Ishte me valixhe në duar, anulohet në çastin e fundit kalimi i Kardozos në Qipro. Zbulohet arsyeja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 6, 2021 | 20:00

Ishte me valixhe në duar, anulohet në çastin e fundit kalimi i Kardozos në Qipro. Zbulohet arsyeja

Sulmuesi brazilian i Partizanit, Lukas Kardozo, nuk do të transferohet te skuadra qipriote e Ermis Chypre. Ky klub kishte nisur bisedimet me brazilianin e Partizanit dhe kishte edhe një akord paraprak. Gjithçka çfarë kishte mbetur për t’u bërë, ishte një ofertë konkrete e klubit qipriot drejt Partizanit, ofertë që nuk erdhi asnjëherë. Burime pranë lojtarit tregojnë për “Panorama Sport” se gjithçka ishte thuajse e kryer dhe Lukas ishte me valixhe në duar, por skuadra e Chypre vendosi të firmosë me një tjetër sulmues.
kardozo
BISEDIMET – Negociatat mes drejtuesve të klubit të Chypre dhe menaxherit të Lukas Kardozos kanë nisur që në datën 30 dhjetor të vitit të shkuar. Menaxheri i Lukas ka bërë me dije se klienti i tij ka një kontratë deri në fund të sezonit me Partizanin dhe në mënyrë që të transferohet në Qipro, klubi i Chypre duhet të paguajë.

ARSYEJA – Pasi kanë diskutuar për kushtet personale të kontratës, Lukas ka qenë dakord për një transferim dhe ka pritur që oferta e klubit qipriot t’i bëhet Partizanit. Pas më shumë se një jave, kjo ofertë nuk është bërë. Klubi qipriot arriti marrëveshjen me një tjetër sulmues.

SITUATA – Tashmë, bisedimet mes Kardozos dhe Chypres mund të quhen të mbyllura totalisht. Sulmuesi brazilian mbetet pjesë e Partizanit, të paktën për momentin. Nga të njëjtat burime, gazeta mëson se sulmuesi preferon të ndërrojë ambient dhe të provojë një aventurë jashtë Shqipërisë. Së bashku me menaxherin e tij, Lukas po pret oferta të tjera për shërbimet e tij.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"