EKSKLUZIVE/ Ekuban drejt Flamurtarit, Idrizi: Kemi dërguar njerëz në Londër, tani presim një…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2018 | 23:12

EKSKLUZIVE/ Ekuban drejt Flamurtarit, Idrizi: Kemi dërguar njerëz në Londër, tani presim një…

Kaleb Ekuban mund të firmosë për Flamurtarin, duke ardhur në Vlorë në formë huazimi nga Lids Junajtid. Lajmin e bujshëm të paralajmëruar nga “Panorama Sport” që më 10 gusht, e ka konfirmuar dje pas ndeshjes në Durrës vetë administratori i kuqezinjve, Sinan Idrizi.

Në një bisedë ekskluzive për gazetën, ai theksoi se ish-sulmuesi i Partizanit ka marrë një ofertë zyrtare nga klubi dhe gjithçka tashmë mbetet në dorë të tij. Lidsi është gati ta huazojë ganezin, por duke i paguar vetëm gjysmën e kontratës, ndërsa pjesën e mbetur duhet ta japë Flamurtari. Mësohet se bëhet fjalë për 180 mijë në vit, një shumë që vlonjatët kanë dalë garant për t’ia dhënë lojtarit. Për të bindur futbollistin mësohet se Idrizi ka dërguar në Londër menaxherin shqiptar që e solli lojtarin dy vite më parë në Shqipëri, pikërisht Elton Marinin. Ky i fundit po negocion me futbollistin dhe përfaqësuesit e Lidsit.

ekuban

KONFIRMIMI

“Të jem i sinqertë, u kemi bërë ofertë tre futbollistëve shumë cilësorë dhe një prej tyre është Kaleb Ekuban. Mirëpo, në këtë periudhë nuk kemi dashur të bëjmë zhurmë. I kemi dërguar haber lojtarit përmes agjentit të tij dhe presim një përgjigje përfundimtare. Ekuban duhet të vijë në Vlorë që të shohë konkretisht ofertën tonë. Shpresojmë që të jetë pjesë e skuadrës, por pa pasur diçka konkrete nuk mund të them më shumë. Kjo është e gjitha”, deklaroi dje Idrizi për “Panorama Sport” nga stadiumi “Niko Dovana”, teksa ndoqi 90 minutat e Flamurtari-Teuta në krah të Hasanbelliut.

NDESHJA

Kreu i klubit vlonjat bëri një koment edhe për ndeshjen e parë të kampionatit. “Jam i kënaqur me ndeshjen kundër Teutës. Fusha e Durrësit është ndër më të mirat, që të lejon të luash futboll. Sot (dje) pashë një skuadër, e cila e kërkoi golin, ashtu siç bëri në fakt edhe Teuta. Megjithatë, ekipi ynë do pak kohë të kolaudohet, por të jem i sinqertë kam pritshmëri të mëdha nga kjo skuadër. Djemtë treguan se kanë dëshirë dhe grintë për të fituar”, theksoi Idrizi.

MUZAKA

I pyetur nëse e shikon Flamurtarin favorit për titullin kampion, administratori iu referua edhe një deklarate të Gjergji Muzakës, i cili kopjoi Linekerin. “Kur u riktheva në Shqipëri, Muzaka luante për Flamurtarin, ndërsa tani thotë se janë 10 ekipe dhe në fund kampion del Skënderbeu. Mirëpo, i them Gjergjit se nuk është më ai Skënderbe. Niveli i kampionatit pas largimit të shumë lojtarëve ka rënë ndjeshëm. Kam besim tek ekipi im, edhe pse të gjitha skuadrat kanë thuajse një nivel”, është shprehur numri një i Flamurtarit, i cili pret që ky të jetë sezoni i duhur për një skuadër që pretendon titullin. Në kampionatin e kaluar kuqezinjtë ishin të dytët deri në fazën e tretë, ndërsa më pas rrezikuan deri në fund, duke qenë në zonën e rënies.

JETON REXHMATI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"