKSKLUZIVE/ “Kampionat i komanduar, gjyqtarët po vendosin ndeshjet”, legjenda Jani Kaçi nuk përmbahet: Ndaj Skënderbeut një sharlatan punonte për Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2024 | 23:49

EKSKLUZIVE/ “Kampionat i komanduar, gjyqtarët po vendosin ndeshjet”, legjenda Jani Kaçi nuk përmbahet: Ndaj Skënderbeut një sharlatan punonte për Dinamon

Skënderbeu është ndjerë i vjedhur në ndeshjen e prapambetur të kampionatit, e luajtur të mërkurën në Korçë dhe e fituar nga ana e Dinamos me një penallti dhe gjykim, që ngjalli polemika. “Pre” e kontestimeve ka rënë treshja e arbitrave dhe sistemi VAR, që preferoi të mos ndërhynte në asnjë moment në këtë takim.

jani kaci

Jani Kaçi duke ndjekur ndeshjen Skënderbeu-Dinamo

Arbitrimi i Klodian Shahinit ka prekur thellë edhe ikonën e futbollit shqiptar, Jani Kaçi, ish-portieri i Kombëtares, Skënderbeut dhe Partizanit. Në një prononcim ekskluziv të dhënë për “Panorama Sport”, Kaçi theksoi se takimi ishte i vendosur nga arbitrat dhe i ndikuar veçanërisht nga ta. Sipas tij, Skënderbeu nuk meritonte humbjen pasi dominoi lojën, ndërsa Dinamo nuk bëri asgjë veç rastit të sekondave të para për të fituar këtë takim.

“Futbolli është sport popullor dhe e duan të gjithë. E duan kur brenda dhe jashtë fushës respektohen rregullat. Në fushat tona luhet pa rregulla fikse, por me rregulla të komanduara. Ky fenomen ka zbehur garën dhe zbrazur stadiumet. Ata pak tifozë nuk kënaqen, por përkundrazi revoltohen, shajnë dhe fyejnë gjyqtarët dhe kundërshtarët. Faji nuk është i tyre, por i gjyqtarëve, që vendosin fatin e lojës.

Në takimin Erzeni-Skënderbeu, tifozëria e Erzenit ishte e irrituar, por kur pa lojë korrekte nga lojtarët në fushë dhe gjykim më se korrekt, pranuan humbjen dhe u përqafuan në fund të takimit. Ky është shembulli që duhet ndjekur. E kundërta ndodhi në ndeshjen Skënderbeu-Dinamo. Interesimi për këtë takim nga publiku dhe lojtarët në fushë ishte maksimal. Bukurinë ia zbehu një gjyqtar, që kishte ardhur për të humbur skuadra e re korçare qe po demonstron kulturë dhe nivel në lojë. Sharlatan nga fiziku, i varfër nga shpirti. Fillim-mbarim punonte për Dinamon.

Dinamo ka histori, paçka se ka marrë drejtim tjetër, nuk duhet të pranojë favore të kësaj natyre me lojë dhe penallti të falur. Unë respektoj drejtuesit dhe ekipin e Dinamos, sepse janë ngjitur në Superiore dhe po bëjnë mirë. Uroj të bëjnë akoma më mirë, por pa ndihma jashtë futbollit. Dinamo, Partizani, Tirana, Skënderbeu, Vllaznia, Elbasani, Vlora (Flamurtari), Durrësi (Durrësi), pse jo dhe Egnatia, do ta zbukurojnë futbollin duke e bërë më të shikuar.

Futbolli duhet të afrojë njerëzit, jo t’i ndajë ata. Shembull është Kombëtarja dhe tifozëria e zjarrtë shqiptare. Kemi bërë emër jashtë, por duhet të bëjmë dhe brenda. Është detyrë e të gjithëve për ta bërë këtë. Kampionat i pastër, Kombëtare e suksesshme”.

SKËNDERBEU
Në gjykimin e Kaçit korçarët janë në rrugën e duhur për të marrë maksimumin në çdo takim. “Skënderbeu në ndeshjen ndaj Dinamos ka treguar një lojë të mirë dhe të rrjedhshme. Por nuk mund të bësh asgjë kur ke arbitrat kundër që të prishin çdo aksion me faulle të paqena dhe i japin dorë kundërshtarit me një gjykim skandaloz. Korçarët, me një trajner shumë të zgjuar dhe me njohuri maksimale nga futbolli dhe nga të përgatiturit të ekipit në një ndeshje, tregoi cilësi dhe meritonte me shumë se barazimi në këtë takim, jo humbjen në një mënyrë të shëmtuar”, vijoi Kaçi.

FORMULA
Për Jani Kaçin, formula e këtij viti nuk është aspak e përshtatshme për të nxitur garën sportive. Një formulë, që sipas tij është një shpikje shqiptare e pa ndeshur në kampionate të tjera, që vret garën e ndershme dhe krijon precedente të rrezikshme. “Kjo formulë është një shpikje shqiptare. Asnjë kampionat në botë nuk aplikon diçka të tillë. U prezantua si një formulë, që do të ngjalltë më shumë interes, por nuk ka bërë asgjë tjetër, veçse ka vrarë garën sportive. Ekipe, që nuk kanë asnjë interes për rezultatet në këto faza të kampionatit dhe bëjnë llogaritë e tyre në raport me renditjen. Për mendimin tim është një formulë e dështuar. Unë e kam thënë shpesh dhe vijoj t’i qëndroj mendimit tim se formula më e mirë për kampionatin tonë duke iu referuar cilësisë së klubeve shqiptare, është ajo me 12 ekipe. Gjithçka tjetër ‘vret’ garën e ndershme sportive”, përfundoi prononcimin ish-portieri i Kombëtares, Jani Kaçi.

LLAZI SARO  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"