EKSKLUZIVE/ Goli me finte ndaj Kukësit, Deliu: Futa këmbën dhe ia dola të shënoja! Pjesa e dytë… gangrenë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2023 | 9:13

EKSKLUZIVE/ Goli me finte ndaj Kukësit, Deliu: Futa këmbën dhe ia dola të shënoja! Pjesa e dytë… gangrenë

Ardit Deliu është lojtari më i rëndësishëm i Tiranës në mesfushë. Gjatë verës me golin e tij u dhuroi kualifikimin bardhebluve në Konferencë Ligë.

ardit deliu

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Deliu rrëfen golin me thembër që shënoi në sfidën me Kukësin. Çfarë i mungon Tiranës këtë sezon dhe ku do t’i shohim bardheblutë në fund të kampionatit. Lojtari foli për situatën “jo” te Tirana dhe pranoi se ekipi duhet të përmirësohet në javët në vazhdim. Ardit Deliu ka koleksionuar këtë sezon 648 minuta në tetë takime. Lojtari ka shënuar një gol në Superiore. Në Europë, Deliu luajti katër sfida, tundi rrjetën një herë dhe ishte në fushë 178 minuta.

Ardit Deliu, keni shënuar një gol të veçantë. E keni parë ripërsëritje se si shënuat?

Drejt, nuk e kam parë ende. Do ta shijoj me qetësi në shtëpi.

Goli nuk diskutohet që ishte më i bukuri i ndeshjes, ndoshta i javës. Si arritët të shënonit?

Realisht është e vështirë që të shënosh gol në atë mënyrë. Ishte thjesht instinkt. Futa këmbën dhe godita topin. Dhe desh Zoti shkoi në shtyllë dhe më pas gol. Jam i lumtur që shënova në këtë mënyrë.

Tirana zhvilloi një ndeshje drithëruese. Në avantazh, në disavantazh dhe fitore. Tej fitores çfarë nuk shkoi?

Gabuam disi në momente të ndryshme të takimit. Në momentin që kishim ndeshjen në kontroll kundërshtari na përmbysi me lojën e tij. Pësuam gol në pjesën e dytë.

Tirana luan mirë në fillim, por komplikon situatën në pjesën e dytë të lojës?

Na është bërë psikologjike kjo pjesa e dytë. Po pësojmë shumë gola. Morëm dy gola në pak kohë. U duk sikur gjithçka po shkonte keq. Ama luftuam deri në fund. Nuk humbëm durimin dhe treguam karakter.

Mund të themi se Tirana ka ndryshuar dhe ekipi është ndezur për të bërë mirë në javët në vazhdim?

Trajneri na tha edhe në dhomat e zhveshjeve. Më mirë që ndodhi kështu dhe skuadra u ndez. Këtë zjarr duhet ta mbajmë ndezur edhe në takimet në vazhdim. Duhet të tregojmë vazhdimësi. Tani është momenti për të mbledhur sa më shumë pikë.

Çfarë duhet të bëjë kjo skuadër që të kapë kreun dhe do të jetë gati ekipi për “Final 4”?

Besoj se duke u përmirësuar çdo ditë në stërvitje dhe ndeshje. Duke rregulluar aspektet negative, pasimin e golave deri në fund të sezonit ekipi do të jetë aty ku e meriton.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"