EKSKLUZIVE/ “Eksperienca do të bëjë diferencën”, Hoxhallari: Tirana gati për triumfin në derbi, ja çfarë na mungon (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 1, 2023 | 17:26

EKSKLUZIVE/ “Eksperienca do të bëjë diferencën”, Hoxhallari: Tirana gati për triumfin në derbi, ja çfarë na mungon (E PLOTË)

Erjon Hoxhallari shpreson që Tirana të përdorë sa më mirë faktin që Partizani ka mungesa në këtë derbi. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mbrojtësi i bardhebluve analizoi sfidën ndaj Erzenit dhe pohoi faktin se skuadra u mund me një gjuajtje në portë. Lojtari foli gjatë për sistemin difensiv dhe çfarë pritet nga ekipi i tij. Hoxhallari kritikon edhe një herë tjetër lojën që bën skuadra në mbrojtje, por pranoi se derbi e ringjall skuadrën.hoxhallari

Lojtari deklaroi se grupit i mungon kompaktësia që ka pasur në dy sezonet e fundit në Superiore. Këtë sezon Erjon Hoxhallari ka 998 minuta dhe 12 takime. Mbrojtësi është një nga titullarët e padiskutueshëm dhe ka munguar vetëm në një sfidë ku ishte me katër kartonë të verdhë.

Jeni mundur në një sfidë me Erzenin. Si një ish-kapiten, si është gjendja e skuadrës në këtë moment që flasim?

Realisht gjendja është ajo që është. Djemtë janë pak të mërzitur, por besoj se me lojën që kemi zhvilluar na kënaq në një krah. Në këtë plan shpresojmë që të shkojmë sa më shpejt te shënimi i golave dhe fitorja.

Çfarë nuk shkoi te bardheblutë në ndeshjen e fundit ndaj Erzenit në kampionat?

Them se ishim shumë mirë. Bëmë gjërat e përgatitura gjatë javës shumë mirë. Rastet për të shënuar i kishim. Ama kur nuk shënon është ligji i pashkruar i sportit. Po nuk shënove e pëson. Dhe ndodhi. Kundërshtari me një rast, një korne arritën të na shënonin gol.

Ju jeni një lojtar që e njihni mirë futbollin. Përse kjo skuadër është me oshilacione?

Mund të them që është lidhja që mungon. Ajo kompaktësia që nuk është siç ka qenë në dy vitet e mëparshme, në të cilat Tirana ishte në krye të klasifikimit dhe në luftën për titullin kampion.

E keni cekur në intervistën e fundit se Tirana ka probleme në mënyrën mbrojtëse. Shihet që gjërat nuk kanë ndryshuar…

Siç e thatë edhe ju, çdo ekip mbron i gjithi që nga sulmuesi më i lartë deri te portieri. Përderisa golat vazhdojnë dhe pësohen, konkluzioni është i qartë. Kjo situatë nuk është rregulluar nga e gjithë skuadra.

Do të luani sërish një tjetër derbi, duke ardhur me humbje. Sfida e duhur është që të ringrihet ekipi?

Siç e kemi parë gjithmonë. Edhe në sezonet e shkuara, ekipi që fiton derbin ka vazhdimësinë. Shpresojmë që ky derbi të na buzëqeshë ne. Të jetë kthesa ku ne të fitojmë dhe të mos ndalemi më me fitoret e marra në kampionat.

Çfarë ka më shumë Tirana në krahasim me Partizanin?

Tani kjo ndeshje është llogaritje e secilës palë. Një ndeshje e paparashikueshme. I ka të tria rezultatet brenda dhe mund të ndodhë gjithçka. Partizani ka mungesa në ekip. Në fund shpresojmë që këto mungesa të na shërbejnë ne për të qenë superiorë në fushën e lojës dhe ta fitojmë këtë sfidë.

Keni humbur në sfidën e parë derbi ndaj Partizanit. Mendoni se do të jetë një sfidë ndryshe?

Derbet pothuajse janë të gjitha njëlloj. Shpresoj që eksperienca jonë në ndeshjet e kaluara dhe në skuadër, të bëjë diferencën dhe të zgjidhë ndeshjen. Shpresoj që në stadium të ketë sa më shumë tifozë, siç i ka hije tifozërisë bardheblu.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"