EKSKLUZIVE/ I ka shënuar Spanjës, befason Shkëlqim Muça: Ja pse është short i mirë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2023 | 21:43

EKSKLUZIVE/ I ka shënuar Spanjës, befason Shkëlqim Muça: Ja pse është short i mirë (E PLOTË)

Përballjen e parë me Spanjën e kemi më 1986, të vlefshme për kualifikueset e Europianit 1988. Ndeshja përfundoi 2-1 për iberikët, por Shkëlqim Muça thotë se kuqezinjtë ishin dinjitozë. Pse flet pikërisht ai për këtë duel? Sepse ai u shënoi golin në takimin që u luajt në Tiranë. Më pas jemi ndeshur edhe 7 herë të tjera, por bilanci është dramatik me 8 humbje në 8 ndeshje dhe golavarazh me 3 gola të shënuar dhe 31 të pësuar (përfshi një humbje 3-0 në tavolinë më 1992 që nuk është luajtur fare prej situatës politike në vend).

shkelqim muca

Shkëlqim Muçën e intervistuam më 3 dhjetor, sepse pikërisht në këtë datë, por 37 vite më parë i shënonte gol Spanjës. “Nuk ishte si sot, që janë 55 ekipe europiane. Atëherë vetëm 30 skuadra kishte UEFA dhe ne luanim shpesh me më të fortët”, thotë Muça ekskluzivisht për “Panorama Sport”.

Muça, çfarë ju kujton data 3 dhjetor?

Hëm… Nuk e mbaj mend. Nuk e kam idenë për ndonjë gjë specifike.

Ju kujtohet goli ndaj Spanjës…?

Po, natyrisht që po. Por nuk e mbaja mend që ka qenë 3 dhjetor edhe atëherë… (qesh).

Traversë dhe gol apo jo?

Jo, ka qenë rrjetë e sipërme dhe gol. Duket si traversë në video, por ka qenë rrjetë.

Sa fort keni goditur?

Sa fuqi kisha… (qesh).

Po tani mund t’ia shënojë dikush nga Kombëtarja jonë atë gol Spanjës?

Natyrisht që po. Mundësitë janë. Spanja është skuadër e fortë padyshim, por ne nuk jemi inferiorë. Kemi lojtarë që luajnë në nivele të larta dhe kanë eksperiencë.

Sa shanse kemi me këtë grup?

Eh, këtë nuk di ta them. Por e rëndësishme është që lojtarët të japin më të mirën.

Spanjë, Itali, Kroaci… grup “i tmerrshëm”, apo jo Muça?

Jo mo, fare. Pse i tmerrshëm?! Ky është grup i shkëlqyer.

Seriozisht e keni?

Po, patjetër. Unë mendoj si lojtar dhe si trajner. Jo si tifoz që pret patjetër të kalosh grupin. Më thoni ku ka më mirë për një lojtar që të ndeshet me këto tri skuadra në karrierë dhe në finalet e një europiani? Është shans unik. Prandaj ata djemtë duhet ta shijojnë. Motivim më të madh për ata nuk ka.

Po për trajnerin?

Edhe për trajnerin është shumë mirë.

Pse?

Sepse lojtarët i ka të motivuar dhe nuk është nën presionin e rezultatit. Çfarëdo që të ndodhë trysnia është te rivalët. Pse ça do t’i themi trajnerit po e mundi Spanja, Italia apo Kroacia…? Ja pra ky është fati me të tillë kundërshtarë. Imagjinoni pastaj të mundësh ndonjë prej tyre. Bëhesh i përjetshëm.

Kush ju tremb më shumë nga këta rivalë?

Spanja ndoshta. Italia dhe Kroacia janë të forta, por jo në ditët e tyre më të mira. Natyrisht që deri në qershor shumë gjëra mund të ndryshojnë, por Spanjën e shoh më problem. Kanë sistemin e lojës më të papërshtatshëm për ne. Kështu ka qenë deri tani të paktën.

Cili është problemi më i madh i këtij grupi?

Që nuk kemi një skuadër ku të shpresojmë të merrnim 3 pikët. Sepse edhe me 3 pikë mund të kalosh si e një nga të tretat më të mira. Por ndoshta mund t’ia dalim me shumë fat edhe me 2 pikë. Me dy barazime…

Çfarë mban mend nga ndeshja me Spanjën?

Ajo është ndër të rrallat ndeshje ku kam luajtur si sulmues i mirëfilltë në Kombëtare, sepse zakonisht luaja si mesfushor. Kujtoj që pasi e mbyllëm pjesën e parë 1-0 mendova se mund t’ia dilnim të merrnim edhe një rezultat të mirë. Isha i bindur madje. Po ku të linin ata…

Pse, çfarë ndodhi?

Po kishin yje si Zubizarreta, Sançis, Miçel, Kamaço, Butragenjo, etj. Ishin nivel i lartë edhe atëherë. Por ne ama ndesheshim me këto skuadra sepse në UEFA atëherë 30 ekipe ishin. Nuk ishte shpërbërë Bashkimi Sovjetik, nuk ishte shpërbërë Jugosllavia, nuk ekzistonin skuadra si Gjibraltari. Sot është tjetër gjë, por gjithsesi unë jam shumë i lumtur me atë që kemi bërë në fushë.

Pse?

Sepse e kam parë ndeshjen ritransmetim gjatë pandemisë. Ore, po që kishim luajtur vërtetë shumë mirë. Futboll modern, pa asnjë shenjë inferioriteti dhe futboll goxha të bukur. Më ka pëlqyer ajo që pashë.

JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"