EKSKLUZIVE/ “Gjithçka për titullin dhe Kupën”, Jonuzi: Vllaznia, luftë në të dyja! Ja pse besojmë deri në fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2023 | 8:22

EKSKLUZIVE/ “Gjithçka për titullin dhe Kupën”, Jonuzi: Vllaznia, luftë në të dyja! Ja pse besojmë deri në fund

Fjoart Jonuzi beson se Vllaznia i ka të gjithë mundësitë për të sulmuar të dy trofetë: titullin dhe kupën. JONUZIPas kualifikimit ndaj Partizanit, mesfushori kuksian mendon se skuadra nuk duhet të bëjë më një lojë si kundër të kuqve, ku shmangu me shumë fat kohën shtesë, duke rrezikuar jo pak. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai theksoi se sfida e sotme në Laç është më e vështira për kuqeblutë.

Fjoart, një kualifikim me shumë vështirësi ndaj Partizanit?

E dinim që do të ishte një ndeshje e vështirë, pasi Partizani nuk kishte çfarë të humbiste dhe do të hidhej në sulm. Kundërshtari luajti me shumë forca në sulm dhe tentoi të kthente rezultatin. Unë mendoj se ishte normale që të ndodhte kjo, sepse dihet kualiteti që ata kanë. Në fund të fundit jemi të lumtur që e kaluam me sukses.

Fakti që nuk bëtë një lojë të mirë dhe për më tepër kishit avantazhin e ndeshjes së parë, ju tremb kjo për vazhdimësinë?

Të them të drejtën, nuk ishim aty ku duhet me lojë. Kjo ndoshta edhe nga vetë rezultati i ndeshjes së parë na e uli pak ritmin. Megjithatë, rëndësi ka që ne u kualifikuam dhe kjo nuk duhet të na ndodhë në ndeshjet e tjera, pasi tani fillon puna më e vështirë për ne, si në Kupë dhe kampionat.

Në gjysmëfinale janë edhe Tirana, Teuta dhe Egnatia. Keni ndonjë preferencë për shortin?

Jo, nuk kam ndonjë preferencë, pasi të gjitha ekipet janë të forta. Në këtë fazë të gjitha duan të shkojnë deri në fund dhe thjesht ne duhet të marrim çdo ndeshje dhe çdo kundërshtar si të ishte finale. Këtë vit nuk ka ekipe të lehta.

Sot luani në Laç, ndaj një kundërshtari që tashmë ndodhet në zonën e ftohtë. Çfarë ndeshjeje prisni?

Unë mendoj që është një nga ndeshjet më të vështira që kemi, kjo për vetë faktin se Laçi është në një moment delikat dhe për më tepër që në fushën e vet mbetet agresiv si ekip. Kjo e shton akoma edhe më shumë vështirësinë e kësaj ndeshjeje, kështu që duhet të japim më të mirën.

Tri pikët janë synimi i vetëm?

Nëse duam që të pretendojmë për kampion, duhet që të futemi në fushë vetëm për tri pikë. Për ne nuk ka më kohë. Ndeshjet sa vijnë dhe pakësohen, plus që edhe kampionati po bëhet edhe më i vështirë.

Besoni se Vllaznia mund të parakalojë Partizanin dhe Tiranën?

Po deri tani nuk mund të them që jemi shumë mirë, pasi kemi gabuar në disa ndeshje. Mendoj që duhet një marsh më shumë për të pretenduar më lart dhe ne i kemi mundësitë për ta bërë këtë. Kemi një ekip cilësor, por duhet të vlerësojmë në maksimum çdo ndeshje.

Ju ku e shikoni skuadrën në fund të sezonit?

Nuk mund të bëj parashikime, por di të them se do të jemi pretendentë deri në fund dhe do të luftojmë në çdo ndeshje, pasi këtë vit po bëhet kampionat me të vërtet i paparashikueshëm. Ne do të provojmë për të dy trofetë, pasi kemi arritur edhe në fazën gjysmëfinale të Kupës, por do të synojmë së pari titullin e kampionit. Frymën e grupit e kemi të mirë dhe kjo na bën që të besojmë deri në fund.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"