EKSKLUZIVE/ Ish-mesfushori i Vllaznisë rikthehet në planet e Dinamos, nisin bisedimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2024 | 21:44

EKSKLUZIVE/ Ish-mesfushori i Vllaznisë rikthehet në planet e Dinamos, nisin bisedimet

Drejtuesit e Dinamos kanë një listë me emra për merkaton e verës dhe kontaktet kanë nisur prej ditësh.

HERALD MARKU 2

Në vëmendje të tyre është qendra e mesfushës, ku skuadra nuk ka pasur shumë alternativa gjatë sezonit që u mbyll. Pas Ardit Deliut të Tiranës, që me shumë gjasa ka rënë poshtë si pistë, një tjetër emër që ka dalë në skenë është ai i Herald Markut. Aktualisht lojtari në fjalë është i lirë, pasi ka mbyllur kontratën me rumunët e Uta Arad. Mesfushori 28-vjeçar është i njohur në Superiore, ku ka veshur fanellat e Kastriotit, Vllaznisë dhe Partizanit.

Kampionatin e fundit luajti në Rumani, por kjo aventurë s’shkoi dhe aq mirë për Herald Markun, i aktivizuar në 13 ndeshje dhe në 7 prej tyre si titullar. Ai ka një eksperiencë të gjatë dhe për Dinamon do të ishte një alternativë e mirë. Burime të gazetës bëjnë me dije se mes palëve ka pasur kontakte dhe tani mbetet të shihet, nëse do të ketë një marrëveshje apo jo. Emri i Herald Markut te blutë është përmendur edhe më parë, por në atë rast lojtari s’zgjodhi Dinamon. Nga të njëjtat burime gazeta mëson se lojtari i lindur në Shkodër kërkohet edhe nga Vllaznia. Trajneri Tomas Brdariç e njeh mirë Markun, e ka pasur në skuadër herën e parë që drejtoi Vllazninë dhe duket se e do sërish nën urdhrat e tij. Në këtë rast vendosin dëshira e vetë mesfushorit dhe ana financiare.

MESFUSHA – Në skuadër aktuale Dinamo ka vetëm dy mesfushorë qendre, Qefalijën dhe Gudiabin. Janë larguar Andoni pa u mbyllur sezonit dhe ditët e fundit edhe Smaçi. Në këtë pozicion janë spostuar lojtarë si Mija dhe Lorran për nevoja të skuadrës, prandaj dhe drejtuesit tani duan ta zgjidhin një herë e mirë këtë problem. Në planet e drejtuesve të Dinamos janë të paktën dy mesfushorë me nivel të lartë, njëri që të bëjë 6-ën dhe tjetri 10-ën. Këtë të fundit gjatë kampionatit të fundit e ka bërë braziliani Denison, edhe pse është një sulmues krahu. Deliu dhe Marku janë dy emra që qarkullojnë për momentin, por me siguri në bllokun e merkatos së drejtuesve blu ka edhe lojtarë të tjerë për mesfushën dhe priten surpriza.

MERKATO – Nuk është vetëm mesfusha në fokusin e merkatos blu. Pas largimit të Rexhepit, kryeqytetasit po kërkojnë edhe një portier për të plotësuar këtë sektor. Po ashtu, për prapavijën është e nevojshme të afrohen një mbrojtës qendre dhe dy mbrojtës që të jenë alternativa për Meksin dhe Lorran në krahë. Pra, duhen të paktën 4 përforcime vetëm për portën dhe mbrojtjen. Në sulm Dinamo e ka bërë lëvizjen e parë, duke arritur akordin me 20- vjeçarin Mandela, golashënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë sezonin e kaluar. Objektiva të merkatos janë edhe një sulmues qendre me eksperiencë dhe ndonjë sulmues krahu.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"