EKSKLUZIVE/ Histori e para tre viteve, Apolonia çon në KAS Laçin për… Uzunin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2023 | 21:21

EKSKLUZIVE/ Histori e para tre viteve, Apolonia çon në KAS Laçin për… Uzunin

Apolonia çon Laçin në KAS. Fierakët kanë hapur një çështje ndaj kurbinasve dhe jo këtu, por në Lozanë. Arsyeja është: Myrto Uzuni. Bëhet fjalë për një histori të para 6 viteve më parë, kohë kur beratasi kaloi nga Fieri në Laç.

uzuni apolonia

Përveç të drejtës së formimit, me siguri bardhejeshilët kanë ruajtur ndonjë përqindje të kartonit të lojtarit. Dhe pas një sezoni me kurbinasit, ndodhi pikërisht kjo gjë. Sulmuesi u shit në Kroaci te Lokomotiva e Zagrebit. Laçianët bënë “bingo”, pasi nga ky transferim mbushën arkat.

Problemi nuk qëndron te kjo lëvizje, por te ajo që ndodhi më pas. Flasim për një transferim që ka ndodhur në korrikun e 2020-ës nga Lokomotiva e Zagrebit te Ferencvarosh, prej të cilit në Fier mendojnë se meritojnë që të marrin diçka.

Apolonia duket se nuk ka marrë gjë nga kjo shitje, ndaj edhe ka hapur një çështje në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv. Kohët e fundit kanë hapur kështu një gjyq.

Pas interesimit të “Panorama Sport” pranë klubit fierak, mësuam se çfarë kërkojnë konkretisht. Duan 4 për qind të shumës që kanë përfituar te Laçi për shitjen e sulmuesit të Kombëtares shqiptare nga Kroacia në Hungari.

Sipas të dhënave që qarkulluan në ato vite edhe në mediat hungareze, kroatët përfituan 1.8 milionë euro. Nga kjo vlerë 360 mijë euro u kaluan laçianëve, që kishin ruajtur 20% të kartonit të beratasit në rast shitjeje.

Referuar këtyre shifrave, i bie që Apolonia pret të marrë 14.400 euro (gjithnjë nëse shifrat e transferimit janë këto). Vetë lojtari nënshkroi një kontratë 4- vjeçare, nga e cila merrte plot 1.2 milionë euro në total, pra me 300 mijë euro në sezon.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"