EKSKLUZIVE/ Elbasani i bën ofertë mesfushorit të Shkëndijës, zbardhen prapaskenat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2024 | 10:43

EKSKLUZIVE/ Elbasani i bën ofertë mesfushorit të Shkëndijës, zbardhen prapaskenat

Elbasani lëviz në mer kato. Emri i fundit që ka dalë në skenë për t’u bashkuar me verdheblutë është ai i Bruno Ditës. Burime të besueshme pranë klubit elbasanas pohojnë ekskluzivisht për “Panorama Sport” se është piketuar pikërisht lojtari i Shkëndisë së Tetovës si një nga afrimet më të rëndësishme. Mesfushorit 31-vjeçar i skadon kontrata me tetovarët në fund të sezonit dhe del lojtar i lirë, ndaj dhe verdheblutë janë futur në garë për të përfituar.

dita

Ish–lojtari i Shpresave dhe disa skuadrave në Shqipëri shihet si një element adapt për “digën” para mbrojtjes në Superiore. Dita gjithashtu mbulon edhe pozicionet në prapavijë, në rast se skuadrës do t’i lindë nevoja. Për këto arsye në klubin elbasanas e konsiderojnë si një lojtar që mund t’u bëjë jo pak punë, nëse do të afrohet dhe për më tepër do të rriste ndjeshëm konkurrencën në këtë repart.

BISEDIMET – Burimet në klubin verdheblu pohojnë se bisedimet janë konkrete dhe paraprakisht duken në rrugë të mbarë. Duket se edhe vetë lojtari e mirëpret një rikthim në Shqipëri pas katër sezonesh me Shkëndijën e Tetovës, ku ka fituar një titull kampion. Nga sa mësohet, ka një akord verbal midis palëve, me drejtuesit elbasanas që i kanë paraqitur projektin 31– vjeçarit. Ata duan të jenë konkurrues në elitë, duke pretenduar të paktën Kupat e Europës. Pritet që ditët në vijim të qartësohet më shumë situata në lidhje me këtë pistë për të kuptuar, nëse do të konkretizohet apo jo. Mbeten vetëm disa detaje të vogla për ta konsideruar çështjen të mbyllur.

EKSPERIENCA – Bruno Dita mund të cilësohet një lojtar me mjaft eksperiencë në futbollin shqiptar. Para se të shkonte në Maqedoninë e Veriut ai ka milituar në disa skuadra në vendin tonë. Momentin më të mirë e ka kaluar te Skënderbeu, ku luajti për tre sezone dhe ia doli të shpallej kampion, të fitonte gjithashtu kupën dhe Superkupën me bardhekuqtë. Më herët ai ka qenë në radhët e Besës, Teutës dhe Dinamos. Me të gjitha këto skuadra ka qenë pjesë e elitës, duke bërë që eksperienca të mos i mungojë.

TË TJERËT – Afrimi i parë dhe i rëndësishëm te verdheblutë mund të konsiderohet ai i mbrojtësit të Tiranës, Bruno Lulaj. Me 29-vjeçarin thuajse është mbyllur çdo detaj, por ende nuk është bërë zyrtarizimi. Në skenë doli edhe emri i mesfushorit të Korabit, Irgi Kasalla, por për këtë lojtar mbetet të shihet, nëse do të afrohet ose jo. Për momentin klubi është duke biseduar me shumë futbollistë dhe jo me të gjithë do të firmosë. Elbasani e ka bazën e shëndoshë në skuadër nga edicioni i kaluar dhe lojtarët që do të afrohen, do të kalojnë në “sitë”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"