EKSKLUZIVE/ Ish-lojtari i Kombëtares në radarët e Elbasanit, verdheblutë duan mbrojtësin për linjën e majtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2024 | 9:00

EKSKLUZIVE/ Ish-lojtari i Kombëtares në radarët e Elbasanit, verdheblutë duan mbrojtësin për linjën e majtë

Lorenc Trashi vihet në radarin e Elbasanit. Mbrojtësi i Ballkanit, i cili sapo ka fituar titullin kampion dhe kupën e Kosovës, po ndiqet nga drejtuesit verdheblu me qëllimin për të nisur një aventurë të re në vendin tonë.TRASHI

Burime të gazetës pohojnë për “Panorama Sport” se midis palëve ka pasur pëlqime në distancë dhe biseda paraprake për mundësinë e bashkëpunimit për sezonin e ardhshëm. Lojtari 32-vjeçar del i lirë në fund të këtij sezoni, kështu që nëse gjendet akordi edhe në aspektin financiar mes palëve, Trashi mund të rikthehet në futbollin shqiptar dhe të vishet verdheblu. Ish–futbollisti i Kombëtares ka një eksperiencë të madhe mbi supe, ku vitet më të mira i ka pasur me Partizanin, me të cilin u shpall edhe kampion. Më pas Trashi e vijoi karrierën në Arabi, për të shkuar në fund te kampionët e Kosovës. Mbrojtësi shihet në kampin elbasanas si një lojtar i vlefshëm në krahun e majtë, ku përpos rolit të tij natyral në prapavijë, mund të përdoret edhe në fazën e avancuar po në të majtë. Gjithsesi, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se deri në çfarë pike do të shkojnë bisedimet. Për momentin ka vetëm sinjale nga të dyja krahët për të nisur bashkëpunimin.

MENTALITET KAMPIONI – Duket se pjesa më e madhe e lojtarëve që janë kontaktuar, ose pëlqehen nga drejtuesit elbasanas, kanë një gjë të përbashkët. Ata kanë fituar më herët tituj kampionë në skuadrat e tyre në Superiore. Nga ata emra që kanë qarkulluar ditët e fundit në media, Bruno Lulaj ka dalë kampion me Skënderbeun, ashtu si dhe Bruno Dita, ndërsa Lorenc Trashi me Partizanin. E gjitha kjo nuk duket një rastësi, por me shumë gjasa në klub duan të injektojnë në skuadër mentalitetin e kampionit, njëjtë siç ndodhi me afrimet e edicionit të kaluar në Kategorinë e Parë. Në klubin verdheblu synojnë që së paku këtë sezon të parë në elitë të jenë pjesë e “Final 4” dhe më pas pse jo të tentojnë edhe titullin kampion, duke thyer kështu edhe të gjitha rekordet në futbollin shqiptar, pasi ka nisur gjithçka nga e para tri vite më parë në Kategorinë e Tretë.

ZYRTARIZIMET – Kjo është një periudhë intensive bisedimesh dhe vëzhgimi lojtarësh, zyrtarizimet do të duan ndoshta pak kohë që të bëhen. Mësohet se numri i të kontaktuarve drejtpërdrejt nga klubi elbasanas është i madh, po ashtu edhe ata që vetofrohen janë të shumtë. Në fund do të bëhet një përzgjedhje se cilët do të veshin fanellën e Elbasanit. Ndonëse verdheblutë do të hyjnë në merkato me një buxhet të konsiderueshëm, drejtuesit e kanë shprehur qartë se nuk kanë ndërmend të bëjnë “çmenduri” në këtë aspekt, duke afruar lojtarë që ia vlejnë edhe në aspektin ekonomik.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"