EKSKLUZIVE/ “Egnatia është gati për titullin”, ish-fantazisti Kuli: Lojtarët shiten për dy lekë, mos prisni tifozë pa… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 28, 2024 | 20:33

EKSKLUZIVE/ “Egnatia është gati për titullin”, ish-fantazisti Kuli: Lojtarët shiten për dy lekë, mos prisni tifozë pa… (E PLOTË)

Egnatia do të synojë të rikthehet te fitorja në ndeshjen e radhës në shtëpi ndaj Dinamos. Rrogozhinasit do të shfrytëzojnë faktorin “fushë” për të synuar maksimumin kundër bluve, që nuk kanë arritur të fitojnë asnjëherë në transfertë me bardhejeshilët.

bekim kuli

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Bekim Kuli, i cili në karrierën e tij ka luajtur me të dyja ekipet, shprehet se ndeshjen do ta “fitojnë” tifozët, pasi të dyja skuadrat luajnë futboll cilësor. Ish-fantazisti shtoi se formula “vret” mundim e 36 javëve.

Bekim, si e vlerësoni ecurinë e Egnatias në këtë sezon?

Egnatia ka surprizuar këdo dhe unë nuk bëj përjashtim. Nuk është aspak e lehtë të kryesosh kaq gjatë kampionatin kur ke rivalë si Partizani, Tirana apo Vllaznia. Janë në vendin e parë me meritë, duke zhvilluar për mendimin tim futbollin më atraktiv në Shqipëri. Egnatia ka në gjirin e saj futbollistë të shkëlqyer, që bëjnë diferencën në çdo moment, duke regjistruar rezultate të kënaqshme edhe me ekipet më në zë në vendin tonë. Për të arritur në këto nivele është një rrugëtim sfilitës aq më tepër për një klub me një histori jo “brilante”.

Ekipi i Tetovës nuk fiton prej 4 javësh. Çfarë mendoni se nuk shkon?

Si çdo ekip, edhe Egnatia do të ketë luhatje në rezultate. Në katër javët e fundit skuadra e Tetovës ka vuajtur ngërçin psikologjik, si dhe faktin që duke qenë shumë pikë të shkëputur në klasifikim, nuk i jep presion skuadrës të marrin maksimumin në çdo ndeshje.

Në optikën time gjatë kësaj periudhe është ndjerë edhe largimi i dy lojtarëve që po bënin mirë në sulm, si Paulauskas dhe Isgandarli. Futbollistët e ardhur në merkaton e dimrit ende nuk kanë hyrë në ingranazhet e lojës së Egnatias. Kundër Teutës ishin edhe të pafat.

Të premten luajnë kundër Dinamos, çfarë parashikoni në këtë duel?

Do të jetë një ndeshje delikate për të dyja ekipet. Ajo që i bën bashkë është uria që kanë për pikë në këtë fazë të kampionatit. Sfidën mes Egnatias dhe Dinamos do ta vendosin episodet, por ato që do të jenë të fituarit, janë tifozët, pasi të dyja skuadrat luajnë futboll të bukur.

Kush do të tregohet më i saktë në shanset që do t’i ofrohet, do të ketë më shumë mundësi për të arritur 3 pikë. Barazimi nuk i hyn në punë askujt. Në këtë situatë parashikoj një ndeshje të hapur me gola dhe shumë emocione.

Si një ish-fantazist, kush e zgjidh ndeshjen, Fernando apo Denison?

Janë dy futbollistë që mbeten nga pikat më të forta të klubeve respektive. Dy brazilianë që kanë fantazi dhe klas në këmbët e tyre duke ia lehtësuar punën shokëve. Fernando dhe Deninson do të markohen mirë, pasi nëse i lihet hapësirë mund të bëjnë keq në çdo moment. Nuk mund të them nëse do të jenë ata protagonistë, pasi goli mund të vijë edhe mbrojtësit ndoshta në goditje standarde.

Sa shanse ka Egnatia të fitojë trofe këtë sezon?

Me atë që ka treguar në fushën e lojës shanset janë të mëdha që Egnatia të ngrejë lart titullin kampion. Ka kualitet dhe dëshirë. Loja që prodhon ekipi është një garanci e madhe, por rruga është e gjatë dhe shumë e ndërlikuar. Mos harroni se Partizani, Tirana dhe Vllaznia janë aty dhe e dinë sesi mbërrihet tek suksesi.

Në këndvështrimin tuaj, cili është ekipi më solid këtë sezon?

Për mua dy ekipet më forta janë Egnatia dhe Vllaznia. Dy skuadra që kanë gërshetuar mjaft mirë organikën e futbollistëve mes lojtarëve me eksperiencë dhe atyre të talentuar. Por edhe Partizani si kampion në fuqi do të provojë shanset e veta, së bashku me Tiranën, që edhe pse largoi shumë lojtarë të rëndësishëm, ka fanellë të rëndë. Do të jetë një garë, ku 4 ekipe kanë shanse për të fituar trofeun.

Kush është futbollisti që ju ka lënë më shumë mbresa në Superiore?

Janë disa lojtarët që më pëlqejnë sesi luajnë futboll. Do të evidentoja Carën, Rrapajn dhe Fernandon. Lojtarë të rinj, që kanë ende për të treguar falë aftësive që disponojnë. Shumë shpejt mund t’i shohim në kampionatet elitare të Europës.

Çfarë mendimi keni për formulën e “Final 4”?

Unë e kam kundërshtuar që në fillim këtë formulë që është aplikuar nga FSHF-ja. Është e pa logjikshme që të dominosh dhe udhëheqësh për 36 javë dhe në fund fati i sezonit të vendoset me një 90- minutësh. Një ndeshje negative gjatë një viti kalendarik zhvillon edhe Reali apo Milani.

Mundet ta mposhtësh një ekip për 4 ndeshje dhe në fund një fitore të një skuadre që ka grumbulluar 10-15 pikë më pak, e shpall kampion. Një absurditet, që vret meritokracinë dhe i jep shansin e dyfishtë ekipeve që renditen në vendin e dytë, tretë dhe katërt. Mendoj që në fund do të ketë kontestime për këtë formulë.

Pse i kemi humbur tifozët në shkallët e stadiumit?

Kur unë luaja futboll, stadiumet ishin plot, aq sa njerëzit e shihnin ndeshjen edhe mbi tarracat e shtëpive përreth stadiumeve. Sot fatkeqësisht njerëzit e kanë humbur besimin te futbolli, pasi këtu nuk ka më marketing të ndershëm.

Lojtarët shiten për dy lekë, pasi i duhen të sigurojnë të ardhurat për të mbajtur familjen. Futbolli në Shqipëri do të funksionojë atëherë kur do të ketë mirë-menaxhim të klubeve, ku çdo president të deklarojë të ardhurat. Për sa kohë nuk ka transparencë financiare, ne do të vijojmë t’i shohim stadiumet bosh.

ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"