EKSKLUZIVE/ Humbi gjyqin me 2 Korrikun, klubi i Superiores shkon në KAS

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2023 | 10:20

EKSKLUZIVE/ Humbi gjyqin me 2 Korrikun, klubi i Superiores shkon në KAS

Erzeni ka humbur gjyqin me klubin kosovar të 2 Korrikut dhe tanimë çështja ka përfunduar në KAS-in e Lozanës. Shijakasit kanë pasur mosmarrëveshje për transferimin e futbollistit Shefki Aliti, që e kanë marrë në janar të këtij viti.

erzeni

Erzeni pretendonte se lojtari ka ardhur i lirë, por 2 Korriku i është drejtuar FIFA-s për këtë çështje dhe e ka fituar. Pas kësaj, “Panorama Sport” mëson se klubi i Erzenit e ka dërguar çështjen në KAS dhe seanca dëgjimore do të zhvillohet më 20 dhjetor.

PËRPLASJET

Gazeta mëson se drejtuesit e 2 Korrikut kanë kërkuar ta zgjidhin çështjen me konsensus në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve, por drejtuesit e klubit të Erzenit nuk kanë pranuar, pasi kanë pretenduar se kanë vepruar konform rregullave.

Për këtë arsye, shijakasit as që janë paraqitur në ditën e takimit, duke iu dhënë shkas drejtuesve të 2 Korrikut që ta çojnë çështjen në FIFA. Pasi e kanë fituar betejën ligjore aty, Erzeni ka apeluar në KAS.

Tani mbetet për t’u parë se si do të shkojnë gjërat në të ardhmen. Ky është një ndër rastet e rralla, kur një klub nga Superiorja përfundon në “gjyq” me një klub nga Kosova. Aliti luajti vetëm 60 minuta me skuadrën e Erzenit sezonin që shkoi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"