EKSKLUZIVE/ E konfirmon vetë Idrizi, ish-trajneri i Kukësit prezantohet sot te Flamurtari: Objektiv është…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2023 | 14:51

EKSKLUZIVE/ E konfirmon vetë Idrizi, ish-trajneri i Kukësit prezantohet sot te Flamurtari: Objektiv është…

Diego Longo i thotë “po” Flamurtarit. Trajneri ka prerë biletën dhe sot do të zbarkojë në Vlorë, në ditën më të veçantë për kuqezinjtë. 23 marsi përkon me 100-vjetorin e krijimit të klubit dhe sigurisht misionin e ka të qartë: ta ngjisë në elitën e futbollit shqiptar.

DIEGO LONGO

Vetëm pak kohë për të menduar kishte kërkuar italiani dhe sot ka telefonuar Sinan Idrizin për të pranuar ofertën që iu bë.

Në garë për të zëvendësuar Marcelo Troisin e shkarkuar ishin edhe Artim Pollozhani (ish-kapiten i Flamurtarit) me Mlladen Milinkoviç (ish-trajner i Luftëtarit dhe Kukësit), gjithnjë nëse ish-tekniku i Kukësit do të refuzonte.

47-vjeçari ishte ndër më të kuotuarit dhe jo më kot administratori e takoi direkt pas humbjes me Dinamon. Kushti i panegociueshëm ishte eksperienca dhe ajo nuk i mungon.

KONFIRMIMI Për “Panorama Sport”, vetë kreu i klubit konfirmoi se është arritur akordi me Diego Longon. Sinan Idrizi thotë se italiani do të mbërrijë sot në Vlorë për të mbyllur edhe disa detaje të vogla të kontratës.

SINAN IDRIZI

“Longo do të jetë trajneri i ri i Flamurtarit. Thuajse e kemi mbyllur me të. Diegon e presim që të vijë nesër (sot) në Vlorë. Detajet më të mëdha të kontratës i kemi mbyllur tashmë. Na mbeten vetëm disa gjëra të vogla, për të cilat besoj se nesër (sot) do të biem dakord. Mendoj se do të gjejmë gjuhën e përbashkët për gjithçka”, shprehet administratori, duke i dhënë drejtim çështjes së pankinës.

OBJEKTIVI Sinan Idrizi qartëson objektivin që i është vendosur italianit, i cili në fakt është i njëjtë me të paraardhësit të tij.

“Edhe për trajnerin e ri objektivi mbetet po i njëjtë. Patjetër që edhe ai do të ketë detyrën për të përmbushur atë që ne duam, ta çojmë Flamurtarin në Superiore, ku e ka vendin. Kështu që, ky mbetet një kusht për të cilin nuk ka asnjë diskutim”, përfundoi Idrizi.

Gazeta mëson se nëse Diego Longo do të sigurojë ngjitjen e Flamurtarit në Superiore, do të vijojë punën me vlonjatët edhe për sezonin tjetër. Në rastin më të keq, rrugët do të ndahen…

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"