EKSKLUZIVE/ “Kam pasur oferta nga e gjithë Superiorja”, Shehi: Jam i lidhur me Tiranën, nuk është çështje parash

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 5, 2023 | 21:25

EKSKLUZIVE/ “Kam pasur oferta nga e gjithë Superiorja”, Shehi: Jam i lidhur me Tiranën, nuk është çështje parash

Orges Shehi do të vazhdojë të drejtojë Tiranën. Zyrtarizimi ka ardhur nga klubi kryeqytetas nëpërmjet një njoftimi në rrjetet sociale. Trajneri i bardhebluve kishte lënë të kuptohej se po mendonte edhe largimin pas mënyrës se si skuadra e tij humbi si kampionatin, ashtu edhe Kupën e Shqipërisë në dy javët e fundit. Ofertat nga Shkëndija e Tetovës, apo edhe nga Vllaznia, dukej se ishin shumë tunduese.

shehi

Por ashtu siç shpjegoi gazeta “Panorama Sport”, presidenti Halili vendosi që thuajse të barazonte ofertën e Shkëndijës, për të bindur teknikun që të qëndronte në kryeqytet. Kësisoj, klubi ka konfirmuar vazhdimësinë e Shehit, duke e cilësuar si hapin e parë të sigurt drejt kthimit te titulli. Ekskluzivisht për gazetën, dje Shehi foli për marrëveshjen e tretë me bardheblutë.

Shehi, urime për firmën… Faleminderit. Çfarë keni kuptuar këto ditë?
Këto ditë kam kuptuar shumë se sa i lidhur jam me lojtarët, klubin Tirana, tifozët.

Pas goditjes në kampionat dhe në Kupën e Shqipërisë, ju kishit lënë të kuptohej se do të largoheshit. Pse vendosët të qëndronit te Tirana?
Dilemat ishin të mëdha, sepse mërzitja ishte shumë e madhe. Unë mendoj se nuk e meritonim të dilnim në këtë sezon pa trofe. Por e thashë edhe pak më parë, duke qenë pak më i ftohtë. Duke qenë mendërisht më i ftohtë dhe duke parë të gjithë, lojtarë, tifozë, drejtues, që më donin, ndryshova mendje. Aty kuptova se isha pjesë e tyre. Duke qenë pjesë e tyre thashë që nuk do të merrem më me oferta të tjera dhe do të vazhdoj këtu, sepse dua të nisim një rrugëtim tjetër. Edhe pse kam dy vite e gjysmë në këtë skuadër, ky rrugëtim i ri është si ajo shtysa e njerëzve brenda grupit. Jo se vij nga jashtë. Duke parë të gjithë këta komponentë, thashë të tentojmë të gjithë bashkë për të qenë më të fortë.

Keni marrë garanci këtë sezon?
Sigurisht edhe me besimin e klubit që ka pranuar se do të sjellë lojtarë dhe do të plotësojë organikën akoma më shumë.

Shkëndija ka qenë një ofertë. Cilat kanë qenë ofertat e tjera për Orges Shehin?
Po, mund të them të gjitha skuadrat e Superiores që janë pa trajner e me trajner. Brenda Shqipërisë, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut dhe më tej. Shifra nga më të ndryshmet kanë qenë në diskutim. E kam thënë që nuk ishte çështje parash.

Ju tani jeni trajneri fuqiplotë. Sa lojtarë i duhen Tiranës dhe në cilat reparte?

Ne na duhen lojtarë në të gjitha repartet. Kemi nevojë për 6-7 lojtarë për të plotësuar çdo boshllëk. Dihet që Bekaj nuk është më pjesë jona. Dihet gjithashtu, që Xhastin akoma nuk ka vendosur se çfarë do të bëjë me të ardhmen, do të rinovojë apo jo. Na duhen qendërmbrojtës. Na duhen mbrojtës anësorë, sepse Toshevski është kthyer në shtëpi për arsye familjare. Shkurt, duhen mbrojtës të majtë, të djathtë, sepse jemi deficitarë në këto pozicione. Kemi vetëm Përgjonin majtas. Djathtas nuk kemi asnjë lojtar. Thjesht na duhen 6-7 lojtarë me patjetër.

Ky sezon që do të luhet është sezoni i hakmarrjes…?

Unë do ta quaja sezon rikonfirmimi. Kemi bërë dy sezone fantastike. Edhe pse nuk fituam kampionatin kemi mbyllur sezonin me pikë të barabarta me Partizanin. Jemi sërish në vendin e parë. Në këtë sezon ne duhet të luftojmë me forcë. Kam një shprehje që ua kam thënë edhe lojtarëve. Nëse vjen te Tirana, duhet të jesh një ndër më të mirët ose më i miri. Këtë e kam edhe për kampionatet. Këtë sezon është motoja, ky do të jetë se s’bën më i miri kampionat, për të rikonfirmuar pozicionin dhe atë që duan tifozët e Tiranës, titullin kampion. Për të shkuar te kampionati duhet të kalosh te titulli kampion. Keni një mendim? Të jem i sinqertë na duhen përforcime dhe shpresoj që të kemi një short të mirë në Europë. Koha nuk mjafton. Në datën 12 do të fillojmë stërvitjen dhe duke ditur që nuk kemi shumë kohë, kam frikë nëse do t’ia dalim të marrim lojtarët në kohën e duhur. Dua që ata lojtarë që firmosim të vijnë në kohën e duhur që të kemi mundësi të përgatitemi sa më mirë.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"