EKSKLUZIVE/ FSHF-ja i bllokoi merkaton, ja lojtarët dhe borxhet që nuk u kanë paguar klubet e dënuara

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2023 | 23:15

EKSKLUZIVE/ FSHF-ja i bllokoi merkaton, ja lojtarët dhe borxhet që nuk u kanë paguar klubet e dënuara

Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në FSHF merr për herë të parë një vendim për bllokimin e merkatos së klubeve në Superiore për mospërmbushje të detyrimeve ndaj lojtarëve apo zyrtarëve që kanë fituar gjyqet në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve.

dinamo tirana skenderbeu

Tirana, Dinamo dhe Skënderbeu janë tri klubet e para që e pësojnë me ndalimin e regjistrimit të lojtarëve për tri periudha deri në pagesën e plotë të detyrimit.

“Panorama Sport” zbulon se Tirana i detyrohet një shumë prej 25 mijë eurosh ish-mesfushorit të saj në vitet 2016-2019, Asjon Daja. Gjithashtu, klubi bardheblu duhet t’i shlyejë 9 mijë euro ish-mesfushorit Edon Hasani, i cili ka luajtur në vitet 2018-2020.

Nga ana tjetër, Skënderbeu ka një detyrim të pashlyer prej 27 mijë eurosh ndaj Dejvi Bregut, i cili ka fituar gjyqin që më 10 qershor 2022. Fantazisti ka qenë pjesë e korçarëve në vitet 2018-2020.

Ndërsa Dinamos i është bllokuar merkatoja prej detyrimit prej 3 mijë eurosh që ka ndaj ish-drejtorit sportiv të klubit, Arbi Laçi.

Të gjitha këto vendime vijnë pas masave shtrënguese që ka marrë UEFA për sistemin e licencimit. Klubet që kanë borxhe ndaj lojtarëve dhe pjesëtarëve të stafit, si dhe detyrime ndaj palëve të treta, nuk mund të licencohen. Disiplina detyron tashmë klubet të shlyejnë të gjitha detyrimet që kanë nga gjyqet e humbura, pasi rrezikojnë shumë.

VENDIMET E PLOTA

1. Skënderbeu, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në fushë dhe ndezje të flakadanëve, gjobitet me 100.000 lekë.

2. Tirana, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në fushë dhe ndezje të flakadanëve, gjobitet me 100.000 lekë.

3. Tirana, për dështim në ekzekutimin e vendimit nr. 5, datë 09.07.2021 dhe vendimit nr. 5, datë 02.06.2023 të DHZK, i ndalohet regjistrimi i lojtarëve të rinj për 3 periudha regjistrimi deri në pagesën e plotë të detyrimit.

4. Dinamo, për dështim në ekzekutimin e vendimit nr. 2, datë 06.03.2023 të DHZK, ndalohet të regjistrojë lojtarët të rinj për 3 periudha regjistrimi deri në pagesën e plotë të detyrimit.

5. Skënderbeu, për dështim në ekzekutimin e vendimit nr. 1, datë 10.06.2022 të DHZK, i ndalohet regjistrimi i lojtarëve të rinj për 3 periudha regjistrimi deri në pagesën e plotë të detyrimit.

6. Pranimin e kërkesës së Dinamos për konvertimin e pjesës së mbetur të dënimit për lojtarin Bakari Gudiabi.

7. Zyrtari i FK Apolonia, Robert Çaushaj, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, dënohet me 2 ndeshje pezullim.

8. Lojtari i KF Butrinti, Ardit Jaupaj, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, dënohet me 4 ndeshje pezullim.

9. Zyrtari i KF Butrinti, Dhiogjen Muço, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, dënohet me 6 ndeshje pezullim.

10. Pranimin e kërkesës së lojtarit të Teutës, Fatmir Koçi dhe pezullimin e pjesës së mbetur të dënimit. Periudha e pezullimit me kusht do të jetë 6 muaj.

11. Rrëzimin e kërkesës së zyrtarit të Tiranës, Akil Jakupi, dhe lojtarit të Besëlidhjes, Klejdi Dibra, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës dhe Etikës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"