EKSKLUZIVE/ “Egnatian e shoh favorite për finalen”, Josa “djeg” Tiranën: Katërshja nuk ndryshon, Vllaznia më ka futur në dilemë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2024 | 22:29

EKSKLUZIVE/ “Egnatian e shoh favorite për finalen”, Josa “djeg” Tiranën: Katërshja nuk ndryshon, Vllaznia më ka futur në dilemë (E PLOTË)

Kur kanë mbetur edhe 6 javë nga mbyllja e kampionatit të rregullt, llogaritë në letër janë të hapura në të dy kahet e tabelës së renditjes.

josa

Për herë të parë në futbollin shqiptar titulli kampion do të vendoset nga i ashtuquajturi “Final 4”, me gjysmëfinale dhe në fund finalen. Trajneri i njohur Mirel Josa, që në karrierë ka drejtuar më shumë se gjysmën e skuadrave të Superiores, në një intervistë për “Panorama Sport” ka folur për verdiktet e mundshme të kampionatit. Ai gjykon se 4- shja e parë e renditjes ka pak gjasa të ndryshojë, duke “djegur” Tiranën, që me atë që po tregon në fushë, nuk i jep aspak besim. Për finalen e titullit Josa sheh të avantazhuar Egnatian, ndërsa për Vllazninë është shprehur se këto javët e fundit sikur e ka vënë pak në dilemë.

Profesor, një gjykim për atë që ka prodhuar ky kampionat deri tani në këtë moment, si ju është dukur?

Do të thosha që kemi shumë rivalitet. Nuk mund të themi se është një rivalitet i bukur, por mendoj se për sa i përket gjendjes së skuadrave, nuk ka shumë diferenca mes tyre në kampionat. E them këtë, sepse kemi parë që edhe ekipet e vendeve të fundit kanë zhvilluar lojëra të mirë, që u janë kundërvënë ekipeve që mendohet se janë më përpara, ose që kanë investuar më tepër për këtë sezon.

Për katërshen e parë, mendoni se do të jetë kjo që është aktualisht, apo do të ndryshojë në javët e mbetura?

Personalisht nuk shoh një situatë, ku mund të ketë ndryshime nga kjo që është tani. Besoj se do të jetë kjo. Për vendin e 4-t i jap një rivalitet Dinamos me Skënderbeun, meqenëse këto dy skuadra janë afër me pikë aktualisht. Por edhe në këtë rast i jap avantazh Dinamos, sepse javët e fundit ka ardhur më e mbledhur si skuadër dhe ka marrë atë që ka dashur në ndeshjet e fundit. Ka qenë shumë efektive në fushë sa i takon rezultatit.

Cilat mendoni se do të jenë dy skuadrat finaliste të kampionatit, që do të diskutojnë titullin kampion të Superiores?

Nuk mund të them që tani se kush mund të jetë finalja e kampionatit. Sepse në radhë të parë duhet të shikojmë se si do të jetë katërshja e parë në fund të kampionatit të rregullt. Në këto kushte nuk mund të përcaktoj një finale para kohe, por besoj se do jetë Egnatia njëra nga finalistet. Ka avantazhe në raport me të tjerët, pastaj do të luhet mes Partizanit dhe Vllaznisë.

Megjithatë, pasi kemi parë një Vllazni që kishte një rrjedhë të mirë loje dhe rezultatesh, javët e fundit, të paktën personalisht, jam futur pak në dilemë. Për mendimin tim, shumë gjëra varen nga fakti se në çfarë gjendje do të jenë katër skuadrat në “Final 4”. E kam fjalën për gjendjen fizike të lojtarëve dhe dëmtimet. Do të jetë shumë e rëndësishme kjo gjë, pra sa do të jenë lojtarët të gatshëm fizikisht. Dëmtimet do të luajnë një rol shumë të rëndësishëm.

Nuk e përmendët fare Tiranën për 4-shen profesor. Nuk ju jep besim kjo skuadër?

Me gjendjen e tanishme nuk më jep besim aspak. Flas me atë çfarë kam parë në fushë këto javët e fundit. Sepse edhe ajo që thashë më parë për Dinamon, e përmenda për vetë faktin se ka ardhur në rritje dhe ka marrë rezultate në javët e fundit, ka marrë atë që ka dashur. Nuk mund të flas më tepër për Tiranën, kur flas nga jashtë. Duhet të dish mirë problemet që ka skuadra brenda, që të flasësh me argumente.

A do të ishte dështim për Tiranën, nëse do të mbetej jashtë 4-shes, që mund të konsiderohej objektivi minimal?

Është shumë e rëndësishme që një skuadër si Tirana të jetë në 4-shen e parë të kampionatit, është shumë e rëndësishme që të jetë në Europë. Por e dinë më mirë ata që e drejtojnë këtë skuadër se si i kanë bërë llogaritë për këtë sezon.

Një garë të fortë ka edhe për mbijetesën. Cilat mendoni se do të jenë dy skuadrat që do të bien nga kategoria?

Edhe këtu është e vështirë të bësh parashikime. Nuk mund të flasim akoma me bindje, sepse kam parë që edhe Erzeni është një skuadër që mund të pretendojë deri në fund për të shpëtuar prej rënies nga kategoria, qoftë edhe nëpërmjet “Play-out”-it. Për mendimin tim, për dy javë besoj se do të qartësohet gjithçka në këtë drejtim, për momentin çdo gjë është e hapur.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"