EKSKLUZIVE/ “Kaçe ishte jashtë forme, nuk u përshtat dot me Superioren”, replikon Olsi Rama: Ne e respektuam atë për…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 24, 2022 | 21:38

EKSKLUZIVE/ “Kaçe ishte jashtë forme, nuk u përshtat dot me Superioren”, replikon Olsi Rama: Ne e respektuam atë për…

Ditën e djeshme, Ergys Kaçe dha një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ku foli për zhgënjimin te Partizani, zgjidhjen financiare të kontratës, për të cilën u shpreh se ka falur shumë para, dhe mungesën e respektit, që sipas tij, Partizani ka treguar me të.

OLSI RAMA

Të gjithë kanë të vërtetën e tyre dhe meqenëse e dëgjuam Kaçen, gazeta deshi të dinte edhe të vërtetën e vetë klubit të kuq. “Panorama Sport” kontaktoi me drejtorin e përgjithshëm të Partizanit, Olsi Rama.

Ai u pyet në lidhje me gjithçka që Kaçe pretendoi në intervistë dhe zgjodhi të mos fliste shumë, por të jepte një reagim konciz, me mesazh të qartë.

“Kaçe thjesht nuk ishte në formë dhe nuk u përshtat me futbollin shqiptar. Ne e respektuam atë për atë që ka qenë që në momentin kur e morëm që të bënte diferencën, gjë, të cilën ai nuk arriti ta bënte.

Dhe këtë nuk ka nevojë ta them unë, sepse e ka thënë i gjithë opinioni i futbollit”, u shpreh drejtori Rama ekskluzivisht për gazetën.

Ergys Kaçe ishte investimi më i madh i Partizanit në merkaton e verës së vitit të shkuar. Drejtuesit e kuq arritën të mbyllnin me sukses për të sjellë në Kategorinë Superiore mesfushorin, i cili nuk kishte luajtur asnjëherë më parë në Shqipëri.

29-vjeçari, me firmën në kontratën një-vjeçare, plus opsionin e rinovimit edhe për një tjetër sezon, u bë lojtari më i paguar i klubeve të Superiores, njëkohësisht edhe emri më i madh, i ardhur në këtë merkato.

Korçari, nga ajo që është bërë me dije nga burime jozyrtare, fitonte rreth 12 mijë euro në muaj.

Gjithsesi, ndryshe nga ajo që pritej, Kaçe në asnjë moment nuk arriti të tregojë versionin që kemi parë në Kombëtare apo te skuadra e PAOK-ut në Greqi.

Siç edhe vetë Partizani e dinte, korçari nuk kishte luajtur prej kohësh me Arisin e Selanikut dhe dihej se do t’i duhej një kohë e konsiderueshme për të ardhur në formën e tij fizike optimale.

Gjithsesi, ky mision nuk u arrit dhe pas rreth pesë muajsh, Partizani vendosi t’i kërkojë largimin, që u arrit pas një “lufte” durimi mes palëve, me mesfushorin, që iu desh të stërvitej disa kohë me ekipin U-21 të Partizanit, para se të ikte dhe të firmoste në ligën e dytë greke me ekipin e Verias.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE:

EKSKLUZIVE/ “Daja më la në stol kur arrita formën”, Kaçe nuk kursen kritikat ndaj Partizanit: Erdha për titullin. më çuan tek U-21 për të… (E PLOTË)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"