EKSKLUZIVE/ Grushtet te femrat, drejtoresha e Tiranës: Lojtareve të Partizanit t’u bëhet test droge (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 21, 2023 | 22:41

EKSKLUZIVE/ Grushtet te femrat, drejtoresha e Tiranës: Lojtareve të Partizanit t’u bëhet test droge (E PLOTË)

Sherri në derbin e dytë gjysmëfinal ndërmjet Partizanit dhe Tiranës në Kategorinë e Parë të basketbollit për femra tronditi mbarë opinionin sportiv në vend. Pallati i sportit “Asllan Rusi” u kthye në arenë përleshjesh mes lojtareve të të dyja skuadrave menjëherë pas mbylljes së takimit, ndërsa të tjerë u futën nga jashtë duke e përshkallëzuar edhe më shumë përplasjen. Pas kësaj ngjarjeje, gazeta “Panorama Sport” ka kontaktuar me drejtoreshën e Tiranës, Deborah Keçi, e cila ishte gjithashtu e pranishme në sallë gjatë këtij incidenti.

DEBORAH KECI

Në prononcimin e saj Deborah dënon dhunën, ndërsa mohon se nga ekipi bardheblu ka pasur sjellje provokuese apo raciste. Ajo thotë se përgjegjëset kryesore për ngjarjen janë lojtaret amerikane të Partizanit, për të cilat shprehet se gjatë të gjithë kohës kanë provokuar me fjalë dhe gjeste.

Jo vetëm kaq, por drejtoresha bardheblu i bën apel FSHB-së që të bëjë teste droge, pasi sjellja e lojtareve të Partizanit në parket sipas saj nuk ishte normale.

WhatsApp Image 2023-04-20 at 08.19.15 (1) (1)

Deborah, cili është komenti juaj si drejtoreshë e Klubit Tirana për skenat e dhunës në derbin e basketbollit të femrave?

Nëse nuk do të kisha qenë prezente vetë në atë situatë dhe nuk do ta shikoja nga afër, atëherë nuk do të flisja apo reagoja. Isha në sallë dhe i kam parë të dyja ndeshjet, edhe gjysmëfinalen e parë në fushën tonë, ashtu sikurse edhe të dytën. Tani, në momentin që lojtaret e Partizanit, të cilat nuk e di a janë të fryra apo të mësuara nga dikush, sepse nuk besoj që ato të vijnë përtej oqeanit dhe të kenë këtë lloj urrejtje ndaj lojtareve të Tiranës.

Nuk dua të aludoj, por gjatë të gjithë kohës në ndeshje, ato bënin gjeste antisportive ndaj lojtareve tona, bënin gjeste ndaj pankinës si dhe ndaj tifozëve. Pra është diçka që ka nisur që në gjysmëfinalen e parë. Lojtaret e Partizanit flisnin dhe hidhnin fjalë ndaj trajneres dhe gocave tona në fushë dhe në stol. Por edhe pse një situatë tillë, për asnjë moment nuk u dha qoftë thjesht edhe një paralajmërim nga arbitrat për këto veprime. Lojtarja ishte duke dribluar, ndërsa kjo i përplaste duart në fytyrë. Të gjitha këto gjeste të përsëritura prej tyre janë akumuluar, pra janë mbledhur dhe nuk është se ishte një shpërthim i momentit.

Pra sipas jush gjithçka ka ardhur nga sjellja provokuese e lojtareve amerikane të Partizanit?

Po, që në ndeshjen e parë që u zhvillua në “Farie Hoti”. Unë isha vetë aty prezente dhe po takoja trajneren e skuadrës sime, ndërsa njëra prej atyre vajzave dhe na ofendon “bye bye, f*ck off”. Pra diçka komplet pa lidhje, pasi nuk po i provokonte askush. Në gjithë historinë gjatë këtyre tri viteve që unë jam në krye të Tiranës nuk ka pasur shans që të ndodhin jo të tilla degradime, por as sherri më i vogël i provokuar nga sportistet tona.

Në radhë të parë ne kemi në klub qytetare të mira dhe më pas sportiste të mira. Filozofia jonë është që të afrojmë qytetare të mira, të edukuara dhe më pas sportiste të mira. Ky është një parim kryesor që unë kam në klub. Nuk mund të marr kurrsesi lojtare provokuese, pa etikë dhe që nuk dinë rregullat.

Të ndalemi pak tek incidenti, pasi edhe ju ndodheshit aty në çastin kur shpërtheu sherri…

Isha aty kur gocat tona po përshëndeteshin me ato të Partizanit, ndërsa papritur ajo e godet me shpullë lojtaren tonë, Ebin. Në këtë pikë më pas nuk u mor më vesh dhe situata doli nga kontrolli, duke qenë se ishte edhe një moment me nerva të akumuluara nga ndeshja. Nuk dua të aludoj, por me ato skena që kam parë në atë që ndodhi, ato mund të kenë qenë në efektin e substancave narkotike. Me këtë rast i bëj thirrje edhe federatës që të marrë përsipër dhe të bëjë teste kontrolli, sepse realisht nuk m’u duk normal ai lloj ekzaltimi.

Ndërkohë, nga Partizani, por edhe nga Besëlidhja, kemi akuza për sjellje raciste nga ana e Tiranës. Si i komentoni këto pretendime?

Të them të drejtën nuk e di se ku i kanë pretendimet për racizëm nga Tirana. Ne jemi një klub që kemi 15 lojtarë të huaj nga të gjitha shtetet e botës dhe nuk arrij ta kuptoj një pretendim të tillë. Në të katërta klubet e lojërave me dorë ne kemi lojtarë dhe lojtare të huaja. Kështu që ky është një aludim i tyre që nuk qëndron. Nuk është bërë asnjë fyerje nga asnjë sportist dhe drejtues i klubit Tirana kundrejt kundërshtarëve. Siç e thashë, nuk janë këto vlerat dhe situatat që ne duam të promovojmë. Gjithçka që ka ndodhur ka qenë vetëm një reagim apo kundërpërgjigje e një situate të iniciuar prej tyre në një moment nervash.

Ndërkohë gjithashtu edhe siguria në sallë linte për të dëshiruar, që është një tjetër problem serioz në lojërat me dorë…

Siguria ishte komplet inekzistente në fushë. Kemi të bëjmë me një ndeshje gjysmëfinale, ku supozohet se mund të ketë nervozizëm dhe incidente mes tifozërisë, ndërsa aty nuk kishte asnjë lloj kriteri sigurie. Asnjë masë e marrë nga organizatorët, që në rastin në fjalë ishte ekipi i Partizanit. Është e turpshme që në fushë të futen prindërit e lojtareve dhe të dhunohen nga sportistet.

Cili është mesazhi apo apeli juaj pas gjithë kësaj situate?

Mesazhi dhe apeli im për vajzat dhe të gjithë në klub është që ne nuk duhet të promovojmë dhunë. Sporti i ka provokimet, por ne duhet të tregojmë veten dhe edukatën tonë. Është e turpshme dhe më vjen shumë keq që këto skena janë bërë virale, sepse nuk janë këto gjëra që ne duam të promovojmë në media dhe rrjetet sociale. Sporti nuk duhet të promovojë kurrsesi dhunën dhe kjo është diçka e pajustifikueshme.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"