EKSKLUZIVE/ “E mundim Egnatian”, Bintsuka: Momenti ynë, Partizani mbron titullin! Jemi ekipi më… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2024 | 21:58

EKSKLUZIVE/ “E mundim Egnatian”, Bintsuka: Momenti ynë, Partizani mbron titullin! Jemi ekipi më… (E PLOTË)

Arçejnxh Bintsuka ishte çelësi i portës së finales për Partizanin. 21-vjeçari tundi rrjetën e Skënderbeut për të dërguar të kuqtë në ndeshjen më të madhe të sezonit, aty ku do të tentohet titulli numër 18 në histori. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Binstuka flet për 10 golat e shënuar në këtë sezon dhe finalen. Kongolezi ka bindjen se Partizani e mposht Egnatian dhe mbron titullin.

BINTSUKA

Mposhtët Skënderbeun në një ndeshje, të cilën e dominuat plotësisht. Ishte më e lehtë seç pritej?

Jo, në fakt ishte mjaft e vështirë. Skënderbeu na kishte hapur vështirësi në ndeshjet e këtij sezoni dhe na duhej të përgatisnim edhe detajin më të vogël. Më vjen mirë që ia dolëm shumë mirë dhe zhvilluam një ndeshje për tu lavdëruar.

Shënuat golin e 10-të të këtij sezoni të parë me fanellën e Partizanit. Jeni i lumtur me atë çka keni bërë?

Mund të them se jam i lumtur për këto 10 gola. Njëkohësisht jam i lumtur edhe me atë që kam bërë përgjatë gjithë këtij sezoni. Do të doja të mos e kisha pësuar atë dëmtim dhe të luaja më shumë, por ndodhi tashmë. Në përgjithësi jam i lumtur dhe do të punoj që niveli im të vijë në rritje.

E falënderuat Rrapajn për asistin e atij goli vendimtar?

Sigurisht që e falënderova, si gjithmonë. Pavarësisht se për rolin e tij kjo është një detyrë, për të na dhënë pasime ne sulmuesve dhe për të ndihmuar skuadrën të shënojë sa më shumë.

Sa të vështirë e prisni këtë ndeshje finale kundër Egnatias? Besoni se mund ta fitoni titullin?

Kam besim se do të përgatitemi në mënyrën më të mirë dhe s’do ta kemi të vështirë as kundër Egnatias. Kam besim se Partizani do ta fitojë sërish titullin, pavarësisht se në fund është Zoti ai që vendos.

Në këto ndeshje të fundit po luani si sulmues anësor. Si ndiheni në këtë pozicion të ri?

Epo, nuk kam luajtur kurrë si anësor përgjatë karrierës sime, është hera ime e parë, por nuk kam zgjidhje tjetër. Një sulmues duhet të jetë i gjithanshëm dhe kjo nuk më shqetëson, pasi ndihem shumë komod në këtë pozicion dhe jam i gatshëm të ndihmoj skuadrën në çfarëdolloj mënyrë. Mjafton të jem në fushë.

Mendoni se Partizani shkon në këtë finale si ekipi më i fortë dhe më në formë i momentit?

Nuk do të thosha se jemi më të fortë se ekipet e tjera, por thjesht mendoj se jemi në momentin më të mirë, pra kemi arritur formë optimale. Kjo është edhe arsyeja që kemi regjistruar rezultate pozitive radhazi.

Cili është mbrojtësi më i vështirë që keni hasur deri më tani në Shqipëri?

Mund të na përmendni një emër? Ka mjaft mbrojtës, që janë të vështirë për t’u dribluar dhe për t’u liruar prej tyre. Megjithatë, më falni, por nuk do të doja të përmend emra konkret.

Cila do të jetë e ardhmja juaj? Do të vazhdoni të jeni pjesë e Partizanit, apo mund të kemi një transferim jashtë vendit?

Sinqerisht, tani nuk e di. Gjatë këtyre ditëve jam tërësisht i fokusuar te finalja. Çdo gjë tjetër jashtë fushës së lojës ia kam lënë menaxherit. Është ai që merret më këto çështje dhe unë tani nuk dua të bëhem pjesë e tyre.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"